LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni: Publikohet thirrje e re publike nga IPARD 2, mbi pesë milionë euro fond investime

Maqedoni: Publikohet thirrje e re publike nga IPARD 2, mbi pesë milionë euro fond investime
Foto ilustruese

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZHR) sot shpallën thirrjen e re për masën 3 të programit IPARD 2. Nga nesër deri në 45 ditët e ardhshme, pra deri më 6 shtator të këtij viti, aplikantët e interesuar do të mund të aplikojnë për mjete nga kjo masë.

Këto fonde synojnë të mbështesin projekte që parashikojnë investime në përpunimin dhe prodhimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, mishit dhe produkteve të mishit, frutave dhe perimeve, përpunimit të drithërave, prodhimit të produkteve të mullirit, produkteve dhe vajrave bimore, yndyrave shtazore dhe prodhimit të verës. Mbështetja financiare me kërkesë individuale jepet si mbështetje financiare e pakthyeshme, pra grant në masën 50 për qind të fondeve të totalit të kostove të pranueshme të investimeve.


Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikolovski në konferencën e sotme për shtyp informoi se mbështetja financiare për këtë thirrje është gjithsej 5.280.568 euro nga fondet e qytetarëve evropianë që do të investohen në bujqësinë e Maqedonisë. Ai theksoi se bashkë me fondet investive të përfituesve që do të aplikojnë dhe që do t’i marrin këto grante, kjo nënkupton mbi 10 milionë euro mjete të reja për investime dhe modernizim të bujqësisë maqedonase.

“Jemi krenarë që Republika e Maqedonisë së Veriut është bërë vend lider në të gjithë rajonin për sa i përket përdorimit të IPARD-it, të cilin mund ta kenë zili edhe shumë vende të tjera negociuese, si dhe shumë vende që tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian. Pse? Sepse ne kemi 97 për qind shfrytëzim të këtyre granteve në programin IPARD 2 pas pesë viteve të fundit. Nga rreth 15 për qind në periudhën paraprake arritëm 97 për qind të shfrytëzimit në programin IPARD 2, tha Nikollovski.

Ministri informoi se kanë marrë 97 milionë euro fonde të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian për programin e radhës IPARD 3.

Drejtori i AMFBZHR-së , Nikica Baçovski theksoi se të gjithë aplikantët e interesuar do të mund të aplikojnë me projekte për makineri dhe pajisje për prodhim dhe përpunim, si dhe projekte që parashikojnë vendosjen e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë nga nevojat personale.

Bëhet me dije se nga viti 2017 e deri më sot, në kuadër të programit IPARD 2, janë publikuar tre thirrje publike për masën në mbështetje të investimeve për përpunim dhe marketing.