Maqedoni, kërkohet administratë dhe gjyqësor më efikas

Ulja e korrupsionit dhe ekonomisë informale, sistemi efikas gjyqësor apo realizimi i marrëveshjeve në biznes, renditen ndër prioritetet kryesore reformuese në favor të përmirësimit të biznes klimës në shtet. Këtë e tregon anketa ndër kompanitë që e realizon projekti “Partneritet për një biznes rregullativë më të mirë”, shkruan gazeta KOHA. “Baza stabile juridike, marrëveshjet fer, gjyqet e shpejta dhe efikase , drejtësia efikase dhe zbatimi i vendimeve janë parakusht kryesor për zhvillimin e një ekonomie moderne dhe të fuqishme’, thekson më tej anketa ku kanë marrë pjesë përfaqësues të katër odave ekonomike në shtet dhe atë Odës ekonomike të Maqedonisë, Odë ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë dhe Odës së Teknologjisë Informatike.
Analiza e USAID , më tej thekson se ka shumë iniciativa, ndërsa këto probleme nuk janë të reja apo të panjohura për shtetin, por megjithatë komuniteti i biznesit akoma beson se nevojiten reforma urgjente në këto fusha. Njëherazi shtohet më tej se reformat e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për të ndihmuar biznesin. Ndër fushat e tjera për të cilat 518 kompani nga 2267 biznese të kontaktuara kanë plotësuar pyetësorin, janë adresuar edhe prioritete të tjera për përmirësim dhe reforma si stabilizimi i sistemit makroekonomik, sistem efikas tatimor dhe administratë , procedura efikase doganore, rregullativë stabile tatimore, sistem efikas i furnizimeve publike dhe përmirësimi i rregullativës së punës.
Qëllimi kryesor i hulumtimit është të ndiqet perceptimi apo ndjesia e sektorit të biznesit në raport me biznes rregullativën në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Analizat, konkludimet dhe rekomandimet duhet të ofrojnë informacione për organet kompetente dhe organizatat që mbështesin biznesin për situatën rrjedhëse dhe kënaqësinë e biznes sektorit me rregullativën juridike të biznesit, ndërsa në bazë të këtyre informavioneve nevojitet që organet kompetente të miratojnë vendime pozitive për përmirësimin e rregullativës të biznesit.
Nga ana tjetër, kohë më partë edhe investitorët e huaj kanë kërkuar nga pushteti :Klimë të parashikueshme të biznesit , stabilitet politik,investime në infrastrukturë dhe digjitalizim , reforma në administratën publike për transparencën e saj më të madhe si dhe efikasitet dhe ndryshime jo aq të shpeshta në legjislacion. “Reforma në administratën publike paraqet një projekt të madh që tek duhet të realizohet. Kjo nuk duhet të nënkupton vetëm uljen e numrit apo lëshimin nga puna të punëtorëve administrativ , por në radhë të parë nënkupton rritjen e cilësisë së shërbimeve që shteti ju ofron qytetarëve dhe biznesit. Në kohën kur çdo gjë është digjitale , Qeveria duhet që të rrisë përdorimin e platformave elektronike dhe të sigurojë transparencë më të madhe , konsistencë dhe cilësi të punës së saj”, rekomandohet ndër të tjerash në Librin e bardhë të investitorëve të huaj. Njëherazi investitorët e huaj theksojnë edhe problemin që mbetet thelbësor në angazhimet e tyre në vitet e fundit , realizimi përkatës dhe i qëndrueshëm i ligjeve të nevojshme dhe akteve nënligjore . Në mungesë të një administrate shtetërore mirë të arsimuar , të procedurave dhe metodologjive të qarta , është i qartë rreziku nga rregullativa e tej ngarkuar, theksohet më tej në Librin e bardhë. Njëherësh nevojiten edhe aktivitete kyçe në ristrukturimin e ndërmarrjeve publike dhe shfrytëzimin efikas të resurseve edhe ashtu të vogla shtetërore. Një hap i tillë do të rrisë edhe konkurrencën ,dhe do të ulë minusin apo defiçitin në arkën e shtetit. Gjithashtu investitorët e huaj theksojnë se është fakt se qeveria i ka njohur këto probleme kryesore dhe është treguar e hapur që të fillojë dialog në procesin e adresimit të tyre. Tani është koha të përshpejtohen reformat dhe të sigurohet se ligjet e reja do të zbatohen në mënyrë konsekuente , përmes koordinimit më të mirë dhe mbikëqyrjes së administratës shtetërore, kanë porositur investitorët e huaj në fillim të këtij viti./koha.mk/




















































