Man City afrohet me kreun, vetëm tri pikë larg Arsenalit

Manchester City ka marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Fulhamit në javën e 26-të, duke vazhduar presionin në garën për titull.
Man City e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-të, kur Antoine Semenyo reagoi më së miri pas një topi të kthyer brenda zonës dhe realizoi për 1-0.
Në minutën e 30-të erdhi edhe goli i dytë: një aksion model i skuadrës, me Nico O’Reilly që u shërbye bukur dhe finalizoi saktë për 2-0.

Vetëm nëntë minuta më vonë, Phil Foden asistoi për Erling Haaland, i cili nga kufiri i zonës dërgoi topin në këndin e poshtëm për 3-0.
Në pjesën e dytë, Man City menaxhoi epërsinë, ndërsa Pep Guardiola bëri disa ndryshime.
Fulhami pati disa tentativa, me Raul Jimenez dhe Rodrigo Muniz që provuan të rrezikojnë, por Gianluigi Donnarumma ishte i sigurt në portë.

Me këtë triumf, skuadra e Pep Guardiolës shkon në 53 pikë, vetëm tre më pak se Arsenali kryesues. Gara për titull mbetet plotësisht e hapur. /Telegrafi/





















































