Kosova i ka të gjitha forcat dhe mundësitë të shkojë drejt zgjidhjeve për formimin e institucioneve të reja, tha të martën ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ai tha se çështja e formimit të institucioneve është zgjatur, por sipas tij, do të gjendet një zgjidhje politike.


“Unë mendoj se do të gjendet një zgjidhje politike, padyshim që është zgjatur, por Kosova i ka të gjitha forcat dhe mundësitë të shkoj drejt zgjidhjeve të formimit të institucioneve”, tha ai, raporton kp.

Deputetët kanë dështuar sërish më 5 maj të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Deri më tash janë bërë njëmbëdhjetë përpjekje të pasuksesshme.

Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut si e propozuar për kryeparlamentare, ndërkaq PDK dhe AAK po kërkojnë që të ndryshohet propozimi.

LDK, në anën tjetër, është shprehur kundër çdo propozimi të LVV-së.

Në dy përpjekjet e fundit për konstituim të Kuvendit, LVV ka kërkuar që kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë, por kjo është kundërshtuar nga partitë e tjera.

Të hënën më 5 maj, kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar ftesë për marrëveshje politike LDK-së. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se së shpejti do të ketë përgjigje zyrtare.