LAJMI I FUNDIT:

Macroni po e luan një lojë të rrezikshme në Ukrainë

Macroni po e luan një lojë të rrezikshme në Ukrainë

Nga: John Sawers / Financial Times       
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Perëndimi ka dy synime për luftën në Ukrainë: të ruajë sovranitetin e Ukrainës dhe të pengojë Rusinë nga çdo sulm i ngjashëm në të ardhmen, ndaj vendeve evropiane.

Megjithatë, luftimet në rajonin e Donbasit janë të shëmtuara dhe është joshëse të mbështesësh çdo lëvizje që do t’ia jepte fundin kësaj. Nuk është për t’u habitur se ka pasur thirrje për një nismë të hershme paqeje, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se është e rëndësishme të mos “poshtërohet” Rusia për pushtimin e saj – një vërejtje që tërhoqi përgjigje të ashpër nga shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.


Problemi është se armëpushimi tani do t’i mbyllte përfitimet ushtarake të Rusisë në terren. Nuk ka asnjë arsye për të menduar se Vladimir Putini do të pranonte të tërhiqej; në të vërtetë, pushtuesit janë të zënë me “rusifikimin” e zonave të pushtuara, duke imponuar rusishten si gjuhë në shkolla, duke marrë kontrollin e medias dhe duke i vënë bufonët në krye të administratës vendore.

Putini e ka luajtur këtë lojë edhe më parë. Në vitin 2008, diplomacia e atëhershme e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, solli një armëpushim në Gjeorgji, por me çmimin për t’i lejuar forcat ruse që t’i pushtojnë dy rajone të vendit. Gjeorgjia nuk e ka rifituar kurrë atë territor apo sovranitetin e plotë.

E njëjta gjë ndodhi në vitin 2014 në Ukrainë. Pasi qeveria pro-ruse në Kiev u përmbys përballë protestave popullore, forcat ruse pushtuan Krimenë dhe një pjesë të Donbasit. Pasardhësi i Sarkozyt, François Hollande, dhe kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, arritën një marrëveshje me Putinin, që krijoi një proces miqësor politik ndaj Rusisë në Donbas dhe la të paprekur kontrollin e saj mbi Krimenë. Kjo iu imponua një presidenti ngurrues ukrainas dhe, përsëri, e la Rusinë të ulej mbi përfitimet e veta ushtarake.

Liderët e Ukrainës sot duan të luftojnë, dhe ata sigurisht se nuk duan tani armëpushim, kur dihet se është vulosje e përparimit ushtarak të Rusisë.

Nuk është e qartë se çfarë Macroni do të thotë në praktikë kur deklaron se nuk duhet ta poshtërojmë Putinin. Henry Kissinger, ish-sekretari amerikan i shtetit, kohët e fundit sugjeroi se një proces paqeje duhet të përgatitet në muajt e ardhshëm. Udhëheqësit e Ukrainës shqetësohen se komentet e tilla janë prelud i një raundi tjetër diplomacie, të krijuar për të arritur armëpushim të parakohshëm që do ta shpëtonte fytyrën e Putinit me koston e minimit të Ukrainës.

Po qëndrimi i Putinit? Që në javën e parë të luftës ishte e qartë se ka bërë gabim monumental me nisjen e pushtimit. Shefat e tij të sigurimit ranë në gjunjë për ta mbështetur këtë dhe shumë prej tyre e kanë dëshirën e Putinit për ta nënshtruar Ukrainën. Por, ata gjithashtu do të shohin se ai i ka dëmtuar interesat afatgjata të Rusisë. Ekonomia do të jetë nën sanksione për sa kohë që Putini është në pushtet, Evropa gradualisht do t’ia japë fund varësisë së saj nga energjia ruse dhe nuk do të kthehet më kurrë te ajo, dhe nuk mund të shijohet më pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme e njerëzve përreth Putinit.

Si rezultat, pozicioni i Putinit do të jetë më i dobët. Nisja e një lufte të dështuar nuk e rrit fuqinë e sundimtarit. Në një moment, ai mund të hiqet, megjithëse dyshoj se kjo do të ndodhë së shpejti. Një udhëheqës rus kërkon mbështetjen aktive të shefave të vet të sigurimit, por pengesat në Ukrainë i kanë lënë në një lojë të egër fajësimi dy shtyllat e regjimit të tij, Byronë Federale të Sigurisë (pasardhës i KGB-së) dhe ushtrinë. Disa liderë mund të spastrohen sipas modës ruse prej kohësh të çmuar. Do të ketë pakënaqësi të gjerë dhe kritika private.

Ukraina bën thirrje për humbjen e Rusisë. Përsëri, nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo në praktikë, por është në kundërshtim me thirrjen e Macronit që Putini të mos poshtërohet. Franca ka dhënë mbështetje të vlefshme ushtarake për Ukrainën dhe ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Por, është për t’u habitur se si Macron nuk ka denjuar ta vizitojë Kievin për më shumë se 100 ditë që nga fillimi i luftës, ndërkohë që ka mbajtur kontakte të shpeshta telefonike me Putinin. Kompanitë franceze kanë qenë më ngurrueset për t’u larguar nga Rusia, me shpresën se, ndoshta, qëndrimi aty do të korrë shpërblime në të ardhmen. Nuk duhet të habitemi pse liderët e Ukrainës janë dyshues ndaj synimeve të Macronit.

Nëse raundi tjetër i diplomacisë evropiane e lejon përsëri Rusinë të ulet mbi arritjet e veta ushtarake në Ukrainë, atëherë Putini do ta rifitojë forcën politike në vend dhe do të ndihet i fuqizuar për t’i nisur, në të ardhmen, aventurat e reja ushtarake. Ukrainasit duan të luftojnë dhe ata kanë nevojë për mbështetjen tonë të vazhdueshme – armë të avancuara dhe sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj Rusisë. Kjo do të thotë edhe disa muaj të tjerë luftimesh të shëmtuara. Por, armëpushimi i parakohshëm do ta ndihmojë Putinin të rrëmbejë fitoren prej nofullave të disfatës. Asnjë lider perëndimor nuk duhet të jetë mbështetësi i tij.