Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi të shtunën se vendimi i Gjykata Supreme e SHBA-së mbi tarifat tregtare të vendosura nga homologu amerikan, Donald Trump dëshmon rëndësinë e ekuilibrit të pushteteve dhe sundimit të ligjit në një demokraci.

“Është mirë të kesh një Gjykatë Supreme dhe, për rrjedhojë, sundim të ligjit”, tha ai duke komentuar vendimin e së premtes që shpalli si të paligjshme tarifat e vendosura nga lideri amerikan, sipas një ligji për emergjenca ekonomike, raportoi reuters.


Ai shtoi se “është e rëndësishme të ketë pushtet dhe kundërpesha ndaj pushtetit në një demokraci”.

Macron gjithashtu deklaroi se Franca do të shqyrtojë pasojat e tarifës globale prej 10 për qind që Trumpi kishte vendosur.

Ai theksoi se Franca synon të vazhdojë eksportin e produkteve të saj, përfshirë mallrat bujqësore, produktet luksoze, modën dhe industrinë aeronautike.

Presidenti francez theksoi se për situata të tilla nevojitet gjakftohtësi, dhe se qasja më e drejtë është “reciprociteti”, jo nënshtrimi ndaj vendimeve të njëanshme.

Në vendim u tha se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin. Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.

Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi. /Telegrafi/