Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka kritikuar gjendjen në shkollën “Ismail Qemali”, duke pretenduar se nxënësit po zhvillojnë mësimin në ambiente me mbeturina dhe papastërti.

Asamblistja e LVV-së, Nexhmije Gjema, ka publikuar pamje nga një klasë e kësaj shkolle, duke thënë se nxënësit po zhvillojnë mësim mes mbeturinave.


Gjema ka pretenduar se përfaqësuesit e shkollës kanë njoftuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, dhe Drejtorinë e Arsimit për problemet që, sipas saj, kanë zgjatur 45 ditë.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, i cili ka kritikuar gjendjen në objektin shkollor.

“Fëmijët në banka. Mbeturinat nëpër klasë. Shporta e stërmbushur. Papastërti gjithandej”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka drejtuar kritika ndaj kryetarit Rama dhe Drejtorisë së Arsimit, duke i konsideruar përgjegjës për kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor.

Sveçla ka akuzuar drejtuesit komunalë për papërgjegjshmëri, ndërsa ka thënë se nxënësit dhe prindërit e Prishtinës nuk e meritojnë një gjendje të tillë.

Pretendimet e asamblistëve të LVV-së vijnë pas publikimit të pamjeve nga ambientet e shkollës “Ismail Qemali”, ku shihen mbeturina brenda një klase. /Telegrafi/