Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka konfirmuar se i ka dërguar një ofertë zyrtare për bashkëpunim kryetarit të degës së AAK-së në këtë qytet, Ali Berisha.

Përmes një njoftimi, Kelmendi tha se Peja ka nevojë për një qeverisje të re, duke theksuar se “nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit”.


Ndërkohë, Ali Berisha në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se ka marrë ofertën nga Vetëvendosje, por se është ende në pritje të ndonjë propozimi edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), para se të marrë vendimin përfundimtar.

Po ashtu ai theksoi se oferta nga LVV-ja do të diskutohet në strukturat e partisë dega në Pejë, po ashtu dhe nga Qendra.

“Po, ne kemi marrë një ofertë për bashkëqeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje në Pejë. Ende nuk kemi ndonjë përgjigje konkrete. Jemi në pritje të LDK-së nëse do të dërgojë ndonjë ofertë bashkëpunimi. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndërmarrim më tutje. Ne nuk e kemi problem, mund të qëndrojmë edhe në opozitë”, tha Berisha.

Në garën për Pejën, kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka marrë 46,11% të votave (19,035 vota), ndërsa Taulant Kelmendi i Vetëvendosjes ka siguruar 27,88% (11,508 vota) dhe Ali Berisha i AAK-së 18,41% (7,601 vota).

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Pejë do të mbahet më 9 nëntor.