Lunacek: Nuk duhet gjykuar vetëm EULEX-in

Raporti që konstaton se Gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrjet politike, jo efikasiteti dhe mungesa e transparencës dhe e zbatimit, shihet si mundësi e mirë nga Lunacek për t’i mënjanuar këto të probleme. Lidhur me të gjeturat e raportit ka reaguar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila thotë se Qeveria e Kosovës duhet të japë dorëheqje, kurse misioni i EULEX-it duhet të tërhiqet nga Kosova.
Ndonëse, Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve nuk e ka nxjerrë aq mirë Gjyqësorin në Kosovë, përfshirë këtu edhe EULEX-in, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, vlerëson se nuk duhet gjykuar vetëm EULEX-in për dështimin e Gjyqësorit në Kosovë, por edhe institucionet kosovare.
Por, megjithatë, Lunaçek, ka thënë se EULEX-i është duke punuar fuqishëm për të ndihmuar institucionet e Kosovës.
“EULEX-i është duke punuar fuqishëm për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës për funksionalizuar rendin dhe ligjin, dhe siç e dimë, disa njerëz janë akuzuar për korrupsion dhe për krime lufte, pra, po punohet dhe ne do të marrim vendimin e Gjykatës së Auditorëve, gjithashtu, edhe në raportin tim, të cilin jemi duke e përpiluar me Parlamentin Evropian, dhe mendoj se ju duhet ta shihni këtë si dhe njerëzit në Kosovë si diçka, për të cilën duhet punuar dhe këtë duhet ta dëshmojnë vetë autoritet tuaja”, tha Lunacek, transmeton Koha.net.
Nga ana tjetër, Lëvizja “Vetëvendosje” e quan të dështuar në tërësi misionin e EULEX-it.
Derisa Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve ka vlerësuar se Gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrjet politike, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë se ende nuk kanë raste të raportuara nga gjyqtarët e prokurorët për ndonjë presion politik.
Përderisa kritikat më të mëdha nga raporti rrjedhin për EULEX-in, megjithatë, Peci mendon se ky mision duhet të vazhdojë të mbetet edhe një kohë në Kosovë.
Nga auditimi i këtij institucioni të rëndësishëm të BE-së del se ndihma e tyre milionëshe nuk ka qenë efektive në sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë.
Në raport thuhet se ndihma në polici dhe gjyqësi ka pasur më pak sukses, sepse shkalla e krimit dhe e korrupsionit vazhdon të mbetet e lartë.
Të gjeturat e raportit theksojnë se policia ende nuk është e gatshme të trajtojë krimet financiare, siç janë shpëlarja e parave, që ka shumë ndikim politik në gjyqësi dhe në polici me gjithë ndihmën e tyre.
Por, EULEX-i nuk është pajtuar me disa pohime të Gjykatës.
Ky mision thotë se shumë përpjekje qenësore të Ekzekutivit dhe fuqizimi i EULEX-it nuk janë përfshirë në periudhën raportuese 2007-2011. /Telegrafi/









































