LAJMI I FUNDIT:

Luftëtarët serbë mbrohen në gjykatë: Nuk urdhëruam kroatët të hyjnë në fushën e minuar

Luftëtarët serbë mbrohen në gjykatë: Nuk urdhëruam kroatët të hyjnë në fushën e minuar

Avokatët mbrojtës thanë në deklaratat përmbyllëse në Gjykatën Speciale të Beogradit se pesë ish-luftëtarët serbë nuk ishin të përfshirë në përdorimin e civilëve nga fshati kroat i Lovasit si detektorë minash në vitin 1991.

Avokatët për ish-luftëtarët Radovan Vlajkoviq, Radisav Josipoviq, Darko Periq, Jovan Dimitrijeviq dhe Sasha Stojanoviq i thanë Gjykatës Speciale të Beogradit se ata nuk duhet të shpallen fajtorë për përdorimin e kroatëve nga fshati Lovas për të ecur nëpër një fushë të minuar më 18 tetor 1991 për shkak të mungesës së provave.


“Një seancë dëgjimore nuk tregoi se Radovan Vlajkoviq kreu këtë urdhër të paligjshëm dhe trajtim çnjerëzor. Lidhja e tij e vetme me këtë është prania e tij në Lovas më 17 dhe 18 tetor, e cila nuk mjafton për një dënim. Prania nuk është krim”, tha avokati i Vlajkoviqit, Boris Zorko, në argumentet e tij përmbyllëse.

Ai shtoi se klienti i tij nuk mori pjesë në grumbullimin e civilëve që u dërguan në fushën e minuar.

Aktakuza pohon se Vlajkoviqit dhe Radisav Josipoviqit, të cilët ishin zyrtarë ushtarakë me forcat territoriale mbrojtëse serbe, iu dha urdhër për të përdorur civilët si një mburojë njerëzore në fushën e minuar më 18 tetor 1991.

Ajo pretendon se Vlajkoviq dhe Josipoviq erdhën në qendrën bujqësore të fshatit me rreth 50 nga burrat e tyre dhe më pas u bashkuan me njësinë paraushtarake “Dushani i madh”.

Ata zgjodhën rreth 50 civilë, të cilët ishin ndaluar dhe lënduar më parë, dhe u kërkuan atyre të ecnin drejt një fushe aty pranë për të kontrolluar se ku ishin minat, akuzoi prokuroria.

Kur ata mbërritën atje, anëtarë të njësisë paraushtarake “Dushani i madh” i kërkuan civilëve të ecnin në rresht dhe të kontrollonin me këmbë se ku ishin minat.

Aktakuza thotë gjithashtu se Vlajkoviq dhe Josipoviq morën pjesë në këtë.

Kur një njeri u rrëzua përtokë, një minë shpërtheu dhe në të njëjtën kohë një numër ushtarësh filluan të qëllonin me armë kroatët dhe 19 prej tyre u vranë.

Avokati i Josipoviq tha se ai nuk mori dhe as nuk dha urdhër që ndokush të bënte diçka të tillë.

“Ai ishte thjesht një ushtar dhe dëshmitarët konfirmuan se ai madje nuk ishte në rreshtin e njerëzve që po ecte drejt fushës me civilët,” tha avokati Branko Dimiq.

Avokatja për një të pandehur të tretë, Darko Periq, një komandant i forcave të mbrojtjes territoriale i akuzuar për urdhërimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve nga Lovasi, mbajti gjithashtu argumentet e saj përmbyllëse të mërkurën.

Periq akuzohet se pranoi një urdhër për të përdorur njerëzit si mburoja njerëzore në fushën e minuar dhe duke ia kaluar urdhrin Vlajkoviqit dhe Josipoviqit.

Avokatja e Periq, Jasmina Zhiviq, megjithatë mohoi që ai ta ketë pranuar atë urdhër.

“Periq nuk kontribuoi në atë event dhe nuk trajtoi asnjë në mënyrë çnjerëzore,” tha Zhiviq në gjykatë.

“Dimitrijeviq (Miodrag) e thirri atë për një takim dhe u takuan në mëngjesin e 18 teorit, por Periq nuk kontribuoi në atë event apo trajtoi dikë në mënyrë çnjerëzore. Detyra e tij e vetme ishte t’i dërgonte një mesazh nga Dimitrijeviqi Vlajkoviqit. Shumica e të akuzuarve thanë se ata nuk e takuan kurrë Periqin dhe se ata nuk e njohin atë,” shpjegoi avokatja.

Avokatët për dy anëtarë të njësisë paraushtarake “Dushani i Madh”, Jovan Dimitrijeviq dhe Sasha Stojanoviq, të akuzuar për trajtimin çnjerëzor të njerëzve që u përdorën si mburoja njerëzore, thanë gjithashtu në gjykatë të mërkurën se klientët e tyre duhet të lirohen.

Aktakuza pohon se pas shpërthimit në fushë, Stojanoviq vazhdoi t’i detyronte civilët të kërkonin pjesën tjetër të minave dhe njëri prej tyre më pas u plagos.

Avokatët e Dimitrijeviqit dhe Stojanoviqit u shprehën megjithatë se nuk kishte asnjë provë për këtë.

Për vrasjet në Lovas janë në gjyq një total prej 10 të pandehurish.

Të gjithë ish-luftëtarët u dënuan në vitin 2012, por Gjykata e Apelit e Serbisë e anuloi vendimin dhe çështja u dërgua për rigjykim në vitin 2014.

Avokatët për tre nga të tjerët thanë në deklaratat e tyre përmbyllëse të mërkurën se klientët e tyre nuk kishin përgjegjësi komanduese për vrasjen e 40 civilëve të paarmatosur në Lovas.

Seanca e ardhshme dëgjimore, me deklaratat përmbyllëse për dy të pandehur të tjerë, Zoran Kosijer dhe Petronije Stevanoviq, është programuar të mbahet më 17 korrik.

Katër prej atyre që u dënuan fillimisht – Ljuban Devetak, Dragan Baciq, Aleksandar Nikolaidis dhe Milan Radojçiq – kanë vdekur që atëherë. /BIRN/

Në trend Botë

Më shumë
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
SHBA-ja konfirmon dhe shpjegon vendimin për të vënë veto ndaj anëtarësimit të Palestinës në OKB

SHBA-ja konfirmon dhe shpjegon vendimin për të vënë veto ndaj anëtarësimit të Palestinës në OKB

Amerika
Një fshat i vogël është bërë i famshëm në Itali: Atje dielli nuk bie kurrë, por vendasit kanë një ide gjeniale

Një fshat i vogël është bërë i famshëm në Itali: Atje dielli nuk bie kurrë, por vendasit kanë një ide gjeniale

Evropa
Brnabiq e Vulin në Republikën Serbe - tubim ku mohohet gjenocidi serb në Srebrenicë dhe lartësohet lufta e Rusisë në Ukrainë

Brnabiq e Vulin në Republikën Serbe - tubim ku mohohet gjenocidi serb në Srebrenicë dhe lartësohet lufta e Rusisë në Ukrainë

Bosnja

"Gishtin e kemi në këmbëz": Irani kërcënon me sulm drejt objekteve bërthamore të Izraelit

Azia
Kalo në kategori