LAJMI I FUNDIT:

Lufta në Ukrainë tregon se për çfarë shërben BE-ja, por sfidat më të mëdha shtrihen para

Lufta në Ukrainë tregon se për çfarë shërben BE-ja, por sfidat më të mëdha shtrihen para
Ilustrimi: Nate Kitch / The Guardian

Nga: Timothy Garton Ash /  The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Është pranverë në Bruksel dhe Bashkimi Evropian ka disponim të mirë. Udhëheqësit dhe institucionet e saj janë përforcuar nga lufta në Ukrainë. “Lufta na ka kujtuar se çfarë është në të vërtetë Evropa”, më thoshin njerëzit në vizitën time të fundit në kryeqytetin e BE-së.


Ekziston një teori popullore që thotë se integrimi evropian përparon përmes krizave. E vërteta është se ndonjëherë kjo ndodhë dhe ndonjëherë jo. Për shembull, do të duhej të ishe eurooptimist naiv për të pohuar se uniteti evropian vërtet përparoi nga kriza e refugjatëve në vitet 2015-16. Por, në dy ngjarjet më të mëdha të saj, pandeminë e koronavirusit dhe luftën në Ukrainë, e kemi parë mekanizmin e “sfidës dhe përgjigjes” që historiani Arnold Toynbee e identifikon si një nga modelet e historisë.

Pas një fillimi të ngadaltë dhe përmbysjes së procesit fillestar për veprime të njëanshme kombëtare, BE-ja iu përgjigj pasojave ekonomike të pandemisë së koronavirusit, me një hap të guximshëm para: 800 miliardë euro financim për rimëkëmbjen për shtetet anëtare, të quajtur NextGenerationEU. Dy tabu të kahershme të Evropës Veriore, menjëherë u rrëzuan. Tani kishte borxh të përbashkët evropian dhe shumë nga paratë do të shpërndaheshin në formën e granteve, jo vetëm kredive, për vendet e goditura rëndë si Italia. Udhëheqësit evropianë më në fund bënë atë që duhej të kishin bërë një dekadë më parë, duke reaguar ndaj krizës së Eurozonës që për herë të parë u bë akute në vitin 2010.

Edhe më mbresëlënëse ka qenë përgjigja ndaj luftës në Ukrainë. Përkundër përpjekjeve më të mira të nacionalistëve mashtrues – si Viktor Orbáni i Hungarisë – solidariteti evropian është ruajtur përmes 10 raundeve të sanksioneve shtrënguese ekonomike ndaj Rusisë. Refugjatët ukrainas janë bërë të mirëpritur në të gjithë bllokun, duke turpëruar procedurat hezituese dhe penguese të vizave të Britanisë. Pas një fillimi tjetër të ngadaltë – fillimet e ngadalta janë ajo që keni në thelb në një komunitet ende ndërqeveritar prej 27 shteteve të ndryshme – BE-ja këtë vit po ia jep Ukrainës mbështetjen  ekonomike prej 18 miliardë eurove. Jo vetëm që shumë shtete individuale anëtare kanë ofruar nivele mbresëlënëse të mbështetjes ushtarake për Ukrainën – në një ndërmarrje që do të kishte qenë e paimagjinueshme përpara pushtimit në shkallë të plotë të Vladimir Putinit më 24 shkurt 2022 – diçka që quhet Objektivi Evropian i Paqes po përdoret për ta siguruar blerjen, në shkallë të gjerë, të armëve dhe municioneve për forcat e armatosura të Ukrainës, kundërofensiva e madhe e të cilave pritet në javët e ardhshme.

Për më tepër, e kemi parë një lidership strategjik që vjen prej institucioneve evropiane. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka gjetur kauzën e madh të presidencës së saj për mbështetje të Ukrainës. Josep Borrell, supremi i politikës së Jashtme të BE-së, ka argumentuar fuqishëm për zgjerimin e fushëveprimit të Objektivit Evropian të Paqes. Parlamenti Evropian ka qenë i dobishëm në shtyrjen përpara të agjendës së zgjerimit drejt Lindjes. BE-ja tani ka një projekt të madh gjeostrategjik për një raund të ri zgjerimi, për ta përfshirë Ukrainën, Moldavinë dhe ndoshta Gjeorgjinë – si dhe Ballkanin Perëndimor – dhe një tjetër projekt në fushat e ndërlidhura të sigurisë së energjisë dhe tranzicionit të gjelbër.

BE-ja gjithashtu gëzon mbështetje të konsiderueshme. Sondazhi i fundit i opinionit të Eurobarometrit sugjeron se – duke marrë një mesatare nga 27 shtetet anëtare – shumica e qytetarëve evropianë “priren t’u besojnë” institucioneve të BE-së, më shumë sesa qeverive dhe parlamenteve të tyre kombëtare (47 për qind me 32 për qind, respektivisht 33 për qind); 45 për qind kanë imazh përgjithësisht pozitiv për BE-në, kundrejt 18 përqindëshit negativ; 62 për qind thonë se janë optimistë për të ardhmen e BE-së, kundrejt 35 përqindëshit pesimistë. Për ta përmbyllur këtë, një tjetër sondazh i fundit tregon se që nga Brexit-i, edhe britanikët kanë arritur të kenë më shumë besim në BE-në sesa në qeverinë dhe parlamentin e vet.

Tani, diçka për lajmin e keq. Politika e shumë shteteve anëtare individuale tregon një histori shumë më pak të bukur se këto shifrat kryesore, ndërsa sfidat e jashtme me të cilat përballet ky bashkim janë më të mëdha se në çdo kohë më parë. Nëse gërmon pak më thellë në ato të dhëna të Eurobarometrit, do ta gjeni një pyetje të rëndomtë që gjithmonë më ka intriguar. U kërkon njerëzve të pajtohen ose të mos pajtohen me deklaratën “(vendi ynë) mund të përballet më mirë me të ardhmen jashtë BE-së”. Kur kjo shtrohej para referendumit të Brexit-it të vitit 2016, një mesatare prej 34 për qind – në të gjithë BE-në me 28 anëtarë – ranë dakord. Këtë vit, në BE-në pa britanikët ngucakeq, është ende është në 27 për qind. Në Slloveni, kjo shifër është 42 për qind, në Kroacia në 41 për qind, në Poloni në 40 për qind dhe në Austri në 38 për qind. Në Belgjikë, shtet që me dashamirësi ndan kryeqytetin me BE-në, është në 33 për qind.

Kjo nuk do të thotë se dikush do të ndjek së shpejti shembullin britanik. Ajo që i ka ndodhur Britanisë që nga viti 2016, do t’i largonte shumicën e njerëzve nga ky vendim. Por, kjo do të thotë se ka shumë evropianë që janë të pakënaqur me BE-në dhe udhëheqësit e tyre nacionalistë populistë duan ta transformojnë unionin nga brenda, në vend që ta braktisin atë. Në mënyrë interesante, më pak hungarez (27 për qind) sesa francezë (28 për qind) thonë se do të ishin më mirë jashtë BE-së. Në fund të fundit, Orbáni është lideri që vërtetë e jeton ëndrrën e Boris Johnsonit. E ka tortën e vet evropiane dhe e ha atë.

Hungaria, një shtet anëtar i plotë i BE-së, nuk është më demokraci. Udhëheqësit aktualë të Polonisë janë të prirë t’i fitojnë zgjedhjet vendimtare të kësaj vjeshte me karrem ose me mashtrime, dhe të vazhdojnë orbanizimin në mënyrën poloneze. Në Holandë, ku sapo kalova një ditë të këndshme për botimin e edicionit holandez të historisë time personale të Evropës, një parti rurale populiste kërcënon të prish planin e politikës holandeze pasi ia doli jashtëzakonisht mirë në zgjedhjet lokale.

Në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, që është anti-imigruese, kryeson në sondazhet e opinionit. Italia ka një kryeministre post-neofashiste, edhe nëse ajo sillet me shumë përgjegjësi në çështjet kyçe evropiane, si Ukraina dhe Eurozona. Protestat masive në Francë nuk janë të mira për të ardhmen e qendrës liberale të Emmanuel Macronit. Vëzhguesit me përvojë, të politikës franceze, sugjerojnë tashmë se fituesja më e mundshme e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027 është Marine le Pen. Ndërsa, janë të larta shifrat e përgjithshme të mesatares të 27 vendeve anëtare, për besimin ndaj BE-së: 57 për qind e të anketuarve francezë thonë se “priren të mos i besojnë” BE-së.

Dhe, kjo është para se të arrijmë te kërcënimet e mëdha të jashtme: Lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945; një romancë diktatoriale mes Xi Jinpingut dhe Putinit; fuqi të tjera joperëndimore si India, Turqia, Afrika e Jugut dhe Brazili që mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë e Putinit, edhe pse ai ndjek një luftë neokoloniale kundër Ukrainës me elemente të qarta gjenocidi; një ShBA që mund të kthehet sërish te Trumpi në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, me ose pa Donald Trumpin; ngrohja globale që ende shkon përtej 1.5 gradëve mbi nivelet para-industriale, me pasojat tashmë të shfaqura në ngjarjet ekstreme të motit; popullsia botërore tani i kalon tetë miliardë; ka pabarazi të mëdha midis vendeve më të pasura dhe të varfra; dhe, që të gjitha këto kontribuojnë në presionet migratore të cilat më pas shfrytëzohen nga populistët ksenofobikë në Evropë. Oh, po, është dhe një rrezik i rëndësishëm i një konflikti të armatosur mes ShBA-së dhe Kinës mbi Tajvanin, diku në këtë dekadë. A duhet të vazhdoj më shumë?

Gjendja e këtij bashkimi është e fortë. Por, do të duhet të jetë shumë më e fortë për t’i zotëruar këto sfida të mëdha – të brendshme dhe të jashtme. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Magazina
Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Shkëlqeu me paraqitjet e tij, Real Madridi e shpërblen me kontratë të re veteranin e ekipit

Shkëlqeu me paraqitjet e tij, Real Madridi e shpërblen me kontratë të re veteranin e ekipit

La Liga
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Kalo në kategori