LAJMI I FUNDIT:

“Lufta e gardave”

“Lufta e gardave”

Politika, në përgjithësi, nuk njeh koncept të gardave politike, diçka që në Kosovë kohëve të fundit është ushqyer nëpër parti politike, duke i ndarë njerëzit në gardën e re dhe në gardën e vjetër (madje, ndarja bëhet edhe në bazë të moshës dhe kohës së angazhimit politik).

Në vendet ku ka demokraci të zhvilluar, ndarja e gardave politike nuk ekziston – as si koncept e as si veprim politik për t’i lënë jashtë loje anëtarët që kanë dhënë kontribut nëpër partitë e tyre.


Në Kosovë kjo ndarje çon drejtë një ndarjeje mes gjeneratave, që nuk është e dobishme për procesin demokratik të subjekteve politike e as për proceset demokratike, në përgjithësi.

Ekziston veç një ndarje, qoftë si koncept e qoftë si veprim politik, e që ka të bëjë me mendësinë politike. Dhe, pikërisht te mendësia politike subjektet politike duhet të investojnë, që t’i arrijnë sukseset e dëshiruara. Në asnjë mënyrë nuk do të thotë që një i moshuar, aktiv në politik, do të ketë mendësi të pareformuar. Përkundrazi, politika kosovare njeh shumë personalitete që kanë angazhim me dekada e që kanë mendësi më të re se shumë të rinj. Pra, mosha dhe angazhimi politik nuk e determinon mendësinë politike, ndaj gardat e vjetra dhe të reja nuk duhet të ekzistojnë si koncept.

Ne angazhimin politik në Kosovë, është i njohur edhe një koncept i të vepruarit në politik: koncepti i konsumimit të individit, si një nga konceptet e gabuara. Nuk ka person që konsumohet nëse ai e azhurnon mendësinë politike duke ia përshtatur kohës dhe kërkesave të kohës. Çdo person mund të mbijetojë në politikë për aq kohë sa di të kontribuojë në shoqëri.

Kemi shumë shembuj te shtetet që kanë demokraci te zhvilluar e që udhëhiqen nga personat e moshës se tretë dhe kjo nuk e bën më pak të zhvilluar atë vend. Është e kundërta. Ndaj, partitë politike në Kosovë, fokusin e funksionimit duhet ta zhvendosin nga “lufta” për ndarje në garda sipas moshës, në ndarje sipas mendësisë dhe ideve atraktive e inovative për zhvillimin e partive politike. Fundja, sa më të zhvilluara janë partitë politike, po aq e zhvilluar do të jetë edhe Kosova.