Lot gëzimi në shtëpinë e të moshuarve, Tayna i viziton dhe dhuron donacion për gjeneratën e vjetër

Reperja e njohur shqiptare, Tayna, ka prekur sot zemrat e shumë njerëzve me një gjest të jashtëzakonshëm human, duke vizituar një qendër të të moshuarve dhe duke ndarë momente të ngrohta me ta.
Përmes fondacionit të saj “Tayna Foundation”, artistja ka realizuar donacionin e dytë për këtë vit, këtë herë të dedikuar gjeneratës së artë, të moshuarve që, siç thekson Tayna, “meritojnë më shumë se mirënjohje”.
Në një video të publikuar në Instagram, Tayna shihet duke hyrë në ambientet e qendrës, ku të moshuarit e presin me buzëqeshje, përqafime dhe emocione të sinqerta.
“Të kthehesh tek njerëzit që kanë mbajtur mbi supe sfida të mëdha, që kanë dhënë më shumë se ç’kanë marrë, është bekim. Ata meritojnë kujdes, respekt dhe përqafimin e përditshëm,” shprehet Tayna, duke përshkruar se pritja e ngrohtë dhe historitë e jetës së tyre e prekun jashtëzakonisht.
Artistja shton se këto momente i rikujtojnë rëndësinë e dritës që duhet t’u ofrojmë atyre që na kanë dhënë gjithçka.
“Pritja e tyre e ngrohtë, sytë plot histori dhe buzëqeshjet e sinqerta më kujtuan sa pak duhet për t’u sjellë pak dritë atyre që kanë dhënë gjithçka. Ky gjest është i vogël, por i bërë me shumë dashuri dhe me dëshirën që t’ju kujtoj se nuk jeni kurrë të harruar,” shkruan Tayna, duke premtuar se kjo nuk do të jetë hera e fundit që do t’i vizitojë.
Në fund, reperja ka uruar që viti 2026 t’u sjellë të moshuarve shëndet, paqe dhe ditë më të lehta, duke falënderuar nga zemra për buzëqeshjet dhe fjalët e mira që mori prej tyre.
Ky veprim human i artistes është pritur me duartrokitje online, me fansa që vlerësojnë gjestin fisnik dhe kujdesin e saj për të moshuarit, duke theksuar se respekti dhe mirënjohja ndaj gjeneratës së artë mbeten gjithmonë të rëndësishme. /Telegrafi/



























































