Si të gjitha hallkat e çoroditura të këtij qyteti politik, edhe drejtësia është në një krizë: krizë identiteti dhe krizë legjitimiteti. E para, sepse drejtësia në vendin tonë, gëzon një mbështetje fare të vogël në publik. Dhënia e parave nën dorë, është pjesë e pandashme e këtij sistemi, edhe pas rreth 20 vitesh që kurse nis si një sistem gjoja i lirë. E dyta, ka të bëjë me ligjshmërinë. Janë vetë njerëzit e ligjit, ata që nuk zbatojnë ligjin.

Kjo do të thotë se vetë drejtësia bën padrejtësi. Me këtë, ky sistem i korruptuar gjer në grykë, nuk bën gjë tjetër, veçse mbetet një sektor sorollatjesh dhe lodhje nervash, e në fund të fundit, vetë sistemi është kundra sistemit. Të gjithë kërkojnë zbatimin e atij ligji që është miratuar, edhe në qoftë i padrejtë. Një ligj i padrejtë, kur zbatohet për të gjithë merr mbi vete të drejtën. Në drejtësinë shqiptare kjo nuk ndodh. Fajin e ka vetë sistemi, që drejton dhe menaxhon veten.

Viktimat edhe kësaj here, janë ata që nuk iu ka mbetur tjetër, veçse të jenë qytetarë të nënshkruar ndaj fantazmës shtet. Mos zbatimi i ligjit, është cenim për imazhin e drejtësisë, por padrejtësia dhe pasojat bien mbi qytetarët. Gjyqtarët dhe prokurorët, i shërbejnë vetes, duke u pasuruar, ndërsa sistemi ku janë të përfshirë vazhdon të jetë nën hijen e korrupsionit. Kjo lloj “marrëveshje” e përhapur dhe e pranuar nga të gjithë individët e këtij sektori të trupit të shtetit, funksion normalisht, ndërsa vetë sistemi është në gjendje amullie.

Pika më e rëndësishme e debatit publik sot, është pavarësia e drejtësisë. Për këtë flasin timonierët e të pa mëshirshmit shtet. E kërkojnë me ngulm pastrimin e gjyqësorit dhe prokurorisë nga mitëmarrësit dhe ligjshkelësit e shumtë, që e kanë ngërthyer këtë sistem, pavarësinë e të cilit e kërkon demokracia. Tentativat janë të shumta, por rezultati nuk i shkon përkrah. Janë të paktë gjyqtarët dhe prokurorët që janë dënuar nga shkelja e ligjit që kanë bërë.

Kur flitet për korrupsion në drejtësi, flitet për sistemin e korruptuar dhe jo për individët. Kjo do të thotë, se lufta bëhet më shumë politike dhe mediatike se sa ligjore dhe demokratike. Nëse sistemi është kalbëzuar, kjo do të thotëtregon këtë sistem, ata që kanë krijuar rrënimin e imazhit dhe pandreqshmërinë e besimit.

Duke folur në përgjithësi, s’kemi bërë tjetër, vetëm se kemi “lëmuar qimen e ujkut”, e kur ujku lëmohet, instinktivisht shndërrohet në grabitqar. Në të njëjtin pozicion është edhe drejtësia jonë. Gjyqtarët e korruptuar kalojnë çdo kufij të marrëzisë së tyre për të zbatuar ligjin. Nëse korrupsioni në një rast të tillë është individual, problemi është publik. Së pari, këta njerëz të korruptuar janë pjellë e një shoqërie në krizë dhe së dyti, çështja i përket mënyrës së perceptimit dhe edukatës për të qenë zbatues të rregullave të vendosura. Në qytetin tonë të rrëmujshëm, njerëzit e ligjit nuk zbatojnë as ligjin minimal.

Këta njerëz, që shoqëria i ka ngarkuar për të gjykuar çështjet e tyre, nuk zbatojnë as semaforin. Nuk është problem shqetësues ky, por kjo tregon se sa të përgjegjshëm janë njerëzit e drejtësisë. Ata duhet të jenë shembulli, sepse kur të jesh shembull i mirë për një veprim, ke krijuar besimin tek të tjerët. Profetët këtë gjë kanë bërë, ndaj kanë mbetur në histori. Ne nuk po kërkojmë njerëz të tillë, sepse në qytetin tonë politik, morali dhe respekti kanë vdekur, ndërsa në tatëpjetë janë ngritur antivlerat, që janë bërë vlera, edhe pse të gjithë janë kundra tyre.

Kur flitet për korrupsion në drejtësi, më të paktë ata që flasin janë vetë gjyqtarët dhe prokurorët. Ligji ua detyron të heshtin, por kjo heshtje nuk do të mbetej gjatë, nëse sulmet pa baza janë të vazhdueshme. Heshtin sepse ndihen të “ngushtuar”, pasi akuzat ndaj tyre kanë shpesh herë baza të forta. Në një drejtim, pushtetbërësit kanë të drejtë kur akuzojnë njerëzit e drejtësisë si të korruptuar. Në këtë teatër politik, vetëm akuzat nuk mungojnë. Ato kalojnë çdo kufij.

Mbase kjo është arsyeja që gjithçkaje i ka humbur sensi. Akuzat e hedhura vend e pa vend, kanë krijuar njëtrajtshmëri midis të korruptuarit dhe jo të tillit. Edhe atëherë kur akuzat janë të vërteta, ato janë të pa vlera, pasi përdoren rëndomtë. Por, akuzat nuk bëhen vetëm atëherë kur ka vërtetë vend për të akuzuar. Akuzat bëhen edhe kur drejtësia ka marrë vendime të drejta (kur ka zbatuar dispozitat ligjore).

Rasti i fundit ishte dënimi i kreut të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano. Unë nuk jam në gjendje të them nëse Gjykata e Vlorës ndërmori një vendim të drejtë apo jo. Por jam i mendimit, se vendimi i marrë nga kjo gjykatë nuk duhet gjykuar. Nëse shoqëria shqiptare ka vendosur të krijojë sisteme demokratike, atëherë marrëveshja ka marrë fund. Ajo ka deleguar disa individë për të gjykuar çështjet e tyre. Ndaj them, se çdo vendim nuk duhet të gjykohet.

Kjo nuk do të thotë se gjyqtarët duhet të kenë liri pa kufi. Por, mendoj se vendi iu duhet lënë instancave të tjera përkatëse të krijuar për një kontroll të tillë. Edhe kësaj here, “mëkatin” e bëri vetë politika. Vendimi për Bollanon u gjykua ashpër, deri në fyerje ndaj gjyqtarit që dha pretencën për të akuzuarin. Nga Tirana politike me njerëz të politizuar deri në palcë, u hodhën shigjeta pa fund në drejtim të një gjyqtari në Vlorë, që e kishte emrin Shkëlzen.

Mllefi politik i hedhur ndaj tij, kaloi çdo kufij. Shkoi deri atje, sa e lidhën çështjen edhe me vetë emrin e gjyqtarit. Vangjel Dule nuk u përmbajt, duke akuzuar ashpër gjyqtarin në fjalë, e duke shkuar deri atje, sa e bëri edhe të inkriminuar. Në një vend demokratik, tashmë përveç Bollanos, në burg duhet të shkojë edhe Dule. Akuzat e tij, duhen hetuar. Por jo! Këtu nuk ndodh kështu. Këtu, gjithçka është e drejtë, vetëm atëherë kur shkon përshtat “qimes së ujkut”. Politika e akuzon drejtësinë, sa herë kur ajo ndërmerr një veprim që nuk i shkon për shtat asaj.

Sigurisht, Vasil Bollano është dashur të gjykohej më parë nga drejtësia, për rrëmujat e herëpashershme që ka shkaktuar në këtë vend. Ai mbi të gjitha, ka cenuar ndjenjat kombëtare. Standardet janë të shumëfishta. Është kjo politikë që kërkon pavarësinë e drejtësisë, dhe sërish kjo politikë sulmon drejtësinë sa herë kur ajo ndërmerr vendime të drejta. Me sa duket, ndryshe nga diktatura, demokracia kërkon ushtarë të bindur.

Gjyqtarët duhet të jenë ushtarë të bindur të atyre që kanë marrë flamurin për të drejtuar qytetarët. Nëse nuk ka bindje prej ushtari, sigurisht që arma e dytë është sulmi. Sulme të tilla kanë qenë të shumta vitet e fundit. E them vitet e fundit, pasi dhjetë vitet e para të demokracisë, drejtësia ishte njësh me qeverinë dhe korrupsionin e bënin së bashku. Këta dhjetë vitet e fundit, kur Evropa na e ka shtrënguar disi “lakun në fyt”, ka filluar ndarja e këtyre sistemeve. Por kjo nuk do të thotë se drejtësia është e lirë.

Ajo nuk mund të jetë e lirë, kur politika e sulmon vend e pa vend. Partia Socialiste ka nisur gjoja politikën e re. Megjithëse kjo politikë ka mbetur vetëm në imagjinatë. Megjithatë, ndryshe nga pjesa tjerët, konferencat e shtypit me temë drejtësinë i ka nisur me frazën: Respektojmë çdo vendim të gjykatës. Pas kësaj fjalie, sulmi nis vrullshëm. Ndërsa kampi tjetër, nuk e ka thënë ende këtë fjali. Po ç’rëndësi ka?! Sepse e gjitha është një lojë politike.

Shqipëria do të ketë një drejtësi të duhur, kur vetë sistemi i drejtësisë të “zhvishet” nga llumi i korrupsionit dhe njerëzit e inkriminuar në të, të përjashtohen nga vetë sistemi. Drejtësi të pavarur do të ketë, vetëm atëherë ku politika të mos akuzojë dhe të mos marrë rolin e gjykuesit për vendimet që merr drejtësia. Kjo që po bëhet tani me drejtësinë, është vetëm një lojë politike.