Sot (e enjte), 5 mars, do të mësohet edhe skuadra e fundit e gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës për edicionin 2025/26, pasi tri ekipe siguruan dje kualifikimin nga tri ndeshjet e para çerekfinale.

Çerekfinalja e fundit luhet sot (e enjte), më 5 mars, ku Llapi pret Malishevën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga ora 13:00.


Llapjanët konsiderohen favoritë në shtëpi, por Malisheva ka treguar se në Kupë mund të jetë kundërshtar shumë i rrezikshëm.


Dje (e mërkurë) janë zhvilluar tri nga katër ndeshjet çerekfinale, të cilat kanë përcaktuar edhe tre gjysmëfinalistët e parë të këtij edicioni.

Në Klinë, Dukagjini ka shënuar fitore bindëse ndaj Feronikeli ‘74 me rezultat 3-0, duke dominuar ndeshjen dhe duke siguruar pa shumë vështirësi kalimin në mesin e katër skuadrave më të mira të garës.

Fitore ka marrë edhe Ballkani, që në stadiumin e qytetit në Suharekë ka mposhtur Gjilanin me rezultat 2-1. Vendasit arritën të menaxhojnë epërsinë dhe të sigurojnë një vend në gjysmëfinale pas një përballjeje të luftuar.

Ndërkohë, në Ferizaj, ekipi me emrin e qytetit ka triumfuar ndaj Vushtrrisë me rezultat 2-0, duke vazhduar rrugëtimin në Kupë dhe duke u bërë skuadra e tretë që siguron gjysmëfinalen.

Pasi te mësohet gjysmëfinalisti i fundit, katër skuadrat e mbetura do të mësojnë kundërshtarët gjatë shortit të ditës së nesërme (e premte), ku vlen të theksohet se do të luhen ndeshjet me sistemin vajtje-ardhje. /Telegrafi/

telegrafi sport app