Liverpooli i jep përgjigje Tottenhamit për Andrew Robertsonin

Mbrojtësi Andrew Robertson pritet të mbetet te Liverpooli, pasi klubi nga “Anfield” i ka bërë të qartë Tottenham Hotspurit se largimi i tij nuk mund të merret në konsideratë për momentin.
Pavarësisht bisedimeve të zhvilluara javën e kaluar mes dy skuadrave të Liga Premier, Liverpooli ka vendosur të tërhiqet nga çdo marrëveshje e mundshme për kapitenin e Skocisë.
Tottenham ishte i gatshëm të paguante një paketë rreth 5 milionë funte për Robertsonin, kontrata e të cilit skadon në verë, me trajnerin Thomas Frank që kërkonte më shumë lidership dhe përvojë në skuadrën e tij.
Liverpooli ka pasur parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të Robertsonit gjatë tetë viteve e gjysmë te klubi, që nga transferimi i tij nga Hull City në verën e vitit 2017 për vetëm 8.5 milionë funte, si dhe faktin që e ardhmja e tij pas përfundimit të sezonit mbetet ende e paqartë. Megjithatë, pas shqyrtimit të ofertës dhe alternativave të tjera në atë pozitë, drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos ecin përpara me marrëveshjen.

Robertson, i cili mbush 32 vjeç në mars, u aktivizua si zëvendësim në fillim të pjesës së dytë për mbrojtësin e majtë titullar Milos Kerkez në humbjen 3-2 ndaj Bournemouthit në fundjavë, rezultat që bëri që Liverpooli të dalë nga katërshja e parë e Liga Premier pas ndeshjeve të së dielës.
Skocezi nuk ka ushtruar presion për një transferim në Londër dhe do të vazhdojë të ketë rol në pjesën e mbetur të sezonit, teksa Liverpooli synon përmirësim të rezultateve në kampionat. “Të kuqtë” vazhdojnë garën në Ligën e Kampionëve dhe në FA Cup.
Trajneri Arne Slot e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të mbajtur të gjithë lojtarët, edhe pas humbjes së vonshme ndaj Bournemouthit, që ishte disfata e shtatë e sezonit.
“Dua t’i mbaj të gjithë lojtarët e mi”, kishte deklaruar Slot.
Liverpooli kishte shqyrtuar mundësinë e rikthimit të Kostas Tsimikas nga huazimi te Roma, por klubi italian nuk ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij./Telegrafi





















































