Lituania zbulon se kush qëndron prapa balonave misterioze

Të dyshuarit për kontrabandë cigaresh dyshohet se ishin personat që qëndronin pas balonave misterioze bjelloruse, të cilat së fundmi shqetësuan Lituaninë dhe e detyruan atë të mbyllë kufirin dhe të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Autoritetet lituaneze njoftuan të martën se kanë arrestuar 21 persona, të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, me pretendimin se përdornin balona të pajisura me GPS për të kontrabanduar cigare nga Bjellorusia, shkruan Politico.
Prokuroria shtetërore në një njoftim theksoi se rrjeti i dyshuar karakterizohej nga një konspiracion shumë i rreptë dhe ndarje e roleve, dhe se organizatorët mund të kishin pasur kontakte direkte me bashkëpunëtorë që vepronin në Bjellorusi, nga ku, nën kushte të favorshme të motit, ishin nisur balonat me cigare kontrabandë.
Autoritetet lituaneze thanë se ndjekja me GPS mundësoi mbikëqyrjen e balonave dhe që koordinatat e sakta të uljes së tyre në Lituani iu dërguan ekzekutuesve.
Shteti shpalli javën e kaluar gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin për shkak të balonave, pasi që në tetor kishte mbyllur kufirin me Bjellorusinë.
Ministri lituanez i punëve të Jashtme, Kestutis Budrys, tha atëherë për Politico se balonat, të mëdha sa një veturë, që hynin në hapësirën ajrore të Lituanisë duke transportuar cigare kontrabandë, përbënin “aktivitet hibrid”, edhe pse nuk paraqisnin një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu dënoi përshkallëzimin e balonave nga Bjellorusia, duke thënë më 1 dhjetor se “një sulm i tillë hibrid i regjimit të Lukashenkos është plotësisht i papranueshëm”.
Sipas të dhënave të Ministrisë lituaneze të Punëve të Brendshme, të paktën 600 balona dhe 200 dronë kanë hyrë deri tani gjatë vitit 2025 në hapësirën ajrore të Lituanisë, duke ndërprerë më shumë se 300 fluturime, duke ndikuar në 47 mijë pasagjerë dhe duke shkaktuar afërsisht 60 orë mbyllje të aeroporteve.
Arrestimet e të dyshuarve për kontrabandë cigare vijnë në një moment kur vendet në vijën e parë të krahut lindor të BE-së, përballë Rusisë, po kërkojnë nga Brukseli të përshpejtojë iniciativat e ardhshme për forcimin e mbrojtjes së kufijve, duke u përballur me kundërshtim nga disa kryeqytete evropiane. /Telegrafi/











































