“Liria ka Emër” e shqetësuar me procesin gjyqësor në Hagë, kërkon rishqyrtim të praktikave të punës së Gjykatës Speciale

Platforma “Liria ka Emër” ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë.
Në konferencë për media u tha se po shkelen të drejtat e njeriut, duke theksuar se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është larg nga standardet evropiane. Veç tjerash, u bë thirrje që të rishqyrtohen praktikat e punës së Gjykatës Speciale.
Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër” tha se këto shkelje duhet të evidentohen, në këtë kohë kur procesi po shkon drejt fundit.
“Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut, Gjykatës së Hagës, që janë bërë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerëve. Siç dihet, Kosova e ka mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale pa rezervë me besimin e saj që do të përcillen në veprim nga standardet evropiane. Megjithatë, procesi që është zhvilluar ndaj krerëve të UÇK-së për më shumë se 4 vjet ka qenë larg standardeve evropiane. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë shumë alarmante gjatë këtij procesi”, deklaroi ai.
Në konferencë për media, Tasholli iu ka bërë thirrje shteteve financuese të gjykatës, siç tha ai që të garantohet që puna e gjykatës të zhvillohet në përputhje me parimet themelore të drejtësisë dhe standardeve ndërkombëtare.
“Gjitha këto shkelje, nga mohimi i të drejtave themelore dhe procedurale dhe vonesat e pajustifikueshme në proces tregon që procesi ndaj ish krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të pa anshëm. Kërkojmë me vendosmëri që të rishqyrtohen praktikat e kësaj gjykate, të sigurohet respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të garantohet që procesi gjyqësor të zhvillohet mbi bazë të drejtësisë dhe jo mbi bazën e paragjykimeve”, shtoi Tasholli.
Përparim Gruda, i cili është jurist tha se është shqetësuese se si po shkelet Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Speciale.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë për më shumë se 4 vite në paraburgim. Nuk janë në burg, janë në paraburgim, prezumohen të pafajshëm ligjërisht. Kjo është e argumentuar juridikisht që është shkelje e standardeve për të drejtat e njeriut, shkelje e Kushtetutës së Kosovës, shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e zbatueshme sipas nenit 22 të Kushtetutës në Kosovë dhe është e obligueshme për Gjykatën Speciale, është shkelje e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e detyrueshme për Gjykatën Speciale, sipas nenit 53 të Kushtetutës” u shpreh ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha se duhet të ndërpritet procesi i marrjes së provave përmes Serbisë.
“Ka raste kur dëshmitarët e paraqitur nga Prokuroria janë rimarrë në pyetje në një kohë më të gjatë nga trupi gjykues se sa nga ekipet mbrojtëse, çka besoj unë është zvarritje e tepruar dhe është shkelje e një parimi i barabarësisë së armëve që e quajmë në drejtësi dhe e shansës që mbrojtja të ketë kohën e njëjtë me trupin gjyqësor dhe me organin e akuzës, në këtë rast Dhomën e Specializuar të Prokurorisë. Shkelja e tretë në këtë gjykatë është marrja e provave përmes Serbisë. Dihet tashmë që Serbia është një vend armiqësor ndaj Kosovës dhe UÇK-së dhe fakti që prokuroria ka akses për të marrë prova atje dhe siç e dini mbrojtja e të akuzuarve nuk ka akses, sepse nuk ka kuptim që të presim që Hashim Thaçi dhe të tjerët, përkatësisht mbrojtja e tyre të marrë prova, i vë në një pozicion të pa barabartë prokurorinë me mbrojtje”, deklaroi ai.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më tre prill (3 prill 2023) - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./kp/


















































