0Shares

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, ka deklaruar se Prishtina duhet të ndryshojë qeverisjen, pasi gjatë mandatit të fundit, Komuna është bërë shtab i Vetëvendosjes, ku niseshin aksionet për shkatërrimin e qytetit.

Çelaj thekson se ka vendosur t’i hyjë garës për kreun e kryeqytetit, për ta ndryshuar mënyrën e qeverisjes së Prishtinës.

Në një intervistë për KosovaPress, pretendenti për postin e kreut të kryeqytetit, akuzon qeverisjen aktuale, por edhe ato të mëhershme, për mos zhvillimin e qytetit, mos investime dhe ndarje të qytetarëve në baza partiake.

Sipas Çelajt, kryetari aktual Shpend Ahmeti gjatë katër vite udhëheqje më shumë është marrë me çështje globale e në shërbim të partisë së tij, se sa në shërbim të qytetarëve. Ai thotë se Prishtinës i duhet një kryetar që u shërben qytetarëve, pa marrë parasysh nga cila parti vjen, kush e ka propozuar apo kush e ka votuar.

“Qëllimi im kryesor, që kam vendosur ta pranoj këtë sfidë, është sepse dua ta ndryshoj mënyrën e qeverisjes së Prishtinës. Mënyra se si është konceptuar Prishtina sot vetëm të harrnohet, të kryhen shërbime elementare, mendoj që ka kaluar ajo kohë. Prishtina që të transformohet komplet dhe është e mundshme. Shumë njerëz i kanë humbur shpresat që Prishtina mund të ndryshojë dhe qëllimi im është ta ndryshoj Prishtinën. Arsyeja e dytë është se si qytetar i Prishtinës jam ndjerë i diskriminuar pasi kryetarët që kanë qenë deri më tani janë sjellë si kryetar të subjekteve politike dhe jo si kryetar të qyteteve, sidomos kryetari i fundit që është sjellë sikur kryetar i subjektit politik dhe i ka ndarë qytetarët në ata që janë me Vetëvendosjen dhe ata që nuk janë me Vetëvendosjen”, tha Çelaj.

Qenia për një mandat asamblist në kuvendin komunal të Prishtinës, Çelaj thotë se i ka ndihmuar shumë për të kuptuar mënyrën e qeverisjes dhe specifikat e komunës, prandaj ka përparësi në garën për kreun e Prishtinës, pasi njihet me problemet e qytetarëve.

Sipas tij, Shpend Ahmeti më shumë u morë me kryeministra të vendeve të rajonit, çështje globale, e çështje të partisë prej nga vjen, se sa me problemet dhe hallet e qytetarëve. Madje thotë se komuna u bë strehë prej nga niseshin aksionet për shkatërrimin e qytetit.

“Qytetari mendoj se është zhgënjyer dhe është tradhtuar vota e qytetarit. Ju e dini sa ka pasur diferencë të votave karshi subjektit të tij politik duke dërguar mesazh se ata kanë besuar në të, duke e parë si jo shumë të përfshirë në subjektin e tij politik. Ndërsa, ju e dini që në raundin e dytë, PDK ka qenë një prej përkrahësve me të mëdhenj që ka ndikuar që të fitoj Shpend Ahmeti dhe ai kur e ka marrë pushtetin i ka tradhtuar ata dhe është sjellë si kryetar i Vetëvendosjes. Ky është themeli i dështimeve, mandej ai duke u vënë në shërbim edhe të ambicieve të tij personale karshi nivelit qendror por edhe ambicieve karshi subjektit të tij politik dhe mund të themi që komuna e Prishtinës që shndërruar në një shtab të VV-së, pra aty niseshin aksionet e dhunshme në qytet, nga aty nisej shkatërrimi i qytetarit, që është një rast për mendimin tim rast absurd që kryetari i qytetit t’iu prijë protestave për shkatërrim të qytetit”, theksoi ai.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës thotë se parimi i programit të tij qeverisës do të jetë ndryshimi i kryeqytetit dhe dhënia e identitetit, meqë aktualisht Prishtina nuk ka asgjë me të cilën identifikohet.

Çelaj thotë se në programin e tij qeverisës, prioritet do të ketë edhe trafiku, ku do të ketë rrugë njëdrejtimëshe. Po ashtu, edhe ndërtimi i parkingjeve do të jetë në fokus. Prioritet, Çelaj thekson se do të jetë edhe zhvillimi ekonomik, derisa Gollakun e sheh si potencial për këtë, pasi ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë. Derisa, ndërtimi sipas tij, do të stimulohet porse gjithë kjo do të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe në bazë të rregullave.

Çelaj ka folur edhe për qeverisjen e Shpend Ahmetit dhe dështimet e tij gjatë këtij mandati. Ai përmend projektet e premtuara nga Ahmeti dhe mos realizimi i tyre gjatë këtij mandati. Prandaj, ai e quan qeveri të lodhtë, qeverisjen e Shpend Ahmetit, i cili të vetmin kriter ka pasur rehatimin e militantëve partiak, jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga qytetet tjera për ta mbajtur gjallë partinë.

“Me lejoni të theksoj një prej fushave që mendoj që kam vërejtur që qytetarët me së shumti i brengos është mobiliteti, lëvizja e qytetarëve nëpër qytet. Është folur shumë dhe është bërë zhurmë shumë për autobus që është një farsë e llojit të vet që ka shumë pikëpyetje, shumë gjëra prapa saj dhe ne sot ende përballemi me trafik të stërngarkuar, nuk ka shtigje për biçiklistë. Trafiku urban përkundër që kanë ardhur autobusët nuk funksionon sepse nuk ka shirit të ndarë, nuk ka stacione të shënjuara, nuk ka një hartë, nuk ka një biletë të integruar, nuk ka dizajnim të linjave të reja, sepse Prishtina është rritur dhe është dashur të rishikohet i gjithë itinerari i linjave. Mos ndërtimi i parkingjeve që është çështje me rëndësi, ose i unazave të qytetit të cilat do ta shkarkonin trafikun në qytet. Të gjitha këto kanë ndikuar në një kaos në qytet dhe një nervozizëm tek qytetari”, u shpreh ai.

Madje, sipas Çelajt, modeli i qeverisjes së Shpend Ahmetit, shihet në platonë mbi Kurriz në lagjen Dardania, ku ka nisur të rinovohet para 27 muajve, derisa afati ka qenë që të kryhet për 6 muaj.

Në këtë intervistë, Çelaj ka folur edhe për akuzat për keqpërdorime në komunën e Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit dhe kallëzimet penale që kanë filluar t’i bëjnë ndaj atyre keqpërdorimeve, për të cilat thotë se kanë fakte dhe se presin rezultate nga prokuroria.

“Ne kemi menduar që denoncimi publik do të nxisë prokurorinë të merret me to sepse edhe ekziston kjo rregull që kur bënë deklarata publike duhet të trajtohen nga prokuroria, të merren faktet. Absolutisht besoj në ato fakte, gjithçka është e argumentuar, prandaj deri sot nuk kemi pasur asnjë demantim nga ky subjekt sepse nuk kanë pasur çka demantojnë, sepse ne gjithçka çka kemi thënë e kemi bazuar në fakte, dhe po të mos frikësohej prokuroria deri tash do duhej të kishte ngrije të aktakuzave penale. Përveç unë së paku një rast e di që është intervistuar Shpend Ahmeti për lagjen kodrinat, unë nuk di rast tjetër që prokuroria ka ndërhyrë, dhe ne kemi akuzuar vazhdimisht organet e drejtësisë se po kanë frikë nga Vetëvendosje sepse ata po bëjnë linçime publike dhe ata po frikësohen”, tha ai.

Kur kanë mbetur edhe tri javë deri në fillimin zyrtar të fushatës, Çelaj dëshiron që të zhvillohet një debat konstruktiv dhe të merren me temat dhe çështjet që i prekin drejtpërdrejtë qytetarët dhe jetën e tyre, e jo me akuza që nuk u shkojnë në favor prishtinasve./Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)