Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kanë vizituar sot fabrikën për prodhimin e tekstilit “TexCo”, ku janë njohur për së afërmi në lidhje me punën që bëhet aty. Këta dy të fundit janë zotuar se Qeveria do t’i mbështes prodhuesit, në mënyrë që të hapen vende të reja të punës.

Limaj është ndarë i kënaqur me punën që zhvillohet në këtë fabrikë, por edhe për faktin se 95 për qind e punëtorëve në këtë fabrikë janë gra.

“Është kënaqësi me marrë pjesë edhe me pa prodhimin në Kosovë, nga fillimi deri në fund. Nga ajo që u njoftova edhe nga pronari edhe investitori është që ne kemi shumë njerëz punëtor, të cilët shpejt mësojnë zanate”, tha ai.
Kjo sipas Limajt tregon që me një angazhim të përbashkët, me krijime të klimës për investime, mundësitë për zhvillim janë të mëdha në Kosovë.
Ai u zotua se Qeveria e Kosovës do të mbështet për të punësuar sa më shumë punëtorë.

Zotime të tilla ka pasur edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

“Kjo kompani e cila prodhon produkte të tekstilit, komplet produktin e saj e eksporton në shtetet e Bashkimit Evropian, saktësisht në Itali, produkte të cilat dalin me etiketë të Republikës së Kosovës, e produkti që prodhohet për brendet më të njohura ndërkombëtare në botë”, tha Shala.

Pronari i kompanisë së tekstilit “TexCo Sh.P.K Yusuf Eldeleklioglu, tha se janë të kënaqur me kapacitetin e prodhimit, megjithatë ai ka theksuar se në fillim kanë pasur vështirësi. /Telegrafi/