LAJMI I FUNDIT:

Lija e dhenve, sëmundja më e raportuar në muajin shkurt në Maqedoni

Lija e dhenve, sëmundja më e raportuar në muajin shkurt në Maqedoni

Lija e deleve dominon sëmundjet infektive të raportuara në muajin shkurt, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik. Me 661 raste, kjo sëmundje është në vendin e parë, e ndjekur nga enterokoliti me 207 raste dhe kolla e keqe me 120 raste. Pavarësisht këtyre të dhënave, krahasuar me muajin janar vërehet ulje e lisë së dhenve me 26.8 për qind.

“Sa i përket statusit të vaksinimit të atyre me kollë të keqe, 60 persona janë të pavaksinuar ose të pavaksinuar plotësisht. Nga të gjitha rastet e raportuara janë hospitalizuar 23 persona, me qëndrim mesatar në spital prej 9 ditësh. Në 119 raste, sëmundja është konfirmuar laboratorikisht dhe një rast është regjistruar si i mundshëm, i lidhur epidemiologjikisht me raste të konfirmuara”, thuhet në raport.


Më 2 shkurt në territorin e Shkupit u shpall epidemi e kollës së keqe dhe më vonë Komisioni për Sëmundje Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë ndaluan fëmijët të cilët nuk janë vaksinuar plotësisht të pranohen në kopshte. Nga e hëna, ata që nuk kanë bërë rivaksinim janë rikthyer në kopsht, por kanë 6 muaj kohë për t’u vaksinuar.

Ndryshe, pothuajse 50 për qind e fëmijëve në çerdhet në Shkup janë të pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar kundër pertusisit, ndërsa në brendësi mbi 95 për qind të fëmijëve janë të vaksinuar, njoftoi më herët (12 mars) drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor Renata Mlladenovska.

Në muajin shkurt, u raportuan katër raste të konfirmuara të HIV-it dhe një me SIDA, nga meshkuj të moshës 20 deri në 39 vjeç. Është raportuar gjithashtu një vdekje nga SIDA, e raportuar në vitin 2018, gjinia mashkullore, që i përket grupmoshës 35 deri në 39 vjeç. Gjatë muajit shkurt janë raportuar gjithsej 49 raste me Covid-19, njoftuan nga ISHP./Telegrafi/