LAJMI I FUNDIT:

Ligji për mëshimdhënësit e viteve 90-ta përplas SBASHK-un me ministrin Hamza

Ligji për mëshimdhënësit e viteve 90-ta përplas SBASHK-un me ministrin Hamza

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) përmes një njoftimi ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Bedri Hamza, i cili u shpreh kundër përfitimeve të punëtorëve të arsimit në vitet e 1990-ta, me arsyetimin se është ngarkim për buxhetin.

Kjo sindikatë pohon se e kanë ditur që Hamza do të dalë kundër ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip për vitet e 1990-ta, mirëpo sipas tyre, jo për arsyet që po i thotë tani.


“SBASHK-u e ka dituar se ministri Hamza do të dalë kundër Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta, jo për ato që po i thotë tani kudo që po i krijohet mundësia, por më shumë për arsye se SBASHK-u nuk pranoi kërkesën e tij që të ndërpritej greva njëditore e 12 marsit dhe veprimet tjera sindikale”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

SBASHK-u shprehen të habitur me paraqitjen e dy udhëheqësve sindikalë.

“Blerim Syla në emër të Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe Ndue Kalaj në emër të Sindikatës së Administratës Publike kanë shkuar edhe më larg kundër këtij Projektligji dhe u kanë dërguar shkresa Qeverisë dhe Deputetëve me kërcënimin se do të ngritin padi ndaj tyre në gjykata po u bë ky Projektligj për pishtarët të dijes. SBASHK-u është i sigurt se anëtarët e këtyre dy federatave nuk mendojnë si Syla e Kalaj sepse ata çmojnë lartë kontributin e mësimdhënësve shqiptarë në vitet e 90-ta kur të përballur me furtunat dhe dhunën e pushtuesit nuk e ndalën mësimin për as edhe një ditë dhe se edhe kur dëboheshin dhunshëm nga objektet shkollore i kthenin shtëpitë në shkolla dhe punonin e lëshonin dokumentacionin me vulën dhe emërtimin Republika e Kosovës. Ata që e përjetuan atë kohë të okupimit të rëndë e dinë se kush e sa u angazhua dhe fakt et dhe vetë historia flet se ishte arsimi ai që, jo vetëm i tha jo Serbisë, por edhe vazhdoi me përkushtimin dhe me punën duke mbajtur gjallë shkëndijat e dijes dhe ëndrrën për shtetësinë e Kosovës. Kjo qëndresë e punëtorëve të arsimit ka mbetur e gjallë në kujtesën e popullit dhe prandaj individët nuk mund ta mohojnë sakrificën sublime të punëtorëve të arsimit në ato vite. Kolegët Syla e Kalaj i kujtojmë se sindikatat virtyt e kanë solidaritetin dhe i gëzohen arritjeve të cilës do sindikatë”, vijon komunikata.

Sipas SBASHK-ut, Syla e Kalaj për të fituar simpatinë e ministrit Hamza janë bërë pjesë e zyrës së tij për informim dhe i janë bashkuar kundërshtimeve të tij pa as edhe një argument kundër Projektligjit për vitet e 1990-ta. /Telegrafi/