LAJMI I FUNDIT:

Ligjet në kontejnerë!

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po bëjnë sikur po punojnë, derisa akumulimi i pakënaqësisë së qytetarëve ndaj strukturave paralele serbe është duke u rritur.

Dy strukturat e para janë legale, ndërsa e treta ilegale, por e paprekshme.
EULEX-i vepron legalisht, por nuk i pengojnë strukturat paralele serbe derisa nuk ka kurrfarë presion nga Qeveria për t’i shuar ato. Meqenëse e ka emrin mision (për sundimin e ligjit), EULEX-i tash, gjatë verës, e ka ndërmend t’i përgatisë për sezonin e dimrit objektet në Portën 1 dhe 31, të cilat i dogjën vitin e kaluar dhjetëra banditë serbë, më shumë për të zhvilluar kontrabandë, sesa për ta shprehur mllefin kundër shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.


Dhe kontrabanda, nga e cila disa drejtues të strukturave paralele serbe janë bërë milionerë, me siguri se do të vazhdojë edhe disa muaj, sepse rregullimi i objekteve në dy pikat kufitare në veri bëhet me qëllim të përmirësimit të kushteve për personelin e EULEX-it.

Për këtë qëllim, në këto porta ku edhe do të kryhet puna, do të sillen kontejnerë dhe pajisje të tjera me konvoj makinash dhe për të mos pasur “frikë” askush, EULEX-i siguron se këto punime nuk ndërlidhen me ndonjë aktivitet të shtuar të doganës a të policisë.

Qeveria e Kosovës, si qeveri që është, bën sikur përditë e më shumë po i forcon institucionet e veta në tërë territorin dhe se kështu do të arrijë të shuajë strukturat paralele serbe. Madje, ashtu sikurse edhe EULEX-i, tregohet shumë e kujdesshme duke theksuar se nuk e ka në agjendë përdorimin e veprimeve të dhunshme ndaj strukturave paralele serbe, as atëherë kur nëpërkëmben ligjet dhe Kushtetuta.

Strukturat paralele serbe nuk kanë probleme me dy strukturat legale të lartpërmendura, por bëjnë sikur punojnë për përmirësimin e kushteve të komunitetit, të cilin e përfaqësojnë, duke kundërshtuar sundimin e ligjit, sidomos atje ku qarkullojnë milionat, në dogana.

Populli i Kosovës, shqiptarë e serbë, e ka kuptuar se 17 shkurti i vitit 2008 nuk zhbëhet dhe se tash gjithçka që i intereson është përmirësimi i kushteve të jetës së tij. Kështu që përpara se populli të kërkojë të drejtën për të jetuar më mirë, EULEX-i dhe Qeveria është mirë të mos shtiren sikur po punojnë, por të reformojnë vetveten, të sigurojnë kufijtë e Kosovës, të shuajnë strukturat paralele serbe, e pastaj të nisin reformat e shumëpërfolura të pushtetit lokal – decentralizimit, i cili nuk mund të ketë sukses si proces, përderisa shtetit vazhdon t’i kërcënohet sovraniteti dhe tërësia territoriale.