Drita po kalon sezonin e saj të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, pasi gjilanasit nuk kishin arritur asnjëherë më parë deri këtu.

Pas katër dueleve të zhvilluara deri më tani, Drita ka treguar se është një arrë e fortë për të gjitha skuadrat me të cilat është përballur.


Skuadra e Zekirija Ramadanit ka arkëtuar tetë pikë, duke marrë dy barazime në dy ndeshjet e para dhe më pas dy fitore radhazi. Drita e nisi kampanjën me barazime 1-1 ndaj KuPS në udhëtim dhe Omonias në shtëpi.

Pas dy barazimeve, gjilanasit morën dy fitore me rezultat identik 1-0, duke triumfuar në Irlandë ndaj Shelbourne dhe mposhtur Shkëndijën në Prishtinë, për t’u renditur në pozitën e tetë.

Deri më tani, vetëm gjashtë skuadra janë të pamposhtura në Ligën e Konferencës, dhe Drita është përkrah emrave si Samsunspor dhe Racing Strasbourg, të cilët kanë bilanc me tre fitore dhe një barazim.

Dy skuadrat polake Rakow dhe Jagiellonia, si dhe qipriotët e AEK Larnaca, kanë bilanc të njëjtë si Drita me nga dy fitore e dy barazime.

Ndeshjen e ardhshme, Drita do ta zhvillojë në shtëpi ndaj AZ Alkmaar më 11 dhjetor, ndërsa duelin e fundit të fazës së grupeve e luan në Madrid ndaj Rayo Vallecano më 18 dhjetor. /Telegrafi/



telegrafi sport app