LAJMI I FUNDIT:

Lideri i studentëve iranianë thotë se është penduar për sulmin ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara më 1979

Lideri i studentëve iranianë thotë se është penduar për sulmin ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara më 1979

Kalimi i viteve ia ka shuar entuziazmin revolucionar, derisa ia zbardhi edhe flokët e errëta. Njëri prej liderëve të studentëve iranianë që e udhëhoqi sulmin ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara, thotë se është penduar për “pushtimin” e kompleksit diplomatik dhe krizën 444 ditore me pengje.

Duke folur për Associated Press, përpara 40-vjetorit të “sulmit të së hënës”, Ebrahim Asgharzadeh pranoi se pasojat e krizës janë ende të dukshme, pasi tensionet mbesin të larta midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, transmeton Telegrafi.


Asgharzadeh i paralajmëroi të tjerët të mos ndjekin gjurmët e tij, megjithëse pranoi se me veprat që kreu është bërë pjesë e mitologjisë.

Dhjetëra pengje u mbajtën për 444 ditë: Historia “hap pas hapi” e krizës që ndërpreu lidhjet midis SHBA-së dhe Iranit, 40 vjet më parë
Lexo po ashtu Dhjetëra pengje u mbajtën për 444 ditë: Historia “hap pas hapi” e krizës që ndërpreu lidhjet midis SHBA-së dhe Iranit, 40 vjet më parë

Ai gjithashtu kundërshton historinë revizioniste, që tani ofrohet nga përkrahësit e Gardës Revolucionare të Iranit, se ata e drejtuan sulmin, duke këmbëngulur se e gjithë faji mbetet te studentët islamikë që e lëshuan krizën të dilte jashtë kontrollit.

“Ashtu si Jezu Krishti, unë i mbaj mbi supet e mia të gjitha mëkatet”, tha Asgharzadeh.

Në atë kohë, për amerikanët ishte e panjohur se çfarë ndikoi në sulmin ndaj ambasadës, ndërsa me muaj vetëm mund të shikonin të tmerruar në televizion protestat para ambasadës.

Zemërimi popullor kundër Shteteve të Bashkuara, ishte rrënjosur me grushtin e shtetit të iniciuar nga CIA në vitin 1953, që e rrëzoi kryeministrin e zgjedhur të Iranit dhe çimentoi fuqinë e Shah Mohammad Reza Pahlavi.

Shahu i sëmurë, u largua nga Irani në shkurt të vitit 1979, duke i hapur rrugën Revolucionit Islamik. Për muaj të tërë, Irani u përball me trazira të gjera, duke filluar nga sulmet separatiste, revoltat e punëtorëve dhe luftërat e brendshme të pushtetit.

Në këtë boshllëk qeverisës, Presidenti i atëhershëm Jimmy Carter i lejoi shehut të kërkonte trajtim mjekësor në New York.

Kjo bëri që të nxiten protestat dhe më katër nëntor të vitit 1979, të fillojë edhe “pushtimi” ambasadave, megjithëse në fillim nuk dihej se cila ambasadë të sulmohej më parë, duke sugjeruar që të sulmohej ajo sovjetike.

“Shoqëria ishte e gatshme që kjo të ndodhte. Gjithçka ndodhi aq shpejt”, tha Asgharzadeh. “Ne kemi prerë zinxhirët në portën e ambasadës. Disa nga ne, u ngjitën në mure dhe e “pushtuam” shumë shpejt kompleksin e ambasadës. ”

Sikur ish-studentët tjerë edhe ai kishte menduar, se ambasada do të “pushtohej” përkohësisht dhe të ndalohej puna në të, mirëpo situata doli jashtë kontrollit.

Ayatollah Ruhollah Khomeini, kleriku shiit i mërguar gjatë, kthimi i të cilit në Iran nxiti revolucionin, i dha mbështetje të madhe “pushtimit” të ambasadës.

“Ne, studentët, marrim përgjegjësinë për 48 orët e para të “pushtimit” të ambasadës”, ka thënë Asgharzadeh. “Më vonë, situata nuk ishte në duar tona, pasi Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ruhollah Khomeini dhe institucioni që e udhëhiqte e mbështesnin bllokadën.”

Sipas tij, plani për sulme ishte jo profesionist dhe i përkohshëm, ndërsa pendohet që kjo ndryshoi përgjithmonë gjendjen në Iran. /Telegrafi/