Udhëheqësi i Demokratëve mbajti fjalimin më të gjatë në historinë e Kongresit: Ai foli për tetë orë e 44 minuta

(E plotësuar) - Udhëheqësi Demokrat, Hakeem Jeffries vendosi një rekord për fjalimin më të gjatë në historinë moderne të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, duke folur gjatë në shenjë proteste kundër projektligjit gjithëpërfshirës të politikës së brendshme të presidentit amerikan, Donald Trump.
Kryetari i atëhershëm i pakicës në Dhomë, Kevin McCarthy, e kishte vendosur më parë rekordin në vitin 2021.
Duke filluar fjalimet maratonë në orën 4:53 të mëngjesit sipas orës ET, demokrati i New YJorkut foli për orë të tëra nga dy regjistrues të veçantë, duke ndarë historitë e amerikanëve që do të preken nga shkurtimet historike të Medicaid dhe dispozita të tjera në mega-projektligjin e Partisë Republikane.
Jeffries foli ngadalë, duke bërë pauza të gjata midis fjalëve dhe frazave.
Pasi foli për tetë orë e 44 minuta, Jeffries përfundoi prezantimin e tij. Duke përmendur trashëgiminë e aktivistit të ndjerë të të drejtave civile dhe kongresistit të Georgias, John Lewis, Jeffries u zotua se Demokratët do të "vazhdonin presionin".
"Pavarësisht rezultatit, në këtë ditë unike, ne do të vazhdojmë të bëjmë presion. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion derisa të arrijmë fitoren", tha ai.
Lideri i demokratëve po e shfrytëzon "minutën magjike", ka 6 orë që po mban fjalim në Kongresin amerikan
Lideri i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, po mban një fjalim të gjatë pa ndërprerje prej më shumë se 6 orësh, duke përdorur një opsion të njohur si “minuta magjike”.
Normalisht, përfaqësuesit në Dhomë kanë një kufizim të rreptë kohor për fjalimet e tyre, por “minuta magjike” u jep liderëve partiakë mundësinë të flasin pa kufizim kohe.
Gjatë gjithë kohës, Jeffries u ka thënë kolegëve të tij se synon të “marrë tërë kohën që i nevojitet” në foltore për të shprehur pikëpamjet e tij, raporton bbc.
Rekordi për kohëzgjatjen më të madhe të përdorimit të “minutës magjike” mbahet nga ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili në vitin 2021 foli për 8 orë e 32 minuta.
Ndërkaq, kryetari aktual i Dhomës së Përfaqësuesve nga Partia Republikane, Mike Johnson, ka deklaruar se projektligji për taksat dhe shpenzimet i presidentit Donald Trump do të përfundohet sot gjatë ditës.
Johnson në rrjetin social X shkroi se “ka ardhur koha! Presidenti Trump është duke pritur me stilolapsin e tij”.
Ai shtoi se “sot do ta dërgojmë projektligjin ‘të madh dhe të bukur’ në tavolinën e presidentit – dhe populli amerikan më në fund do të marrë lehtësimin që kërkon dhe meriton”.
Para mediave, Johnson tha gjithashtu se republikanët janë “të entuziazmuar për ta avancuar këtë projektligj”, ndërsa Trumpi ka kërkuar që ligji të miratohet deri më 4 korrik, në përvjetorin e 249-të të pavarësisë së SHBA-së. /Telegrafi/

















































