LAJMI I FUNDIT:

Liderët e opozitës shprehin ngushëllime për vdekjen e Haqif Mulliqit

Liderët e opozitës shprehin ngushëllime për vdekjen e Haqif Mulliqit

Liderët e opozitës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Mulliqi do të mbetet i paharruar në kujtesën dhe përpjekjen e popullit për liri.


“Reporteri ynë i luftës, zëri i të vërtetës historike, i cili na informoi nga vijat e fronteve të luftës çlirimtare që nga ditët e hershme të UÇK-së, do të mbetet i paharruar në kujtesën dhe përpjekjen e popullit tonë për liri”, ka shkruar ai në Facebook.

AGK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit, Haqif Mulliqi
Lexo po ashtu AGK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit, Haqif Mulliqi

Më tej, Krasniqi është shprehur se vdekja e Mulliqit i ka lënduar të gjithë ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë me të.

“Një ikje e pa paralajmëruar si kjo, e hershme gjithsesi, na ka pikëlluar e lënduar shumë të gjithëve që kemi pasur fatin që, në njërën apo tjetrën mënyrë, të bashkëpunojmë me profesorin Haqif”.

I pari i PDK-së ka thënë se ka pasur fatin e madh që, gjatë punës si Ministër i Kulturës, profesorin Mulliqi ta ketë këshilltar e bashkëpunëtor shumë të afërt.

“Bashkë kemi punuar shumë, gjatë, pa orar, me vullnet e përkushtim për pak më shumë punë të mira për komunitetin artistik të vendit tonë. Ishte gjithmonë frymëzuese dija, energjia dhe elani i tij për punë. Qenka me të vërtetë e vështirë që t’u thuhet lamtumirë disa njerëzve, të cilët, me prezencën dhe personalitetin e tyre, kanë lënë kaq shumë kujtime pozitive”.

“Ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit artistik e akademik, dhe të gjithë atyre që e njohën profesorin Haqif. Faleminderit për miqësinë e shembullin që na le mbrapa, mik i dashur. Lamtumirë!”, ka përfunduar Krasniqi.

Ngushëllime për vdekjen e Mulliqit ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“I trishtë lajmi për vdekjen e profesorit, gazetarit e dramaturgut, Haqif Mulliqi. Shpreh ngushëllimet e mia familjes Mulliqi, kolegëve të profesionit dhe gjithë atyre që e njohën në secilën etapë të jetës së tij! U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haqif Mulliqi ka vdekur këtë të martë në moshën 63-vjeçare.

Ai ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë si dhe në Fakultetin e Arteve.

Ai la pas vetes një krijimtari të gjerë në gazetari, publicistikë e dramaturgji. Gjithashtu, kontribut të jashtëzakonshëm, Mulliqi ka dhënë gjatë viteve 1998-99, në raportimin gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/