LAJMI I FUNDIT:

Liderë, mendoni mirë për të ardhmen e Kosovës

Qeveria dhe presidenti e thanë atë që duhet të thoshin, ata e konsideruan të mbyllur debatin-bisedimet lidhur me nënshkrimin e protokollit dypalësh EULEX-MUP i Serbisë. Si duket ky refuzim i njëanshëm do të zbutet për pak kohë, ashtu siç po i ndryshojnë qëndrimet, sa herë që bëhet presion në ta, gjë që do të ndodhë fatkeqësisht edhe tash, pas një presioni të vazhdueshëm të BE-së. Por, tash do të përballen edhe me presionin e brendshëm politik dhe qytetarë sidomos pasi që u ndriçua publikisht teksti i marrëveshjes, i cili ka shumë të meta, defaktorizon palën shqiptaro-kosovare, por edhe nuk krijon hapësirë për operacionalizimin kohor të saj. Edhe pse nuk ka ndonjë prononcim të qartë, duket se pala kosovare do të pajtohet me modifikimin e Marrëveshjes, në emërim, jo në konceptimin e saj; të pafavorshëm për palën kosovare.

Protokolli i bashkëpunimit policor, të cilit i japin konotacion të marrëveshjes teknike, do të bëhet një mollë sherri në mes të vendorëve dhe ndërkombëtarëve, ngase nuk po ndryshohet asgjë në raportet reciproke Kosovë-Serbi, bile as që po përflitet për tërheqjen e kërkesës serbe drejtuar Interpolit për burgosjen dhe ekstradimin e qytetarëve shqiptarë, fotografitë e të cilëve janë akoma të fiksuara në zyrat e Interpolit. Nuk di si do të inkorporohet pala kosovare në këtë marrëveshje, nëse nuk është pjesëmarrëse e drejtpërdrejt e hartimit të saj, apo ka marrë pjesë jashtë syve të opinionit, duke qenë sekrete aq sa ishte plaçkitja e dhomës policore më të sigurt në Kosovë, ku u vodhën dëshmi të vlefshme policore dhe gjyqësore, por edhe një shumë e konsideruar e parave, por edhe e drogës, si provë e mundshme në ndonjë nga proceset e hapura gjyqësore.


Nuk është aq e madhe brengosja e EULEX-it për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore…, aq sa karakterizohet me aspirata te qëllimshme politike, për të zbutur qëndrimet e brendshme përbrenda BE-së dhe për t’ia hapur definitivisht rrugën Serbisë për të fituar statusin e shfrytëzuesit të vizës së bardhë Shengen, që si kundërshpërblim do të kishte njohjen e kufijve "administrativë"-ndërkombëtarë të Kosovës (?), që njëkohësisht do të nënkuptonte qarkullimin e lirë të qytetarëve serb në vendet evropiane, për të ndryshuar bindjet e tyre politike dhe, për t’iu përafruar Evropës sa më shumë, si dhe për të larguar vëmendjen e opinionit të brendshëm të saj nga influenca ruse.

Evropa edhe tash u tregua shumë e butë në raport me Serbinë, ngase atë e konsideron si partner të rëndësishëm të zhvillimeve të reja në Evropë, shumë më shumë se Kosovën, sovraniteti i së cilës është në lëkundje të vazhdueshme edhe për shkak të kufijve të saj porozë. Si duket qëndrimi i deritanishëm "i shkopit" për të dorëzuar Mlladiqin, personin më të kërkuar pas Luftës së Dytë Botërore, të ndjekur për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, nuk solli suksesin e pritur, pra në vend se Evropa të rriste presionin ndaj Serbisë për të zbutur qëndrimin, ia dha krahun asaj edhe njëherë. Në rastin më të keq le të jetë edhe ashtu, por jo mbi kurrizin e Kosovës.

Zhvillimet e tilla të papritura kanë marrë hov edhe për shkak të pasivitetit evident të politikës së jashtme shqiptare, e cila humbi efektshmërinë e saj sidomos pas zhbërjes së GU, duke mos zhvilluar hapat e mëtejmë të përbashkët, meqë politika e jashtme e shtetit nuk është vetëm çështje e pozitës, por të një angazhimi të përgjithshëm bipartizan pozitë e opozitë, e cila tash për tash po shprehet me një rivalitet të brendshëm agresiv, e shumë të butë në raport me Serbinë, EULEX-in, UNMIK-un, dhe në përgjithësi me diplomatët e huaj. Se a don Serbia t’i përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën apo jo, kjo është çështje e saj, por nuk mund te shkelet vullneti i mbi 2 milionë shqiptarëve për t’ia hapur shtegun Serbisë, meqë ajo duhet të plotësojë synimet për siguri te brendshme dhe të jashtme, dhe kontrollin e kufijve te saj, si parakushte për të fituar statusin e përfituesit të vizës së bardhë të Shengenit.

Edhe pse skandalet e diplomacisë serbe nuk u ndalën asnjëherë, si ai në kohën Sadamiane, por edhe pas Sadamiane, kur tash u kuptua se Serbia nuk ka ndalur asnjëherë miqësinë e përbashkët me regjimin kriminal të Sadam Hyseinit, duke i garazhuar në hangarët serbë 19 aeroplanë të po këtij regjimi, të tipit rus MIG. Kjo nuk ishte ndonjë befasi, meqë Serbia kishte përkrahjen e madhe diplomatike prej Irakut, në kohën e dominimit te regjimit satrap te Sadam Hyseinit, por gjithashtu edhe të Sirisë dhe të Libisë që konsideroheshin si eksportuesit e terrorizmit ndërkombëtar, lidhjet janë akoma të fuqishme.

Lidhjet e Serbisë me këto shtete datojnë qysh herët nga periudha e Josip Brozit dhe Ligës së painkuadruareve, lidhje ideologjike që ishin të sforcuara edhe më pas, meqë partia Ba’ath ishte parti politike e influencuar nga ndikimi rus, me shume premisa të ideologjisë komuniste, që kishte si synim vendosjen e socializmit të modifikuar, duke i dhënë edhe ngjyrë fetare, për të mashtruar popullin e vet brenda përbrenda, duke mos lënë vend për asnjë mëdyshje, ngase gjenerata e mesme e politikanëve të tyre por edhe ajo më e vjetër ishte shkolluar nëpër univerzitetet ish-jugosllave.

Gjithashtu kjo miqësi ishte edhe pjesë e marrëveshjeve të ndërsjella ushtarake, për trajnimin e oficerëve të rinj, pilotëve…, ata më vonë përbënin edhe bërthamën kyçe të kuadrove udhëheqëse ushtarake. Nga ky partneritet kishin lindur edhe martesa të përziera, që e ngulmonin në skajshmëri "dashurinë ideologjike", për atë edhe është vështirësuar hetueshëm ndikimi i diplomacisë kosovare për ta njohur ndërkombëtarisht Kosovën e pavarur. Nuk mund të shuhet aq lehtë propaganda e kohës së Naserit per miqësinë me jugosllavo-serbet, kur kanalet qendrore te lajmeve ne Egjipt madhëronin lidhjet ideologjike, përfshirë ajo me Asadin e vjetër, kolonel Gadafin, mbretin Hysein…, por edhe ndikimin e fuqishëm rus, që ka bërë furnizimin e këtyre vendeve me armatim dhe teknologji ushtarake, por që ka bërë trajnimin e oficerëve të rinj.

Do si do një marrëveshje e tillë çfarë po prezantohet në opinion përveç që është politikisht e dëmshme, në këtë fazë, po hap dyert e bisedimeve serbo-shqiptare, para dhënies së mendimit të GJND, dhe po krijon paqartësi konstitucionale, por edhe po debalanson raportet Kosovë Serbi, meqë marrëveshja po bazohet në rezolutën 1244, dhe po zvetënon Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe po dobëson pozicionin diplomatik të saj, para seancës preliminare të GJND-së dhe, para pranimeve të reja ndërkombëtare.

Krahas këtij debakli të mundshëm politik-dipomatik, po rriten gjasat për shtim të tensioneve në Mitrovicën e veriut, dhe po shtohen gjasat e përzierjes së drejtpërdrejtë të MUP-it serbë në territorin e Kosovës. Deri më tash është përmendur se një marrëveshje e tillë është nënshkruar me shtetet fqinje, por po harrohet qëllimisht një fakt shumë i rëndësishëm se Kosova nuk ka qenë me ta në luftë në njërën anë, por në anën tjetër këto shtete e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, gjithashtu nuk kanë shfaqur pretendime territoriale ndaj saj.

Nëse Serbia deri më tash nuk realizojë asnjë nga premtimet ndërkombëtare, por edhe dogji ambasadën amerikane, shumëherë shfaqi urrejtjen e hapur ndaj perëndimit, por në anën tjetër po financon pushtetin paralel në enklavat serbe me mjetet që akordohen për zhvillimin e saj, pot edhe duke shlyer borxhin mbi 0.5 miliardë dollarë ndaj BB. Nëse institucionet e Kosovës pranojnë përbuzjen që do të manifestohet me defaktorizimin e plotë të institucioneve, atë që mund të bëjnë më së paku është kërkesa për referendum, që qytetarët të vendosin për të ardhmen e Kosovës, ngase Kosova dalëngadalë po humbë sovranitetin e saj të jashtëm, dhe po vjen në pozitë konstitucionale të cilën e kanë Irlanda Veriore, Skocia dhe Uellsi, të cilat kanë shumë prerogativa shtetërore, por kufijtë e jashtëm të këtyre shteteve janë në kuadër të Britanisë së Madhe.

Për të mos ardhur deri te një situatë e tillë institucionet kosovare duhet të jenë më transparente, por tash për tash me vazhdimin e mëtejmë të procesit të decentralizimit do të futë Kosovën në rrugë qorre, që politikisht dhe me diplomaci e ka vështirë të dalë nga kurthi që po i gatitet, liderë mendoni mirë për të ardhmen e Kosovës.

Në trend

Më shumë
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Boks
Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Botë
Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Lajme
Ato që dimë deri tani rreth aeroplanit “të rrëzuar” të presidentit të Iranit

Ato që dimë deri tani rreth aeroplanit “të rrëzuar” të presidentit të Iranit

Botë
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Kalo në kategori