LAJMI I FUNDIT:

Librat jetëndryshues që duhet të lexoni në vitin 2017

Librat jetëndryshues që duhet të lexoni në vitin 2017

Me fillimin e vitit të ri, një kapitull i ri do të nisë të shkruhet në ditarin e jetës suaj, ndaj, jepini rëndësinë që meriton. Niseni këtë vit duke lexuar!

Një çaj i ngrohtë dhe një libër i bukur, do t’ju bëjnë të kaloni ditë mjaft të këndshme pavarësisht borës që (s’)bie!


Niseni këtë vit me doza humori dhe pasione të zjarrta. Përjetoni ndjenjat e dashurisë, ashtu si vetëm një roman i bukur mund t’i përcjellë!

– Janie Morris dhe Quinn Sullivan; një romancë e bukur që përvijohet nga një humor i hollë dhe pasion i zjarrtë. (Neandertali kërkon njeriun – Penny Reid)

– Fjalët e thëna në tualetin e femrave duhet të mbeten aty, por ato që dëgjon Trudi gjatë një funerali, do t’i ndryshojnë jetën. A do të trembet ajo, aq sa të mos guxojë të ëndërrojë për një jetë të re? (Në tualetin e femrave – Carolyn Brown)

Ndryshoni mënyrën se si e shihni botën dhe niseni këtë vit me histori tronditëse. Historitë e këtyre romaneve do t’ju bëjnë të harroni realitetin dhe të zhyteni në një botë krejtësisht ndryshe.

– Një roman tërësisht aktual, çdo aspekt i të cilit tingëllon i parë e i dëgjuar. (Mikesha gjeniale – Elena Ferrante)

– Historia e Modestës është historia e një shpirti dhe e një trupi krejtësisht të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri, që përshkojnë shekullin XX, me vullnetin dhe dëshirën për të qenë me çdo kusht vetvetja. (Muza e haresë – Goliarda Sapienza)

– Cilësuar si romani më i mirë i Bukowski-t, “Bukë me sallam” është një libër rrëqethës e me tone të ashpra, i cili do t’ju bëjë t’i rigjykoni marrëdhëniet me personat që ju rrethojnë. (Bukë me sallam – Charles Bukowski)

– Një roman mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi atë që nuk duhet thënë dhe atë që nuk dëshiron të dish. (Një zemër kaq e bardhë – Javier Marias)

Kthehuni pas në kohë dhe udhëtoni nëpër shekuj për të përjetuar histori nga e shkuara me librat: “Ishulli në det” dhe “Pacienti anglez”.

– Imagjinoni sikur të jetonit në vitin 1770, në Santo Domigo. Lexoni “Ishulli në det”, një roman në qendër të të cilit është vendosur një heroinë moderne që vjen nga larg për të na kujtuar dëshirën për liri dhe dinjitetin që mbartin pasionet. (Ishulli në det – Isabell Allende)

– Fitues i Çmimit prestigjioz “Booker’s Prize”, libri “Pacienti anglez”, historia e një pacienti të paemër dhe të djegur deri në palcë, është njëkohësisht një gjëegjëzë dhe provokim. Kujtimet e tij e ndriçojnë çdo faqe të këtij libri si gjuhët e flakës. (Pacienti anglez – Michael Ondaatje)

Ndodh që për disa vepra koha të ndalojë dhe ato të njohin sukses për shekuj me radhë. Ndaj, mos harroni klasikët!

– I cilësuar nga kritika si artist i madh e një gjeni, me romanin e tij, Maugham-i i dha shtysë një brezi të ri shkrimtarësh. (Tehu i briskut – W. Somerset Maughami)

– Një kryevepër rrëfimesh të ndërlidhura, një triumf i kapërcimeve kohore; ky është romani më i fuqishëm i Joseph Conrad-it. (Lord Jim – Joseph Conrad)

– Thonë se gjithçka që na ndodh është e shkruar, është pjesë e fatit të secilit prej nesh, është e pashmangshme. Por sa e vërtetë është kjo? “Ura e Mbretit Shën Luigj” – Fitues i çmimit “Pulitzer” 1928 (Ura e Mbretit Shën Luigj – Thornton Wilder)