LAJMI I FUNDIT:

Libra për shqiptarët në Serbi, të rinjtë në Pogradec bëhen pjesë e nismës

Libra për shqiptarët në Serbi, të rinjtë në Pogradec bëhen pjesë e nismës

“Dhuro një libër për bibliotekën e Bujanovcit” është nisma e re ndërmarrë nga bashkia e Pogradecit.

Kjo iniciativë nisi pas kërkesës së kryetarit të komunës së Bujanovcit në vizitën e fundit në Pogradec, i cili tregoi se shqiptarët në Serbi “vuajnë” mungesën e literaturës shqiptare.


“Kjo ide nisi në fund të muajit Mars ku të gjithë kryetarët e bashkive të Maqedonisë, Kosovës por edhe komunave shqiptare serbe ishin në Pogradec. Kryetari i komunës Bujanovc në fjalën e tij shprehu me dhimbje se biblioteka e këtij qyteti ka mungesë të librave dhe autorëve shqiptare të cilët janë në mungesë të theksuar dhe banorët e kësaj komune janë në kërkim të këtyre librave “,-tha Entela Gusho, nënkryetare e Bashkisë Pogradec.

Thirrja është përqafuar edhe nga të rinjtë e qytetit, ku dy prej tyre janë fiksuar nga kamera e Euroneës Albania duke dhuruar libra për bashkëkombësit e tyre në Serbi

“Dëgjova për thirrjen që ndërmori bashkia Pogradec lidhur me dhurimin e librave për bibliotekën e Bujanocit në luginën e Preshevës, marrëdhënia ime me librin është e shenjtë dhe isha e frymëzuar të merrja pjesë në këtë nismë. Kam vendosur të dhuroj librin e Mitrush Kutelit sepse mendoj që libri është arma me e forte për te lidhur njerëzit, sidomos bashkëkombësit tanë”,-tha nxënësja Fjona Danglli.

“Vendosa të dhuroj një libër e shumë të tjerë që kam në shtëpi sepse u bëra pjesë e kësaj nisme, përsa i përket pasurimit të bibliotekës se Bujanocit. Pasioni që kam për librin e duke ditur që persona të tjerë nuk e kanë të njëjtën mundësi që kemi dhe ne për të lexuar shqip, do dhuroj një pjesë të librave të mi”, -tha Loridela Beqari.

Deri më tani janë mbledhur mbi 200 libra me autorë të ndryshëm shqiptarë, të cilat më pas do të dërgohen drejt Luginës së Preshevës.