Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar letrën për Presidentin e Komisionit të Venecias Buquicchio shoqëruar me komentet dhe qëndrimin e Presidentit të Republikës mbi “Projekt-Opinionin” e Komisionit të Venecias.

Në një prej pikave të shumta, Meta shprehet saktësisht se “Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore.”

Lexoni më poshtë letrën e plotë:

I nderuar Zoti Buquicchio,

Ju falenderoj për ndihmën e çmuar që Komisioni i Venecias ka dhënë në vijimësi për reformat e konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

U njoha me projekt-opinionin e përgatitur nga ekspertët e Komisionit të Venecias dhe konstatimin e qartë se Presidenti i Republikës nuk ka kryer shkelje të Kushtetutës.

Megjithatë dëshiroj të evidentoj disa çështje kyçe që duket se nuk janë marrë parasysh por që kanë rëndësi thelbësore për analizën objektive dhe konkluzioneve që rrjedhin prej saj.

Informacioni që po përcjell në formën e komenteve në vëmendje të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias është objektiv dhe në funksion të diskutimit, ndryshimit dhe përmirësimit të projekt-opinionit, përpara se ai të marrë formë përfundimtare.

Së pari dhe mbi të gjitha, ju bëj me dije se në cilësinë e Presidentit të Republikës jam betuar se do t’u bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.

Nën këtë betim, aktiviteti im mbizotërohet nga interesi më i lartë kombëtar në shërbim të vendit dhe bashkëqytetarëve të mi.

Duke mirëkuptuar pozitën e pazakontë ku është vendosur Komisioni i Venecias, për t’u shprehur rreth një çështjeje që prek si aspektin politik ashtu edhe atë juridik dhe që ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të paprecedent, e gjej me vend të theksoj se vetëm një njohje e thellë e situatës në Shqipëri do të mundësonte vlerësimin objektiv të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit.

Këtë bindje e përforcova gjatë takimit që pata me reporterët e Komisionit të Venecias në Tiranë, të cilët më shfaqën hapur shqetësimin se nuk e njihnin aspak as historinë dhe as kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve, duke e konsideruar si element kyç për interpretimin e saktë të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Pika 7 e projekt-opinionit pohon se kronologjia e fakteve nuk është e plotë dhe nuk përbën provë për ndonjë nga ngjarjet e përmendura.

Vlerësimi dhe interpretimi i gërmës së Kushtetutës në lidhje me ushtrimin e kompetencave dhe rolin e Presidentit të Republikës janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar.

Përshkallëzimi i krizës së paprecedent, ende të pazgjidhur, në Shqipëri ka qenë në fokus jo vetëm të autoriteteve, mediave, dhe aktorëve të tjerë vendas, por edhe shqetësim në rritje i partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave të huaja.

Asnjë President Republike nuk do të mund të anashkalonte apo të mbetej i pandikuar prej rrezikut permanent të gjakderdhjes dhe cënimit të stabilitetit dhe imazhit të vendit. Asnjë shqiptar që ka ende kujtesë nga regjimi çnjerëzor komunist nuk do të mbetej i pashqetësuar prej rrezikut të kthimit të shtetit-parti pas 29 viteve të demokracisë së brishtë shqiptare.

Nga shqyrtimi me vëmendje i projekt-opinionit konstatoj se:

1. Projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit;

2. Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë.

Ekspertët do të duhet të ndërtonin ose një opinion teorik, duke iu referuar vetëm bazës ligjore, jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese, ose një opinion në themel, duke u futur plotësisht në brendësi të çështjes.

Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike.

3. Projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Vlerësimi i shkallës së rrezikut në Shqipëri duke u kufizuar në ballafaqimin e cunguar të deklaratave të autoriteteve publike është joprofesional dhe janë jashtë objektit të punës së ekspertëve të Komisionit të Venecias.

Gjithashtu ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit;

4. Disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, përsa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit;

5. Institucioni i Presidentit të Republikës ka mirëpritur një opinion të Komisionit të Venecias për të bërë një përshkrim teorik e kushtetues se cili është Roli i Presidentit të Republikës, si moderator në situata krizash të rënda si kjo që po kalon Shqipëria, duke qëndruar si garant i kushtetutës dhe i parimeve të mbrojtura prej saj, në ruajtje të interesit të përgjithshëm.

6. Institucioni i Presidentit të Republikës ka mirëpritur projekt-opinionin e Komisionit të Venecias për të evidentuar mangësitë në legjislacion dhe këshillimin për plotësimin e vakumit ligjor të mundshëm.

7. Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore.

Në analizën dhe konkluzionet e ekspertëve nuk gjejnë vend/referim asnjë prej gjetjeve dhe konkluzioneve të 3 (tre) Raporteve të OSBE/ODIHR. Këto raporte janë hartuar prej misionit vëzhgues që ka monitoruar Shqipërinë për 3 muaj para, gjatë, dhe pas procesit të votimit të 30 qershorit, dhe ku kanë marrë pjesë mbi 200 vëzhgues.

Projekt-opinioni i Komisionit të Venecias dhe Raportet e OSBE/ODIHR sfidojnë gjetjet dhe konkluzionet e njëri-tjetrit;

8. Projekt-opinioni dhe mënyra se si është ndërtuar, rrezikon krijimin e një precedenti problematik për një rend shoqëror demokratik.

Nëse ky projekt miratohet siç është atëherë çdo lider autokrat mund ta intepretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij.

Në emër dhe në respekt të aspekteve proceduriale, çdo lider autokrat do të frymëzohet për të shtyrë opozitat që të dalin jashtë sistemit, apo të pamundësojë me forma të fshehura pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duke shkelur në themel të gjitha standardet thelbësore të zgjedhjeve në sistem demokratik, gjithmonë në emër të “respektimit” të procedurave të zhvillimit të tyre.

Shqipëria ka patur votime periodike dhe plotësisht të qeta gjatë sistemit totalitar, por kjo s’do të thotë se ato ishin të lira, të ndershme dhe demokratike;

9. Ky projekt -opinion rindezi polarizimin politik pikërisht kur palët rivendosën një urë dialogu;

10. Kuvendi i Shqipërisë edhe pse në dukje ka adresuar 8 (tetë) pyetje me natyrë ligjore dhe kushtetuese për Komisionin e Venecias, është i interesuar vetëm për përdorimin e tij politik duke ngritur një kurth të pamerituar për Komisonin e Venecias.

Të gjithë anëtarët e Komisonit Hetimor kanë votuar përmes Rezolutës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit që në datën 13 qershor 2019, ndaj kjo tregon se komisioni ka nisur veprimtarinë me një përfundim të marrë paraprakisht.

Mazhoranca e përdori menjëherë projekt-opinionin për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga Raporti i OSBE/ODIHR, kushtet e vendosura për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kriza e brendshme politike, dhe përpjekjet e pasuksesshme për të legjitimuar votimet e paligjshme të 30 qershorit.

Ende pa arritur në duart e palëve projekt-opinioni, eksponentë të mazhorancës dhe mediat pranë saj shpërndanë urgjentisht lajmet se, citojmë: “Presidenti ka shkelur Kushtetutën” dhe “Venecia shkarkon Presidentin” duke krijuar kaos dhe ndasi në opinionin publik dhe mbi të gjitha duke shtuar pasiguritë për zgjidhjen e krizës së rëndë që vazhdon në Shqipëri.

Ky projekt-opinion nuk është trajtuar dhe as pritet të trajtohet juridikisht nga Kuvendi, por vetëm politikisht, pasi ky ishte edhe qëllimi fillestar dhe i vetëm i të gjithë procesit.

Kujtojmë se Kuvendi aktualisht ka vetëm 122 deputetë, nga 140 deputetë që duhet të ketë sipas Kushtetutës. Plotësimi i vendeve pamundësohet për shkak të dorëheqjeve në bllok të 182 deputetëve dhe kandidatëve për deputetë të Partive opozitare parlamentare.

I nderuar President i Komisionit të Venecias,

Për të gjitha çështjet e parashtruara në projekt-opinion, për të cilat Presidenti i Republikës ka një vlerësim të ndryshëm, ju përcjell bashkëlidhur komentet e trupëzuara në tekst.

Presidenti i Republikës, si palë e interesuar në këtë proces, vlerëson të domosdoshme dhënien e opinionit nga Komisioni i Venecias edhe për pyetjet dhe çështjet e mëposhtme:

1. Përveç Presidentit të Republikës, cilit institucion tjetër i njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve?

2. A ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë që ka urdhëruar shfuqizimin e Dekretit të Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 dhe Dekretit nr.11211, datë 27.06.2019? A është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i vetmi organ që shqyrton kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit të Republikës?

3. A i është kërkuar Komisionit të Venecias të japë një opinion për vlerësimin e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019? A është në kompetencën e Komisionit të Venecias vlerësimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri? A vendos një vlerësim i ndryshëm nga OSBE/ODIHR mbi procesin zgjedhor një precedent përplasjeje midis institucioneve ndërkombëtare? A i ka kërkuar Komisioni i Venecias opinion Kongresit të Autoriteteve Lokale mbi vendimin për mosdërgimin e vëzhguesve për procesin zgjedhor të 30 qershorit në Shqipëri, duke patur parasysh se të dy këto institucione veprojnë nën suazën e Këshillit të Europës?

4. A përfshihet në fushën e veprimtarisë së Komisionit të Venecias përcaktimi shkallës së nivelit të sigurisë në Republikën e Shqipërisë? A kanë patur reporterët në dispozicion të dhëna nga Agjencitë e specializuara të sigurisë? A mund të shprehen ekspertët e Komisionit të Venecias mbi gravitetin e fakteve dhe grupfakteve që Presidenti i Republikës disponon në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për situatën kërcënuese të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri?

5. Në rast se në një rend shoqëror demokratik realizohen zgjedhje vetëm me një kandidat dhe pa alternativa konkurruese: A do të përbënte gjendje shkelje apo cënim të parimeve themelore kushtetuese (të parashikuara nga nenet 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, të Kushtetutës)? A do të përbënte shkelje të standarteve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së saj në lidhje për respektimin e Nenit 3, të Protokollit 1 të saj?

6. Nën dritën e faktit se Gjykata Kushtetuese ka 18 muaj që është jashtë funksionit: A përbën kjo një situatë krize kushtetuese? A sjell pasoja në respektimin dhe zbatimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, ndarjes e balancimit të pushteteve, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe demokracisë? A ka pasoja për rendin kushtetues dhe respektimin e kushtetutshmërisë? A krijon terren për nxitjen e konflikteve institucionale ndërmjet organeve kushtetuese? A pamundëson kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve/vendimeve të organeve qendrore, pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit legjislativ? A mundet që Kuvendi të ushtrojë kompetencat e kontrollit kushtetues që neni 131 i Kushtetutës ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese?

7. Referuar përmbajtjes së Kushtetutës së Shqipërisë: A ka kompetencë Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë apo të shprehet me vendim për të vlerësuar, apo për të rrëzuar Dekretet e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor? A i nënshtrohet kontrollit nga Parlamenti Dekreti për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe nëse po, cila është dispozita që e bën të mundur këtë? Cila është vlera detyruese e Rezolutave që miraton Kuvendi i Shqipërisë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore?

8. Miratimi nga Kuvendi i Rezolutës datë 13 qershor 2019, mbi vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019 dhe thirrja ndaj të gjithë institucioneve shtetërore për moszbatimin e dekretit: A përbën shkelje kushtetuese nga Kuvendi bllokimi i veprimtarisë dhe vendimmarrjes kushtetuese të Kreut të Shtetit? A cënon rolin e Presidentit të Republikës si ndërmjetës dhe Arbitër midis palëve? A shkakton prishje të ekuilibrave institucionale dhe kushtetues dhe për rrjedhojë tronditje të themeleve të shtetit të së drejtës?

9. Në kushtet kur Kuvendi ka shprehur qëndrimin e tij me Rezolutën e datës 13 qershor, ku votues të këtij akti janë 100 deputetë dhe ku përfshihen edhe anëtarët e Komisioni të Posaçëm Hetimor Parlamentar, a është në kundërshtim me parimin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor?

10. Në kushtet e qëndrimeve refraktare të të dy palëve ndaj thirrjeve të përsëritura të Presidentit për dialog, a kishte Presidenti në dispozicion ndonjë mekanizëm tjetër, të ndryshëm nga nxjerrja e dekreteve apo veprimtaria që ai kishte kryer, që të krijonte një mundësi për rinisjen e dialogut politik, ruajtjen e paqes sociale, uljen e tensionit, për të arritur në zgjidhjen e krizës ashtu dhe në ruajtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare?

I nderuar Zoti Buquicchio,

Nisur nga situata e paprecedentë ku ndodhet sot vendi im, ku asnjë prej Institucioneve kushtetuese të sistemit gjyqësor që garantojnë kontrollin dhe balancën midis pushteteve nuk funksionon, si dhe në kushtet kur kriza e rëndë duket se po hyn drejt një zgjidhjeje falë investimit të autoriteteve më të larta të vendeve partnere kryesore europiane, do të kërkoja që shqyrtimi i kësaj çështjeje të marrë vëmendjen më të plotë të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias.

Institucioni i Presidentit ju ka përcjellë më herët një material shterrues me fakte mbi çështjen objekt shqyrtimi. Ky material, komentet mbi projekt-opinionin dhe çështjet e parashtruara më sipër duhet të shqyrtohen në mënyrë të integruar dhe nga të gjithë anëtarët përpara dhënies së një opinioni përfundimtar. Presidenti i Republikës mbetet i hapur për sqarime të mëtejshme nëse do të konsiderohet e nevojshme nga ana juaj.

Duke ju siguruar për konsideratën më të lartë,

Sinqerisht,

Ilir Meta /tch/