LAJMI I FUNDIT:

Letër vetvetes

E gjithë kjo ekzistencë e ndërtuar vetëm për suksesin e një zoti absolut, thjesht, për mua paraqet një sfidë të vështirë pa mundur ta ngadhënjesh dot. Një ligj fizik i kësaj natyre është i ngjashëm me vetveten, dhe s’ka të përbashkët asgjë me trupin psikik timin. Këto ligje gravitojnë si pasojë e lëvizjes absolute, ndërsa trupi im psikik lëviz si pasojë e lëvizjes së diktuar, nga forca relative e imja. Ligjet e natyrës asistojnë dhe i përkushtohen qenies së përjetshme, ndërkaq, ne u përshtatemi ligjeve sipas kushteve të diktuara, pavarësisht vullnetit të tyre. Ky sistematizim sa i përkorë, duket po aq i mjegullt, i shfrenuar. Sepse, kjo ekzistencë koordinohet nga vullneti absolut.

Nga filozofia e të njohurit të natyrës dhe ligjeve të saj më shtyjnë drejt një rregulli unik, të kuptueshëm, pra racional. Mirëpo, sistemi njerëzor provohet të kthehet ndonjëherë përmbys. Këtu, ndofta mund të ndikojë pikëpamja irracionale e jona, ose vullneti i së keqes, gjithsesi mbetet ende për ta shqyrtuar. Sa më shumë që njoh veten, aq më shumë më duket vetja i paditur, dhe në të njëjtën kohë zbuloj se sa i parëndësishëm jam unë bashkë me të ashtuquajturin “sistemin tim”. Asgjë s’më bën përshtypje, as bota, as vetja, gati asgjë. Nuk më magnetizon pothuaj asgjë. Veçse të keqen e diktoj se, dita-ditës po na sundon në mënyrë të heshtur, varësisht njohjes dhe përqendrimit tonë. Edhe e keqja ka një fund sikurse e mira, por në përditshmëri ajo s’pushon kurrë… Duket se ekzistenca ime jeton në një kohë jashtë kohës…


Ekzistenca ime të mos them gati qe e njëjtë me atë të Sartre,- e jetoj jetën “sipas një sistemi të krisur”. Sistemi duhet të jetë diçka jashtë konceptit tonë, pra jashtë kohës sonë. E gjithë jeta ime duket se paska qenë pa një sistem. Po të ishte ndryshe me siguri do të dyshoja dhe për këtë lloj sistemi që po flas tani… Sa herë jam përpjekur të ndryshoja sistemin tek vetja, tek ekzistenca, tek të tjerët, pothuaj, gati ishte e pamundshme. Sepse sistemi më tmerronte. Nevoja shpirtërore e imja ishte në kundërshtim me sistemin, dhe kjo ndikonte thellë në formësimin e ekzistencës. Dy gjëra të ndryshme kishin jetë brenda meje. Nevoja shpirtërore e imja nuk përputhej asnjëherë me sistemin. Ose të hiqja dorë! Në anën tjetër nuk mundesha! Lojë e vështirë!

Po e pranoj, se sistemi im qe vetëm një “lojë kukullash”, asgjë më shumë… Kjo “lojë kukullash” ndikoi në formësimin e një ekzistence jo të magnetizuar nga shpejtësia e jetës, dhe kështu, brendia mbeti skeptike. Edhe po të qe ndryshe do t’i mungonte sërish sistemi. Ky teatër deshtak nuk pati kurrë guxim t’ia thyente muret kësaj ekzistence të përshpejtuar. Prandaj, brendia mbeti e ftohtë, irracionale. Kjo brendi, e këtij teatri deshtak, e rrënoi sistemin. Sistemi kishte lindur si pasojë e këtij teatri dështak. Sikur të mos ishte ekzistenca ime, ndoshta më mirë do të funksiononte rrjedhja e saj. Ekzistenca ime përballë këtij sistematizimi të përkorë ishte amorfe… ose duhet gjetur “sistemin”, ose duhet pranuar ashtu siç është…

Po shmang teatrin deshtak dhe “lojën e kukullave”, që, në radhë të parë sistemi të rilindë nga nevoja e shpirtit, dhe më pas të koordinohet drejt një sistematizimi të vullnetshëm, që do t’i kundërvihej pikëpamjeve hermetike të natyrës dhe ligjeve të saja…