LAJMI I FUNDIT:

Letër myslimanëve të Facebook-ut

Letër myslimanëve të Facebook-ut

1. Tashmë që mbaroi muaji i Ramazanit dhe festa e tij, Fiter Bajrami, iku pa kthim edhe për këtë vit, dua të bashkëbisedoj pak me miqtë e mi në Facebook, të cilët, siç mund ta merrni me mend, nuk janë të paktë dhe ndonjëri syresh, duke u nisur nga emri im thellësisht mysliman, ma uruan festën, duke më postuar ose ndonjë tepsi bakllava që nuk ma kënda, ose ndonjë faqe të Kuranit të shkruar arabisht, që nuk di ta lexoj.

Para se t’i bisedoj me ju disa gjëra që më shqetësojnë, dua t’ju bëj disa pyetje miqësore: A ka mundësi të bisedojmë për disa gjëra rreth fesë, ose thënë më mirë rreth përdorimit të fesë në vendin tonë, pa fyerje, pa kërcënime, pa sharje? Pra, a ka mundësi të hapim një dialog të civilizuar, t’i diskutojmë gjërat një për një, sepse më duket se mjaft më jemi fshehur nga njëri-tjetri. Kosova është shumë e vogël, për t’iu krijuar hapësirë përjashtimeve të këtilla. Ju, myslimanët e të gjitha proveniencave, as ju të Facebook-ut, nuk mund të më injoroni, nuk mund të thoni se nuk ekzistoj. Unë jam sekular, nuk jam ateist, më së paku në kuptimin komunist të kësaj fjale: nuk shaj Zotin, nuk e kam sharë fenë e askujt, shprehem me respekt për besimin e secilit.

Por, kam botëkuptime perëndimore (së paku kështu pretendoj unë) për shoqërinë, për laicitetin e shtetit, për lirinë e fesë dhe të besimit, për ekumenizmin fetar dhe për çdo gjë tjetër që lidhen me këto. Si unë besoj se ka edhe shumë të tjerë në Kosovë. Madje, mos t’ju vijë keq nëse ju them se ne përbëjmë shumicën. Vetëm se, duke na bërë të zmbrapsemi, të tërhiqemi, të manifestojmë tolerancë dhe indiferentizëm, për të mos e çuar këtë Kosovë të shumëvuajtur në armiqësi të reja, për shkak të agresivitetit, për shkak të militantizmit, për shkak të radikalizmit, sekush ka krijuar idenë e gabuar se ju jeni shumicë në këtë vend.


Por, edhe përkundër kësaj, edhe përkundër dijenisë se ne përbëjmë shumicën, nuk mund ta injorojmë faktin se ju, besimtarët myslimanë, ekzistoni dhe se jeni pjesë e rëndësishme e këtij vendi, pavarësisht në jeni myslimanë tradicionalë, të moderuar ose jo, fundamentalistë ose jo, vehabistë ose jo, besimtarë të vërtetë apo të manipuluar, predikues të besimit apo propagandues të ideologjisë fetare. Sikundër që ne e dimë se brenda “kampit” tonë ka dënglaxhi (me një fjalë “pordhaxhi”) të të gjitha ngjyrave, edhe ju e dini se brenda “kampit” tuaj ka mercenarë, besimtarë sezonalë, të hurit dhe të konopit, maskarenj, horra, predikues të rrejshëm, blasfemues dhe heretikë, hajna dhe keqpërdorues, kriminelë recidivistë dhe ordinerë, të cilët fenë e kanë “azil” të përkohshëm ose të përhershëm, jo për t’i shpëtuar ndëshkimit qiellor, por për të gjetur një vend nën këtë qiell, për të mëkatnuar sa më shumë me kënaqësitë e kësaj bote.

Pra, ju jeni dhe ne jemi; ju ekzistoni dhe ne ekzistojmë. A duhemi? Jo, nuk duhemi. A urrehemi? Them se jo, tani për tani. Por, ne duhet të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin, sepse ky është atdheu ynë i përbashkët, atdhe tjetër nuk kemi.

(Më lejoni që këtu ta hap një parantezë dhe të shpjegoj, pse juve ju ndodhi kjo gjë, përse pra ju ndodhi që ambienti fetar i Kosovës, përveç që është strehë e besimtarëve të devotshëm, ka prirje gjithnjë e më të mëdha të bëhet azil njerëzish me vese të ulëta, me ambicie të sëmura dhe mendje të shthurura. Pse pra? Përse ju nuk mund t’i diferenconi këta njerëz nga radhët tuaja? Kjo nuk ndodh ngase feja është strehë e të gjithë “shpirtrave të bjerrë”, por thjesht për shkak se feja në vendin tonë tashmë ka filluar të bëhet ideologji. Ju, brezi i ri i besimtarëve të Kosovës e bëtë këtë, ju myslimanët e Facebook-ut.

Ju e nxorët fenë nga besimi, nga nevoja shpirtërore për të gjetur prehjen e amshuar, nga kërkimi i të lartësuarës dhe e kthyet në ideologji, në një korpus idesh pragmatike. Feja u bë ideologji dhe ideologjia nuk shërben për qëllime të lartësuara, për asgjë hyjnore, por për përfitime tokësore: në radhë të parë për rekrutim bashkëmendimtarësh për të arritur një qëllim. Ju që jeni të rinj mbase nuk e dini, por ne më të moshuarit nuk e kemi harruar sesi ky vend, në të shkuarën jo aq të largët, u bë pre e një ideologjie; sesi një numër jo i vogël burrash dhe grash ia falën djallit jo vetëm shpirtin, por edhe kombin, idealet, çdo gjë, madje edhe fenë, për pragmatizmin më të shëmtuar që ka parë kjo botë. Në emër të një ideologjie (komunizmit) vëllai vrau vëllanë, shqiptarët bënë pakt me djallin dhe e sakrifikuan kombin. Pavarësisht se dallojnë së jashtmi, në esencë të gjitha ideologjitë janë të njëjta.)

2. Tani, kam një pyetje për të bërë, e cila kërkon përgjigje të qartë dhe pa ekuivoke; nuk kërkon aq shumë dritë të mendjes, sa gjerësi shpirtërore dhe paqe me njeriun dhe me Zotin: Çfarë do të bëni me Kosovën? Ku do ta çoni atë, në Lindje apo në Perëndim? Këtë ende nuk e keni thënë haptas. Por unë e di, ta zëmë, se çfarë mendoni për historinë dhe duke e ditur çfarë mendoni për historinë, nuk është vështirë të nxirret edhe projeksioni i të ardhmes. Ja, po ua numëroj disa pika, ku ne nuk pajtohemi:

– Ju mendoni se shqiptarët nuk u konvertuan me dhunë në islam, se madje një numër syresh e përqafuan islamin edhe para pushtimit osman, nëpër rrugë të ndryshme, duke njohur dhe provuar superioritetin e kësaj feje;

– Se duke u konvertuar në islam, shqiptarët në përgjithësi, por shqiptarët e Kosovës në mënyrë të veçantë, përveç që njohën vlera të një civilizimi të ri, ruajtën identitetin e tyre, pra i shpëtuan sllavizimit;

– Se Skënderbeu nuk është hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve, sepse ai luftoi për krishterimin dhe se luftërat e tij e dëmtuan pariparueshëm përparësinë numerike të shqiptarëve në Ballkan;

– Se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës dhe kryengritjet e viteve 1908-1912 nuk synonin pavarësimin e shqiptarëve nga Perandoria Osmane, por autonomi dhe mbajtjen e mëtejshme të kësaj perandorie në Ballkan etj. Ju e dini se në këto shestime historike nuk jeni aspak origjinalë, se disa nga këto teza janë të historiografisë turke, të tjerat të historiografisë serbe dhe disa të tjera të arrivistëve më të vonë, të cilët, në emër të modernitetit, nuk lënë idhull pa shembur dhe shenjtëri pa nëpërkëmbur. Nuk mund të mos ju sjell në vëmendje se rreth këtyre tezave juve nuk ju ha meraku për histori, por për përthyerjen e tyre në aktualitetin e Kosovës. Skënderbeu nuk thotë gjë për ju, kur fitoi dhe kur humbi në betejat me turqit, por identiteti perëndimor i shqiptarëve, i ndërtuar mbi historinë dhe mbi mitin e Skënderbeut është ajo që ju ngatërron shumë punë.

3. Vetëm se në këtë pikë hë për hë nuk mund të mateni me ne: ju nuk mund të bëheni një milion veta, për ta shkulur Skënderbeun nga sheshi i Prishtinës, sa u bëmë ne më 2001, për ta sjellë në atë vend. Krejt çka mund të bëni, mund të jetë ndonjë grafit fyes për Heroin Kombëtar, që dikush mund ta shkruajë fshehurazi, në ndonjë natë pa hënë dhe pa drita. Ju, myslimanë të Facebook-ut, mbase nuk e dini, por që afro dy shekuj e këndej, që nga Rilindja Kombëtare e prapa shqiptarët e kanë njohur në vazhdimësi një klasë shoqërore, një klasë politikanësh, një klasë intelektualësh, një klasë klerikësh fondamentalistë, të cilët donin t’i bënin shqiptarët islamikë dhe shoqërinë e tyre shoqëri lindore.

Nuk ia dolën dhe përsëri nuk do t’ia dalin, për arsyen e thjeshtë se shtetin e parë shqiptar në Ballkan, Shqipërinë, nuk e bëri Perandoria Otomane (ndonëse e kishte një mundësi të tillë), as filozofia politike e orientit, as pushkallat e kaçakëve tanë, por e bënë fuqitë perëndimore, ashtu siç e bënë, copë e grimë dhe me një mijë e një paudhësi.

Nuk ia dolën dhe përsëri nuk do t’ia dalin, sepse shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën, nuk e bënë dot armët e heronjve tanë, sado që përkulemi thellë ndaj sakrificës së tyre, por e bëri mbështetja e botës perëndimore. Që dy shekuj e këndej orientalizma nuk bën gjë tjetër në këtë vend, përveçse përpiqet t’i ngatërrojë sa më shumë punët e shqiptarëve. Pra, ju, myslimanë të Facebook-ut, nëse pandehni se e keni bërë tashmë Kosovën shtet islamik, mos e harroni kundërshtimin tonë, sot dhe për tërë jetën.
3. Në këtë “matje forcash” shënova vetëm diçka, sa për t’ju thënë se çfarë e keni keq. Përveç historisë, unë ende nuk e di se çfarë mendoni për Kosovën reale, për Kosovën e këtyre ditëve, të këtyre muajve dhe të këtyre viteve. Ose i mbani në konspiracion të thellë pikëpamjet tuaja, ose nuk keni ide të qartë për këtë.

Po përpiqem të dal nga ky tunel i errët, duke hapur me ju edhe një çështje: flirtin tuaj me dy kategori njerëzish te ne, me politikanët dhe intelektualët. Apo nuk është i juaji, është i palës tjetër. I kujtdo që të jetë, ju duhet ta dini se në prapavijën e flirtit tuaj me disa intelektualë me zulmë, ose i flirtit të tyre me ju, qëndron recidivizmi, tashmë i njohur dhe i provuar, me një ndryshim se në identitetin e tyre komunistateist shartuan orientalizmin e gënjeshtërt.

E them të gënjeshtërt, sepse identitetet që ndërrohen si rrobat e stinës janë identitete kalimtare, të paqëndrueshme, false. Ju, myslimanët e Facebook-ut, mund të ndiheni mirë që në radhët tuaja, sot më shumë se kurrë, keni profesorë universitarë, akademikë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë dhe njerëz të tjerë të kësaj sëre.

Shumicën prej tyre unë i njoh dhe e di si kanë përfunduar në taborin tuaj. Disa kanë qenë spiunë dhe tani janë bërë myslimanë të devotshëm; disa kanë qenë ateistë dhe tani janë bërë myslimanë të devotshëm; disa nuk kanë njohur kurrë as Zot, as fe dhe sot gjithashtu janë bërë myslimanë të devotshëm. Politikanë dhe intelektualë, që sot flirtojnë me ju, kanë vetëm një gjë në mendje: të përfitojnë prej jush dhe të gjejnë mbështetje të kësobotshme për kotësinë e tyre prej intelektualësh dhe politikanësh.

A e keni pyetur veten ndonjëherë, përse këta mashtrues detyrohen të mashtrojnë, pse një akademik detyrohet të gënjejë veten dhe ju për punën e identitetit lindor të shqiptarëve dhe pse një politikan detyrohet të flirtojë me ju për të fituar pushtetin, për të mbajtur pushtetin, për të bërë opozitën, apo për të gjuajtur me gurë institucionet? Ju mendoni se me këtë situatë keni fituar shumë. Nuk është e vërtetë. Keni humbur shumë, sepse keni bjerrë dhe keni shitur besimin e vërtetë për një fe ideologjike, për një fe përfituese.

Ju në Kosovë nuk jeni faktor politik dhe nuk keni për t’u bërë kurrë faktor politik, vetëm jeni dhe do të jeni të përdorur politikisht. Politikanëve të Kosovës iu duhet vetëm vota juaj, prandaj ju kurrë nuk do të bëheni subjekt i politikës, por vetëm objekt i saj. Ata ju gënjejnë, ata ju tallin, siç na gënjejnë dhe siç na tallin edhe neve. Por ju, më anë tjetër, i keni bërë një dëm shumë të madh këtij vendi: keni hapur mundësinë e përdorimit të “xhematit” për qëllime politike, për aleanca kërcënuese për demokracinë dhe për mbarësinë e këtij shteti. Më anë tjetër, ju mendoni se keni bërë ndonjë depërtim të rëndësishëm në fushën intelektuale, por e keni gabim. Ju vetëm i keni detyruar të këndojnë ilahi dhe të falën një sërë zorzopësh, që nuk lënë gjë pa bërë, për të zgjeruar tregun e përfitimeve të veta.

Por, ju duhet ta pyetni veten, pse në shoqërinë kosovare u bëtë hapësirë e përshtatshme, në të cilën gjetën vend gënjeshtra kaq pa shije? Pse aq lehtë i amnistoni politikanët tanë, veçmas disa syresh, kamionë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, varrëmihës të ardhmërisë suaj dhe të fëmijëve tuaj, vetëm pse agjërojnë, pse në ndonjë rast shtrijnë duartpërpara dhe bëjnë sikur këndojnë dua?

A e kuptoni çfarë bëni, duke instaluar në shoqërinë kosovare këtë lloj amnistie? Shkatërroni vlerat, shkatërroni moralin, shkatërroni fondamentin e një shoqërie. Nëse mendoni se mund të nxirrni ndonjë përfitim nga flirti me politikanët, e keni gabim. E patë si ju gënjyen për fenë në shkolla?

Ju pandehët se e fituat një betejë, se mësimi fetar u fut në edukimin shkollor. Dhe çfarë doli? Më keq se një tullumbace, që mund të tërhiqte vëmendjen nga demarkacioni, ishte një ndërrim tezash: nuk bëhej fjalë për mësimin fetar, as mësimin e fesë, por për mësimin për fenë. Nëse puna e demarkacionit ashpërsohet edhe më, në horizont mund të shfaqet edhe ndonjë gënjeshtër tjetër, që do të përpiqet t’ju implikojë edhe juve.

4. Ndërkaq, nëse mendoni se, viteve të fundit, keni bërë depërtim të rëndësishëm në Kosovë, se keni fituar hapësirë dhe keni krijuar ambient fetar më shumë se çdo herë tjetër, përsëri e keni gabim. Në pikëpamje të besimit, Kosova është aty ku ka qenë, as më pak, as më shumë e devotshme, që respekton traditën e saj fetare, por në esencë është shoqëri laike dhe shtet sekular.

Depërtimet e kohëve të fundit në fushën e fesë nuk kanë ndryshuar asgjë, përveçse kanë shtuar hamendësimet, dilemat, gënjeshtrat, retorikën, propagandën. Mentaliteti kosovar nuk ka ndryshuar, identiteti jo që jo. Në këto 15-20 vitet e fundit janë ndërtuar shumë xhami me minare të larta, është ndërtuar edhe Katedralja në qendër të Prishtinës (unë e kam kundërshtuar, ju jo), por Kosova sërish dhe sërish ka mbetur ajo që ishte.

Ndonëse e kemi pasur ndihmën e pakursyer të fesë, për ta bërë një shoqëri më të moralshme dhe për ta bërë botën më të mirë, gjatë viteve të pasluftës si komunitet kemi degraduar jashtëzakonisht shpejt. Për këtë kemi merita të dyanshme.

Derisa ju, myslimanët e Facebook-ut, keni krijuar iluzionin se në Kosovë nuk ka pasur kurrë kaq shumë besimtarë, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që agjërojnë, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që falin pesë vaktet, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që shkojnë në xhami, nuk ka pasur kurrë më shumë vajza dhe gra të reja të mbuluara, nuk ka pasur kurrë më shumë burra dhe djem të rinj me pamje dhe veshje jotipike; në anën tjetër në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë amoralitet dhe kaq mungesë vlerash njerëzore, kaq shumë prirje kriminale dhe kaq shumë shfytyrim njerëzor, kaq shumë erozion të brendshëm dhe kaq shumë degradim kolektiv dhe individual.

Nuk ka pasur kurrë kaq shumë krim, drogë, prostitucion, trafikim, gënjeshtra, hajni, korrupsion, imoralitet, hipokrizi, gjë që bie në kundërshtim të thellë me frymën e përshpirtshme që kultivon secila fe dhe secili besim fetar. Në fund dua të kthehem sërish aty ku nisa, te muaji i Ramazanit. Ju, myslimanët e Facebook-ut, a keni menduar ndonjëherë si ndihemi ne që përbëjmë shumicën në këtë vend gjatë këtij muaji? A e doni përgjigjen time të sinqertë? Si në Tetovë.

Nëse e keni pasur për qëllim që kryeqytetin e një shteti, Prishtinën, ta shndërroni në provincë me identitet të nallash e dimish, mendoj se ia keni arritur. Por në fund të muajit, sapo erdh Bajrami, duhet të jeni ndjerë të zhgënjyer: nuk pat shumë fishekzjarrë, një numër kafenesh dhe dyqanesh nisën punë që në mëngjesin e ditës së parë të Bajramit, ndërsa një numër i madh i kosovarëve, te të cilët mund t’i keni varur shpresat, ua mësynë plazheve të Durrësit e të Shëngjinit, për t’u dukur po aq perëndimorë, siç duken të gjithë europianët e tjerë.

Por, nuk mund të mos e pranoj, se nga muaji i shkuar mbeti një shije e hidhur, e cila po përsëritet nga viti në vit: një atmosferë e imponuar fetare, një ambient i degraduar në pikëpamje civilizuese, e cila nuk të lë të zgjedhësh përkatësinë tënde fetare dhe besimin tënd. Ju, myslimanët e Facebook-ut, a keni menduar ndonjëherë, përse njerëzit në Prishtinë, kur vjen iftari, i mbyllin dyqanet të gjithë me radhë, ikin nga rrugët, nga kafenetë dhe tërhiqen mënjanë? Mendoni se të gjithë agjërojnë?

Kurrë, në asnjë rrethanë. Ata thjesht i nënshtrohen një frike që vjen prej jush, sigurisht më shumë e supozuar dhe shumëfish e ekzagjeruar. A keni menduar, pra, pse njerëzit u dashkan të ndiejnë frikë, pse u dashka të ndihen të terrorizuar, vetëm pse nuk mendojnë si ju dhe nuk ndihen si ju?

5. Tani, radhën e keni ju.

Në trend

Më shumë

"Një copë bukë, gjithmonë me buzëqeshje", mediumi italian shkruan për shqiptarin nga Malisheva që humbi jetën në aksident trafiku

Kronika e Zezë
Anisa Veseli hyn të premten në Big Brother VIP Kosova?

Anisa Veseli hyn të premten në Big Brother VIP Kosova?

Magazina
“Ajo që sytë e mi panë” - Xhensila Myrtezaj rrëfehet mes lotësh për ndarjen nga Bes Kallaku

“Ajo që sytë e mi panë” - Xhensila Myrtezaj rrëfehet mes lotësh për ndarjen nga Bes Kallaku

Magazina
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, bashkëshortja e njërit të akuzuar: Më ka thënë se ka qenë në shtëpi

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, bashkëshortja e njërit të akuzuar: Më ka thënë se ka qenë në shtëpi

Drejtësi

"Kurti nuk do të jetë më kryeministër”, Haradinaj: Qeverinë ta udhëheqim me rotacion, nga një vit AAK, PDK dhe LDK

Politikë
Xabi Alonso ka marrë vendim për të ardhmen e tij te Leverkuseni

Xabi Alonso ka marrë vendim për të ardhmen e tij te Leverkuseni

Bundesliga
Kalo në kategori