LAJMI I FUNDIT:

Letër e hapur pjeprit të shkretë

Letër e hapur pjeprit të shkretë

I dashur pjepër! Si frut, ti ke qenë dhe je ndër më të preferuarit e mi, pas pjeshkës sigurisht.

Ty të kam rezervuar një vend të veçantë, madje alfabetikisht para pjeshkës, në një libër me titull “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh” (Botimet Pegi, Tiranë, 2017). Im atë, që i adhuronte frutat, më merrte shpesh me vete kur shkonte në pazar për të blerë, mes të tjerash edhe pjeshka, kajsi, rrush, shalqinj dhe, natyrisht, pjepra; ai dinte si t’i provonte pa i çarë, vetëm me të nuhatur, me të prekur e me të peshuar në dorë duke e hedhur lehtas përpjetë; këtë ma mësoi edhe mua, por, prej disa dekadash, ti ke ndryshuar, pjepri im i shtrenjtë, se si je bërë, të është venitur ngjyra dhe, kryesorja, ke humbur shijen, me një fjalë, nuk je më ai i pari, aq sa nuk arrij më ta parashikoj pa të çarë se sa i shijshëm do të jesh!


Ç’të kanë bërë, mik i dashur? Modifikim gjenetik? Unifikim racor? Të kesh rënë vallë viktimë e globalizimit ushqimor si pasojë e përdorimit abuziv të nitrateve dhe të pesticideve? Sidoqoftë, por jo thjesht për ngushëllim, të njëjtin transformim kanë pësuar, cila më shumë e cila më pak, edhe tërë frutat e tjera, tërë zarzavatet gjithashtu. Mirëpo, në zanafillë të këtij shkrimi është, falë Institucionit të besueshëm STOP, lajmi – që më ra si bombë – se një sasi pjeprash e tipit tënd, pra vodenës, paska rezultuar e infektuar rëndë nga një masë e përbindshme nitratesh (gati disa herë mbi normën e lejuar), e cila qenka tejet kancerogjene, pra fort e rrezikshme për shëndetin e njeriut. O Perëndi, o Natyrë, o Shoqëri njerëzore, çfarë skandali!

U bënë disa ditë që kjo ka ndodhur, por – dhe ky është kulmi i kulmeve! – shitja e të ngjashmëve të tu, o miku im i gjorë pjepër, vazhduaka si patëkeq! Atëherë, në këto kushte e rrethana, duke u nisur gjithashtu nga proverbi francez “Më mirë drejtoju Zoti sesa shenjtorëve”, më lejo o pjepri im i shkretë, t’i bëj drejtpërdrejt disa pyetje z. Kryeministër:

1. A hani ju vetë pjepra të llojit vodenës?

2. I blini ata në tregun e Tiranës?

3. Ku ndodhet ky treg në mënyrë që Institucionit të besueshëm STOP t’i jepet mundësia për të analizuar disa nga të ngjashmit e mikut tim pjepër, çka do ta mbronte nga kanceri i pabesë shëndetin tuaj të çmuar, të vyer, e të shtrenjtë, në krahasim me të cilin shëndeti i popullit shqiptar nuk vlen asnjë kacidhe?

4. A keni në Surrel ndonjë serrë speciale, unikale dhe fenomenale, ku mbillen, rriten e piqen pjepra të llojit vodenës me destinacion ekskluziv vetëm tryezën tuaj e të familjes suaj?

5. Mos vallë për më shumë siguri ushqimore, pra, shëndetësore, ju i porositni pjeprat tuaj, si edhe gjithë frutat e zarzavatet që konsumoni, diku jashtë shtetit?

6. Nëse po, në cilin vend?

7. A mund të kini mirësinë të porositni atje, nuk po them të gjitha llojet e frutave dhe të zarzavateve, por të paktën, herë pas here, ndonjë pjepër dhe sidomos, në veçanti, ndonjë pjeshkë vërtet bio për mua dhe miqtë e mi të Institucionit të besueshëm STOP, që nuk bëjmë dot pa atë, sepse, sa për bananet, trangujt, patëllxhanët e karotat, këto ua kemi lënë të tjerëve, kryesisht atyre që nuk e kanë mendjen as te pjepri dhe, veçanërisht, as te pjeshka e bekuar! Pjepri im i dashur! Sigurisht që “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”, nxitoi të siguronte opinionin publik në vendin tonë dhe përtej se, lidhur me testin që të kanë bërë të dërguarit e STOPit, duke të zhvirgjëruar me një aparat “Green Test”, nuk ka vend për alarm, se te ne nuk ka normativa për kufijtë e lejuar të nitrateve në pjepër dhe se aparati i sapopërmendur nuk ka besueshmëri në matje.

Mos u habit, miku im i padjallëzuar e, rrjedhimisht, fatkeq, sepse, ndërkohë që kudo në botë nitratet dhe pesticidet e përdorura në bujqësi me sasira të frikshme cilësohen e stigmatizohen nga specialistët e të ushqyerit si ndër shkaktarët kryesorë të rritjes galopante të numrit të njerëzve të prekur nga kanceri, madje deri te fëmijët në bark të nënës, në vendin tonë besueshmëri kanë vetëm qeveria, organet, strukturat e hallkat e saj pa asnjë përjashtim, të cilat ndonjë ditë të jashtëzakonshme do të na sigurojnë se nitratet dhe pesticidet e përdorura me shumicë jo vetëm që nuk janë të rrezikshme për ne, shqiptarët e zakonshëm, por edhe na mbrojnë si nga kanceri, ashtu edhe nga të gjitha llojet e mundshme e të imagjinueshme të sëmundjeve që kapin njerëzit, kafshët, bimët, madje, pse jo, edhe sendet!