Leonardo DiCaprio ishte një nga figurat më të komentuara të ditës së 12-të në Wimbledon 2025, teksa u shfaq në Fushën Qendrore për të ndjekur gjysmëfinalet e meshkujve në një ditë të nxehtë vere, ku temperaturat arritën deri në 32°C.

I veshur me stil, por pa kapelen e tij karakteristike, aktori 50-vjeçar tërhoqi vëmendje të madhe nga të pranishmit, ndërsa u pa duke fshirë djersën dhe vetullat në nxehtësinë përvëluese.


Ai iu bashkua një morie yjesh të njohur, përfshirë Benedict Cumberbatch, Rami Malek, Hannah Waddingham dhe Riz Ahmed, të cilët ndoqën nga afër përballjen mes Carlos Alcaraz dhe Taylor Fritz për një vend në finalen e së dielës, shkruan DailyMail.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e madhe e ditës priti duelin mes Novak Djokovic dhe Jannik Sinner, që mund të sjellë një përsëritje të finales së vitit të kaluar.

Atmosfera elektrizuese u pasurua me praninë e figurave të tjera të njohura si Anna Wintour, e cila shfaqi elegancën klasike me një fustan të bardhë me lule blu, dhe Emma Raducanu, e cila ndonëse e eliminuar nga gara, u pa duke shijuar ndeshjet nga tribuna.

Gjithashtu, të pranishëm ishin James Norton, Joe Alwyn, si dhe çifti i njohur britanik i “podcast”-eve Jamie Laing dhe Sophie Habboo, kjo e fundit me barkun e rrumbullakosur dhe një fustan të shkurtë me motive lulesh.

Stili nuk mungoi, por jo gjithmonë ishte i qëlluar. Aktori Will Poulter u vu në qendër të vëmendjes për një “incident mode”, me pantallona që dukeshin të pabarabarta dhe çorape të çuditshme, ndonëse pjesa tjetër e veshjes ishte klasike dhe elegante.

Ndërkohë, Rami Malek zgjodhi një kostum shampanjë të çelët, ndërsa Benedict Cumberbatch mbante një kostum blu të errët dhe mustaqe të veçanta, duke e shoqëruar bashkëshorten e tij Sophie Hunter me shumë elegancë. /Telegrafi/