Kjo rritje ka ndodhur gjatë gjithë javës. Të dhënat tregojnë se kursi mesatar mujor i këmbimit euro-lekë po shfaq zhvlerësim të vazhdueshëm të lekut që nga fillimi i vitit. Krahasuar me janarin një euro është këmbyer gjatë muajit prill mesatarisht tre lekë më shumë.

Ekspertët e bankave thonë se zhvlerësimi i lekut po ndodh për shkak se në treg ka kërkesë të lartë për monedhën evropiane. Përtej shkaqeve të brendshme kursi i këmbimit në tregun vendas po ndjek tendencat e tregjeve valutore ndërkombëtare. Muajt e fundit euro është forcuar ndjeshëm ndaj dollarit amerikan duke tentuar nivelet e këmbimit 1 euro me 1.49 dollarë, më i larti që nga dhjetori i vitit 2009.


Ekspertët e Bankës Qendrore thonë se edhe në Shqipëri po reflektohet e njëjta tendencë. Ndërsa euro është rritur nga 138 në 142 lekë, dollari ka rënë nga 105 drejt kursit aktual 96 lekë. Në pamje të parë duket se ecuria e lekut ndaj dy monedhave të huaja ka qenë e ekuilibruar, duke reflektuar lëvizjet në tregjet botërore.

Por, për shkak të euroizimit të lartë të ekonomisë shqiptare për buxhetet e familjeve këto lëvizje nuk kanë efekte të ekuilibruara. Pasi familjet penalizohen më shumë nga zhvlerësimi i lekut ndaj euros se sa fitojnë nga forcimi i monedhës kombëtare ndaj dollarit.

Vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi se kursi i këmbimit po shkon drejt një ekuilibri të ri. Një ekuilibër ky që për disa ekspertë mund të ketë jo pak kosto për ekonominë, pasi euro e fortë përveçse trondit buxhetet e atyre që kanë kredi në monedhën evropiane, tashmë përkeqëson edhe borxhin publik të vendit, raportoi TCH./Telegrafi/