LAJMI I FUNDIT:

Leksion i shkurtër për krimet serbe në Kosovë

Leksion i shkurtër për krimet serbe në Kosovë
Bajram Mjeku

Për ata që janë të gatshëm t’i amnistojnë krimet serbe në Kosovë, vura në lëvizje kujtesën time, më saktë të shkruaj për periudhën nga dhjetori i vitit 1989 e deri më 24 mars të vitit 1999, kur së bashku me pak kolegë kemi punuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) dhe kemi informuar çdo ditë të javës për krimet e policisë serbe kundër qytetarëve shqiptarë jo vetëm në Kosovë, por edhe në viset shqiptare në ish-Jugosllavi.

Pa u konsultuar me kolegët e mi në kohë të koronavirusit, kujtoj se gjatë kësaj periudhe, në organet e sigurimit serb në Kosovë janë keqtrajtuar mesatarisht nga 50 shqiptarë çdo ditë dhe shumica nga ata janë keqtrajtuar fizikisht në shtëpitë dhe pronat e tyre, pastaj në hapësirat publike, si dhe në udhëkryqe rrugësh e magjistralesh, më saktë kudo që janë përballur me forcat e policisë dhe paramilitarëve serbë.


Të kujtojmë se nga viti 1995 e më vonë, në Kosovë u vendosën rreth 40 mijë forca të policisë dhe paramilitarëve serbë të ardhur edhe si vullnetarë nga qytete të Serbisë, si dhe rreth 80 mijë forca të rregullta të ushtrisë serbe.

Nga viti 1989 e deri në fillim të luftës së fundit, në Kosovë janë vrarë rreth 600 shqiptarë, ndërsa për ata që nuk dinë e ndoshta edhe i ka lëshuar kujtesa, ua kujtoj se nga marsi i vitit 1981 e deri në mars të vitit 1989, në organet e sigurimit serb janë keqtrajtuar e dënuar rreth 180 mijë shqiptarë.

E, tash, secili nga ne mund të bëjë lehtë një llogari: Sa shqiptarë i bie të jenë keqtrajtuar nga forcat serbe gjatë dekadës së okupimit, pa i llogaritur edhe mbi 13 mijë shqiptarë të vrarë e masakruar dhe rreth 20 mijë gra të dhunuara shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë?!

Dikujt mund t’i duket shifër e shpifur, por ia vlen t’ua kujtoj edhe këtë: Nga viti 1945 e deri në vitin 1990, sipas hulumtimeve të bëra deri tash, regjimi komunist serb kundër shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në ish-Jugosllavi, ekzekutoi hiç më pak se 666 shekuj e 72 vjet burg të rëndë dhe zhduku pa nam e nishan intelektualët më të mirë të kohës, të cilët kishin sado pak ndikim në mjediset ku jetonin.