Ish-sulmuesi italian Antonio Di Natale ka minimizuar shanset e Juventusit për të fituar Serie A këtë sezon, duke përmendur Napolin, Interin, Milanin dhe Romën si pretendentë më seriozë për titullin.

Megjithatë, ish-ylli i Udineses ka theksuar se skuadra e Igor Tudor mund të ketë sukses në Ligën e Kampionëve.


“Më pëlqejnë Napoli dhe Milani, por kini kujdes nga Interi. Roma e Gasperinit është gjithashtu interesante për mua”, tha Di Natale.

“Nuk mendoj se Juventusi është gati të luftojë për titullin. Por ata kanë ekipin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe gjithashtu për të bërë mirë në Evropë këtë sezon. Dy barazimet kundër Borussia Dortmund dhe Villarreal nuk duhen nënvlerësuar".

Sipas tij, problemi aktual i Juventusit është më shumë psikologjik sesa teknik.

“Padyshim që kritikat tani kanë të bëjnë me psikologjinë: nëse je Juve dhe barazon pesë ndeshje radhazi, është problem. Por Tudor do të rikuperohet, jam i sigurt”, shtoi legjenda italiane.

Di Natale komentoi gjithashtu edhe për situatën në sulm, duke theksuar rëndësinë e Dusan Vlahovicit si titullar përpara nënshkrimeve të reja Jonathan David dhe Lois Openda.

“Ka mungesë hierarkie. David dhe Openda kanë ardhur nga liga të ndryshme dhe duhet pak kohë. Te Udinese ishim lojtarë nga vende të ndryshme, por ata që kishin cilësi luanin, ndoshta jo menjëherë, por me kalimin e kohës".

"Vlahovic, pa dyshim, duhet të jetë titullar. Ai ka pasur shifra dyshifrore çdo vit që kur shkoi te Juve. Ai ndoshta nuk do të shënojë 30 gola në sezon, por është ende një lojtar i shkëlqyer, dikush që bën diferencën në Serie A”, përfundoi legjenda italiane.

telegrafi sport app