LAJMI I FUNDIT:

Lëçitja shkelej natën

Lëçitja shkelej natën
Ilustrim

Urdhri ishte i prerë: Dërgoju sa më tepër grada, mirënjohje, tituj të mëdhenj e të vegjël, po dihet me firmën tonë, dhe puna do eci vaj.

Pasi mori detyrën e Pashait , Zi Ziu e dinte sesa lehtë mund të nënshtrojë zijoshët. Për sigurinë e vet rekrutoi numër të panjohur rojesh, krejt të padukshëm. Duke mos ditur kurrë se kush është rekrutuar truprojë e Pashait, zijoshët po trembeshin edhe në gjumë. Asnjëri nuk i besonte tjetrit për asgjë. Kështu, në Zezë plasi e zezëdita. Askush nuk mund të thoshte numrin e saktë të truprojave të Pashait. Frika shtohej përditë e më tepër. Për t’i paguar të ashtuquajturit truproja as që mendonte Zi Ziu. Ata ishin të lirë të bënin punë të pista nga të cilat përfitonin mirë. Imuniteti i Pashait i mbronte mirë. Shëtisnin të armatosur në çdo fshat. Bëheshin të dukshëm vetëm me urdhër. Sa më shumë që kalonte koha, zullumi i tyre trashej. Kështu zijoshët filluan të iknin natën nga Zeza.


Për pak vjet, numri i zijoshëve të Zezës u përgjysmua. Se pari morën fe të re, pastaj erdhën emrat e mbiemrat. Derisa fshati po zbrazej natën, shumë zijoshë akoma nuk kishin kuptuar asgjë, pasi marrëdhëniet mes tyre ishin prishur nga hasmëritë e shumta shekullore. Këputja e marrëdhënieve mes zijoshëve ishte fitore e madhe për Pashën. Aq shumë u shtuan hasmëritë, sa që, çdo familje e Zezës, edhe të vdekurit i varrosnin ndaras.

Pas një fitoreje të madhe mbi xhaurret, Pashai u kthye në saraj. Atje njoftoi se çka kishte parë në tokat e reja dhe çka duhej të ndërmarrin. Lartmadhëri, iu drejtua Pashai, Padishahut. Atje janë njerëz kaçak dhe kanë merak tituj. Në çdo lagje fshati ka një dy e tre kaçabash. Shumica e tyre janë në gjak mes veti. Vriten përditë. Duhet të provojmë t’u ndajmë ca letra të shkruara, fare të thjeshta. Ato letra atje do t’i shpallim të shenjta menjëherë. Pasi ata nuk dinë të lexojnë më lehtë i nënshtrojmë me letër se me shpatë. Mjafton të dërgojmë rruaza vezullore e gacatore, dhe prej tyre mileti do të bëjnë mësysha në forma të ndryshme, dhe do t’i vendosin në vende të dukshme. Kjo metodë do të funksionojë për mrekulli. Kur njërit ia ndajmë një titull, të tjerët do ta vrasin nga zilia. Kështu, me një letër, me dy tre fjalë, ne fitojmë pa luftë, pasi ata do të vriten mes veti.

Padishahu u pajtua plotësisht, por shtoi edhe nevojën për martesat që duhet të përzihen. Ne dërgojmë atje dy-tre valltare të pispillosura dhe ata do bëhen copë-copë pas tyre. Kur të vjen radha e këngëtarëve tona atje, do të ketë festë, që nuk kanë parë kurrë. Pasi t’i fusim në kurthe me këso valltaresh ata do të jenë të kenë dëshirë të martohen me këto femra. Akoma nuk kanë ndonjë identitet, përveç dhjetëra fiseve, shumica e të cilave janë në gjak mes veti. Atje më lehtë kryejmë punë më tituj e dekorata. Shpatat nuk do të na duhen fare.

Në marshimin tjetër, Pashai solli tre thasë me dekorata e dhurata për ata që i “konisën” dovletit. Çdo derë e zemër në tokat e reja po hapej, para nderimit që po iu bënte pashai. Pasi zijoshët nuk kishin kurrfarë organizimi shoqëror, vizita e pashës në shtëpinë e tyre shndërrohej në festë. U shpërndanë shumë dekorata e tituj me vulë të padishahut. Pashai, në fillim nderoi pikërisht goxhabashet që dalloheshin si rebel, jo kundër pushtuesit, por kryesisht mes veti. Pashai kur shpërndau dekoratat dhe urdhrat e parë, u befasua nga pritja e zijoshëve. Në saraj po e priste nderimi i lartë nga padishahu. Portat e fitores u hapen pa humbur asnjë ushtar.

Dy valltarët e para, që erdhën me ordinë, u martuan menjëherë me goxhabash të njohur të fiseve.
Lakmia për grada, tituj padronësh, rrogëtarësh e shërbëtorësh të llojllojshëm, të ulët e më të ulët, të lartë e më të lartë, shtohej si epidemi. Në shumë raste, zijoshët po ndryshonin edhe emrat e mbiemrat e vjetër, vetëm për t’i përngjarë, sa më shumë, dhe sa më shpejt dokeve të pushtuesit.

Kryeplaku i fshatit Bardhë u nderua me titullin e agait, ndërsa i vëllai i tij u emërua Çaush. Zijoshët, nga inati, në fillim, vendosën ta lëçitin Çaushin, por ende nuk dinin asgjë se çfarë roli do të ketë ai. Sa kalonin ditët, lëçitja po shkelej në orët e vona të natës. Një nga një, sapo binte terri, zijoshët vizitonin konakun e Çaushit. I thurnin lavde dhe i bënin lajka për ndonjë shërbim. Kush më pak e kush më shumë, Çaushin e kishin vizituar shumica e zijoshëve. Filluan të zgjerojnë përgojimet e njëri- tjetrit me të zeza të padëgjuara deri atëherë, edhe kur nuk kishin çka të thonë. Kështu, autoriteti i Çaushit rritej përditë e më shumë, sa dikur, ai diktonte gjithë rrjedhat e jetës në Bardhë. Po të shfaqeshin ngecje diku, Çaushi me kalë ishte aty. Atë e shoqëronin edhe dy zapti, kalorës, truprojë.

Me kohë, Çaushi shtoi numrin e zaptive, që i shkonin para e pas tij, kudo që lëvizte. Kryente Çaushi edhe aso detyrash, për të cilat nuk kishte imagjinuar asnjëherë. Zijoshët, shpejt harruan kryeplakun dhe shumë zakone e rregulla të lashta, që ishin vendosur e zbatuar me nder, me pajtimin e të gjithëve. Sa më shumë që kalonte koha, shtoheshin ngatërresat. Sa më shumë që shtoheshin ngatërresat, rritej roli i Çaushit. Në fshatin Zezë, filluan të shpikën edhe aso përgojimesh, që nuk ishin dëgjuar kurrë më herët. Përgojimet e thashethemet kishin cak, të cilin akoma nuk e kuptonte askush. Jo pak herë, kishte ndodhur që të shpikën ngatërresa vetëm për të dalë më shumë në pah, roli i Çaushit. Sa kalonin ditët, Çaushi, po bëhej një sundimtar vërtetë i egër.

Pushtetit selxhuk, duke parë rezultatet e gradave dhe titujve, solli të tjera, jo vetëm nëpër fise, por edhe në çdo lagje. Strategjia e farës së planifikuar, po mbillej me sukses. Fëmijët mund t’i shkollonin në gjuhen e lartmadhërisë, kuptohet, vetëm ata që kishin tituj e grada. Ngado që kalonte Çaushi, po të mos e përshëndeste dikush, kriste kamxhiku. Gradat selxhuke depërtuan thellë në jetën dhe unin e zijoshëve. Për çdo lindje fëmije, organizoheshin ceremoni të pagëzimit, krejt me rite të reja dhe në gjuhën e pushtuesit, të cilën zijoshët filluan ta mësojnë fjalë për fjalë. Fëmijët po i pagëzonin me emra që nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë. Askujt nuk i shkonte mendja për këtë, por secili prej tyre synonte ndonjë titull, qoftë edhe të ulët fare. Çdo gjë që vinte nga dora e lartmadhërisë, sa hora bëhej krejt e shenjtë.

Tituj e grada me thasë

Dekoratat, rruazat vezullore e gacatore, po kryenin punë me shumë sukses. Zijoshët, dhuratat e padishahut i vendosnin në kokë apo në gjoks që t’i shohin të tjerët. Varësisht nga madhësia e tyre, ato shumë herë, edhe i bartnin si hajmali. Ashtu mendonin dhe ashtu bënin zijoshët. Në çdo festë, çdo kush sillte ndonjë dhuratë sado të vogël, por me plan dhe qellim. Me kohë, dhuratat u bënë të detyrueshme. Nëse dikush nuk kishte mundësi të blinte dhuratë, huazonte borxh diku, pasi mund ta priste lëçitja nga zijoshët tjerë, që trillonin njëmijë të zeza për përfitime edhe në këso rastesh. Shumë shpejt filloi të shihej ndikimi i emrit të individit edhe në masën e gjerë fshatare. Jo pak herë, pas të ashtuquajturave gradime, pati edhe konflikte të përgjakshme mes vëllezërve të një gjaku dhe të një fisi, mu për shkak të titujve, dekoratave e gradave.

Hakmarrja filloi të bëhej mortajë shfarosëse. Pushtimi, i gjatë, po e bënte të vetën. Gjuha amtare po mbijetonte vetëm brenda familjeve dhe fiseve, në vise të skajshme apo të humbura fare, larg nga kontakti me pushtues. Fjalët e huaja po depërtonin në të gjitha ritet e festat, fetare e jofetare, në dasma e veshje, në sjellje e përshëndetje, në mirëseardhje e urime. Ndryshoi fjalori i mikpritjes së dikurshme. Ndryshoi edhe varrosja e të vdekurve në tërësi. Mbi varre po vendoseshin murana me simbole të pushtuesit. Kudo që populli kishte pikëtakim me pushtetin, qoftë edhe më dy apo tre fjalë, ishte i detyruar të flas në gjuhën e lartmadhërisë.

As Bardha nuk i bëri ballë gjatë këtyre ndryshimeve, që ndodhnin përditë. Dhe kështu mori emrin që ruan edhe sot-Zezë! Mos harroni se, edhe ky emër është shqip.