Leart Sadriu shkëlqen sërish, shënon dhe i siguron fitoren Arges Pitestit

Leart Sadriu po vazhdon të konfirmojë formën e lartë që nga transferimi te Argeș Pitești në afatin kalimtar të verës.
Mbrojtësi shënoi sot golin e tij të dytë sezonal, në fitoren 2-0 të skuadrës së tij ndaj Cluj, duke qenë një nga lojtarët kyç të ndeshjes.
Sadriu realizoi në minutën e 58-të, duke dyfishuar epërsinë dhe siguruar tri pikë të vlefshme për Argeș. Përveç golit, ai ishte i sigurt në mbrojtje dhe shumë aktiv në ndihmën për fazën ofensive.
Për paraqitjen e tij mbresëlënëse, Sadriu u vlerësua me notën 7.9 nga platforma e specializuar SofaScore, një ndër më të lartat në fushë dhe sinjal i qartë për ndikimin që pati gjatë gjithë takimit.
Ky është goli i dytë për Sadriun në vetëm tri ndeshje kampionale – një nisje ideale që dëshmon përshtatjen e shpejtë dhe rëndësinë që ka marrë në formacionin bazë të Argeș Pitești.
Në anën tjetër, për Cluj u inkuadrua në pjesën e dytë edhe Meriton Korenica, por mesfushori kosovar nuk arriti të lërë gjurmë dhe nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar. /Telegrafi/


















































