LAJMI I FUNDIT:

LDK: Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, kapje e plotë të këtij institucioni publik

LDK: Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, kapje e plotë të këtij institucioni publik

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, kjo parti thotë se janë interesuar për procesin në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit.


LDK thotë se me emërimin e një aktivisti në krye të RTK-së u bë kapja e transmetuesit publik.

“Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

“Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve”.

LDK thotë se qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur.

“Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë duke shtuar se “temën e kapjes së institucionit të televizionit publik” do ta bëjë çështje në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës./Telegrafi/