LAJMI I FUNDIT:

LDK kundërshton vendimin për uljen e pagave: Qeveria goditi rëndë drejtësinë

LDK kundërshton vendimin për uljen e pagave: Qeveria goditi rëndë drejtësinë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kundërshtuar fuqishëm vendimin e Qeverisë për t’i ulur pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Koordinatori i Departamentit për Rend dhe Ligj në LDK, Shkëmb Manaj, në një konferencë për medie të enjten tha me këtë vendim ekzekutivi i ka dhënë goditjen më të rëndë sistemit të drejtësisë.


Manaj tutje tha se Qeveria e Kosovës është e vetmja në botë që në kohë të inflacionit i zvogëlon pagat. Kjo, sipas tij, do të ndikojë në ikjen e prokurorëve e gjyqtarëve nga sistemi si dhe ngadalësimin e trajtimit të rasteve.

“LDK-ja e kundërshton uljen e pagave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Qeveria i dha goditje sistemi të drejtësisë, në momenti kur ishim në pritje të rritjes së pagave. Kjo është Qeveria e vetme në botë që në kohë të inflacionit i ul pagat, kjo është një nga goditjet më të rënda”.

“Vendimi skandaloz cenon punën edhe ashtu të cenuar. Ulja e pagave nënkupton ikjen nga sistemi i drejtësisë, nënkupton ngadalësimin e trajtimit të rasteve. Ulja e pagave nënkupton stimulim të korrupsionit”, u shpreh ai.

Manaj tutje tha se Kuvendi i Kosovës duhet ta marrë rolin e vet për ta ndalur këtë vendim arbitrar, ndërsa sipas tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të dalë në mbrojtje të sistemit të drejtësisë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që pagat në sistemin e drejtësisë t’i kthejë sikur para vendimit të Qeverisë Haradinaj që më 2017 i pati rritur për gati dyfish. /Telegrafi/