LDK kundërshton dërgimin e Besnik Bislimit në Bruksel

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ta dërguar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e cilësuar këtë hap si të pajustifikuar dhe pa legjitimitet qytetar e institucional.
Në një komunikatë për media, LDK thekson se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka dhënë një mesazh të qartë nga qytetarët, duke mos i ofruar më mandat qeverisë aktuale për përfaqësimin e Kosovës në një proces kaq të rëndësishëm.
“Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë rrugën euroatlantike të vendit.
“Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim. Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat”, përfundon komunikata e kësaj partie.











































