LDK emëron Kryesinë e re, përfshihen figura të vjetra dhe të reja të partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për emërimin e Kryesisë së re të partisë, në kuadër të procesit të riorganizimit të brendshëm politik.
Sipas komunikatës për media, vendimi është marrë nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i LDK-së i mbajtur më 31 janar.
“Në përputhje me autorizimet e marra nga Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbajtur më 31 janar, me të cilat autorizime kërkohet vendosja e Kryesisë së re si pjesë e riorganizimit të thellë politik; Kryetari i LDK-së, pas konsultimeve të brendshme, ka marrë vendim për emërimin e Kryesisë së re të LDK-së në përputhje me këto autorizime të organit më të lartë vendimmarrës të partisë”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së, përbërja e re synon të reflektojë një kombinim të përvojës dhe energjisë së re politike.
“Kjo përbërje reflekton përvojën institucionale, energjinë e re; e mbi të gjitha përbashkimin e të gjitha niveleve si element thelbësor të forcimit tonë partiak. Kryesia e re është në funksion të forcimit të organizimit të brendshëm, përfaqësimit të strukturave dhe rritjes së efikasitetit në vendimmarrje", thuhet tutje në komunikatë.
Në krye të Kryesisë do të jetë Lumir Abdixhiku, ndërsa në përbërje të saj janë dhjetëra figura të njohura të partisë, përfshirë: Alban Zogaj, Alush Gashi, Anton Quni, Arbër Ismajli, Ardian Shala, Arjeta Salihu Abazi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Bexhet Xheladini, Doarsa Kica Xhelili, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Ermal Sadiku, Fadil Hadërgjonaj, Festim Kabashi, Gazmend Muhaxheri, Hykmete Bajrami, Ilir Ferati, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Paris Guri, Ruzhdi Shehu, Shefqet Shehu, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Sokol Haliti, Sokol Havolli, Ukë Rugova, Visar Azemi dhe Xhafer Gashi.
LDK thekson se Kryesia e re do të ketë rol kyç në drejtimin e partisë.
“Kryesia e re do të ketë përgjegjësi të plotë për drejtimin politik dhe organizativ të partisë, në përputhje me programin tonë dhe objektivat përpara”, thuhet më tej në komunikatë
Tutje, bëhet e ditur se kjo përbërje është pjesë e një faze kalimtare organizative, që synon konsolidimin e strukturave dhe forcimin e lidhjes mes qendrës dhe degëve.
“Kjo përbërje vjen edhe si rezultat i një faze të ndërmjetme organizative, në zbatim të platformës së miratuar nga Kuvendi, e cila parasheh konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve. Në këtë periudhë kalimtare, Kryesia ndërtohet me përfaqësim më të drejtpërdrejtë të drejtuesve të degëve, si bartës të legjitimitetit nga baza, ndërsa standardet e reja organizative do të zbatohen plotësisht në ciklin e ardhshëm të ristrukturimit”, bëhet e ditur.
Po ashtu, LDK ka paralajmëruar se Kryesia mund të plotësohet edhe më tej.
“Në ditët në vijim, pas konsultimeve shtesë, Kryesia do të plotësohet me përfaqësues nga degët e mëdha të papërfaqësuara në këtë përbërje”.
Në fund, partia ka bërë të ditur se në kuadër të këtij procesi do të themelohet edhe një trup këshillëdhënës.
“Kryetari i LDK-së, në përputhje me udhëzimet dhe autorizimet e marra, do të propozojë së shpejti dhe Trupën Këshillëdhënëse, të përbërë nga figura të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me përvojë të jashtëzakonshme institucionale e profesionale; si pjesë e riorganizimit të brendshëm”, thuhet në komunikatë
LDK thekson se mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të brendshëm dhe ndërtimit të një alternative politike për qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/




















































