László Krasznahorkai, fitues i Nobelit për Letërsi më 2025

Nga: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Shkrimtari hungarez, László Krasznahorkai, është shpallur fitues i Nobelit për Letërsi, “për veprën e tij mbresëlënëse dhe vizionare që, në mes të një tmerri apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”.
“László Krasznahorkai është shkrimtar i madh epik në traditën e Evropës Qendrore, që shtrihet nga Kafka te Thomas Bernhard dhe karakterizohet nga absurdi dhe eksesi grotesk”, ka thënë Anders Olsson, kryetar i Komitetit të Nobelit.
I lindur në Xhula të Hungarisë, në vitin 1954, Krasznahorkai u bë i njohur për herë të parë me romanin e tij të parë Tangoja e djallit [Sátántangó], në vitin 1985 - një portretim i zymtë dhe magjepsës i një komuniteti rural në shkatërrim e sipër [Njerëz që besohej se ishin të vdekur, shfaqen në skenë dhe konsiderohen nga të gjithë të pranishmit si lajmëtarë të shpresës ose të fundit të botës, ndërsa elementët djallëzorë fshihen në faktin se të ardhurit manipulojnë banorët që shpresojnë shpëtimin]. Romani fitoi çmimin e librit më të mirë të përkthyer në anglisht [Best Translated Book], pothuajse tri dekada më vonë, në vitin 2013.
Shpesh i përshkruar si postmodern, Krasznahorkai njihet për fjalitë e tij të gjata e të ndërlikuara, temat distopike dhe melankolike, dhe për një intensitet të pandërprerë që ka bërë që kritikët ta krahasojnë me Gogolin, Melvillein dhe Kafkan. Tangoja e djallit u adaptua në një film shtatorësh nga regjisori Béla Tarr, me të cilin Krasznahorkai ka pasur një bashkëpunim të gjatë krijues.
Karriera e Krasznahorkait është formësuar po aq nga udhëtimet sa edhe nga gjuha. Ai e la për herë të parë Hungarinë komuniste në vitin 1987, duke kaluar një vit në Berlinin Perëndimor me një bursë studimi, dhe më pas gjeti frymëzim në Azinë Lindore - veçanërisht në Mongoli dhe Kinë - për vepra të tilla si I burgosur i Urgës [The Prisoner of Urga] dhe Shkatërrimi dhe trishtimi nën qiej [Destruction and Sorrow Beneath the Heavens]. Por, ai ka shkruar gjithashtu një sërë veprash të frymëzuara nga përshtypjet e thella që i kanë lënë udhëtimet e tij në Kinë dhe Japoni, si romani i tij i vitit 2003 Një mal në Veri, një liqen në Jug, një shteg në Perëndim, një lumë në Lindje [Északról hegy, Délről tó, Nyugatról utak, Keletről folyó], botuar në anglisht në vitin 2022) - një rrëfim misterioz me pjesë të fuqishme lirike që zhvillohet në juglindje të Kjotos.
Gjatë punës për romanin Lufta dhe lufta [War and War], ai udhëtoi gjerësisht nëpër Evropë dhe jetoi për një kohë në apartamentin e Allen Ginsbergut në Nju-Jork, duke e përshkruar mbështetjen e poetit legjendar të bit-poezisë si thelbësore për përfundimin e romanit.
Adhuruesit e tij janë të shquar: Susan Sontag e quajti “mjeshtri bashkëkohor hungarez i apokalipsit”, ndërsa WG Sebald vlerësoi universalitetin e vizionit të tij.
Megjithëse ka shtëpi në Hungari, Krasznahorkai ka kaluar vitet e fundit duke jetuar në mërgim të vetëshpallur në Berlin dhe Trieste, dhe nuk e ka fshehur përbuzjen e tij për politikat e kryeministrit Viktor Orbán.
Në romanin e tij Baroni Venkhajm kthehet në shtëpi [Baron Wenckheim’s Homecoming], botuar në anglisht në vitin 2019, shfaqet një figurë “e ligë, e sëmurë dhe e gjithëpushtetshme”, pa emër, që kalon nëpër qytet me një autokolonë të zezë dhe që disa kritikë e kanë identifikuar si një simbol për kryeministrin autoritar i cili ka qeverisur Hungarinë që nga viti 2010.
Gjatë kohës në pushtet, partia Fidesz e Orbánit ka nënshtruar sistematikisht universitetet, teatrot, mediat e pavarura dhe industrinë e botimeve sipas modelit të saj të “demokracisë joliberale”. Lidhur me luftën në Ukrainën fqinje, Hungaria është përpjekur të ndjekë një qëndrim neutral, duke e dënuar luftën, por gjithashtu duke fajësuar Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë, ndërkohë që mbetet një nga të paktat vende evropiane që nuk ka dhënë ndihmë ushtarake. Në një intervistë për Yale Review në shkurt të këtij viti, Krasznahorkai e përshkroi dështimin e Orbánit për të dënuar Putinin si rezultat i një “mentaliteti psikiatrik”. “Hungaria është vend fqinj i Ukrainës, dhe regjimi i Orbánit po mban një qëndrim të paprecedentë - pothuajse të pashembullt në historinë hungareze”, tha ai. “Kurrë nuk do ta kisha imagjinuar që udhëheqja politike hungareze do të fliste për një të ashtuquajtur neutralitet në këtë çështje! Si mund të jetë një vend neutral kur rusët pushtojnë një vend fqinj”?!
Në vitin 2015, Krasznahorkai u bë shkrimtari i parë hungarez që fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker”.
Në një intervistë për Guardian në vitin 2012, Krasznahorkai tha se nuk donte kurrë të bëhej shkrimtar sepse nuk mund ta imagjinonte veten në rrethet letrare. “Jo sepse nuk mund të admiroja shkrimtarët në Hungari apo në letërsinë botërore. Isha adhurues i madh i personaliteteve më të mëdha të letërsisë botërore - kjo është normale - por, nuk mund ta imagjinoja veten në atë rreth”. Pasi lexoi në moshën 18-vjeçare sonetin e Rainer Maria Rilkes, Trupi arkaik i Apolonit [Archäischer Torso Apollos], ai u trondit nga mesazhi urgjent i vargut të fundi, “Duhet ta ndryshosh jetën tënde”, dhe vendosi të zbriste “në katin e poshtëm të shoqërisë, në bodrum”. Një seri punësh të përkohshme e çuan përfundimisht në një fermë, ku punoi si rojë nate. Një mëngjes, pas një nate në stallën e lopëve, ai shkoi të flinte, “dhe njerëzit aty më thanë: ‘Të lutem mos fli, sepse po vjen dikush për të kastruar derrkucët’. E pritëm këtë njeri - ai ishte krejtësisht i panjohur për mua - kishte një atmosferë shumë të rëndë rreth tij, lajmet për të ishin shumë të këqija, por askush nuk ishte tamam i sigurt pse. Ai mbërriti. Ishte i gjatë, kishte një hundë të madhe, ishte pothuajse pa fjalë, dhe kishte veshur një pallto shumë të gjatë. Njerëzit aty e ftuan për një gotë pálinka - ishte e detyrueshme kjo atje - dhe pas kësaj, ky njeri i gjatë u ul dhe ne duhej të mbanim derrkucët. Ishte aq e tmerrshme dhe derrkucët vuajtën shumë, ulërinin dhe përpëliteshin, dhe unë duhej t’i shtypja poshtë. Njeriu ishte krejtësisht pa ndjeshmëri, pa shpirt, pa emocion, dhe ai i preu dhe u bë gati për të tjerët”! Ky makth me sy hapur ishte burimi i Tangos së djallit - jo kjo skenë, por atmosfera e saj, thelbi i saj: “Atëherë mendova: duhet të shkruaj diçka për botën, jo për Hungarinë komuniste, jo për Hungarinë, jo për këtë peizazh me njerëz shumë të varfër dhe rrethana të mjerueshme, por për botën në një nivel më të thellë”.
I pyetur se si do ta përshkruante veprën e tij, në një intervistë për Guardian ai u përgjigj: “Shkronja; pastaj nga shkronjat, fjalë; pastaj nga këto fjalë, disa fjali të shkurtra; pastaj më shumë fjali, më të gjata, dhe në thelb fjali shumë të gjata, për një periudhë prej 35 vjetësh. Bukuri në gjuhë. Argëtim në ferr”. Ndërsa, për lexuesit që zbulojnë veprën e tij për herë të parë, ai shtoi: “Nëse ka lexues që nuk i kanë lexuar librat e mi, nuk do t’u rekomandoja asgjë për të lexuar; përkundrazi, do t’i këshilloja të dalin jashtë, të ulen diku, ndoshta pranë një përroi, pa bërë asgjë, pa menduar për asgjë, thjesht të qëndrojnë në heshtje si gurë. Do të takojnë eventualisht dikë që i ka lexuar librat e mi”.
Çmimi Nobel për Letërsi është dhënë 117 herë, që nga viti 1901. Krasznahorkai do ta marrë zyrtarisht medaljen dhe diplomën në një ceremoni që do të mbahet në dhjetor në Stokholm. /Telegrafi/

















































