- Në vend të përshëndetjes -

Mendova nëse do të shkruaj më për Zotin e të gjithë zotrave në Kosovë, Zeusën e Dragodanit meqë më në fund, sigurisht jo me dëshirën e saj po largohet nga Bantustani i saj, rançi privat pra, Republika e Kosovës.

U mallëngjeva shumë kur i dëgjova fjalët e saj mbase shumë të sinqerta: “në asnjë vend tjetër dhe në asnjë rast tjetër nuk kam përjetuar ngrohtësinë, mirësinë dhe dashurinë e vërtetë ashtu siç kam pasur privilegj ta përjetoj këtë në Kosovë”.

Ky ishte një citat i shkurtër i Zeusit me të cilin i falënderoi të gjithë ata që iu kanë bindur pa kusht, që nënshtrimin e kanë ngatërruar me fleksibilitetin, që demokracinë e kanë kuptuar si doktrinë të Tinës, që e kanë luajtur rolin e Gardës së Nderit çdo here kur kjo i ka vizituar Institucionet e Kosovës (kjo ka ndodhur bukur shpesh) andaj një pjesë jo e vogël e politikanëve janë shndërruar në gardistë profesionistë, gardistë të vlerave jodemokratike!

Orakulli i Delfit mbetet vetëm një karikaturë nëse krahasohet me Orakullin e Zeusës së Dragodanit! Te i pari kanë shkuar hallexhinjtë dhe nevojtarët për të kërkuar këshilla ndërkaq që shkuarja te Orakulli i Zeusës ka qenë i domosdoshëm për mbijetesë dhe karrierë politike, për disa prej tyre! Aty nuk ka qenë vendi për këshilla, aty ke pranuar urdhra dhe i ke zbatuar ato!

Tina Kaidanov në Kosovë e ka zbatuar demokracinë e tipit të Guantanamos sepse në shpirt ka qenë thellësisht antidemokrate dhe hakmarrëse e pashembullt! Nuk ka duruar mendime alternative, liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë e kanonizuar sipas kritereve të saj! Pyeteni Albin Kurtin dhe aktivistët e tjerë të Vetëvendosjes! Ata që me 10 shkurt 2007 u rrahën dhe u vranë para Teatrit Kombëtar, para godinës së Qeverisë dhe para syve të më shumë se 40.000 demonstruesve që të drejtën për lirinë e fjalës e paguan me gjak!

Kontrolloni, i ridëgjoni dhe i rilexoni intervistat e Zeusës së Dragodanit para protestave të 10 shkurtit dhe pas krimit të policisë së UNMIK-ut të 10 shkurtit, atëherë do të bindeni se çka është “Demokracia në Veprim”. Është i tmerrshëm fakti, por shumica e mediave , të shkruara dhe elektronike dhe të deklaruara si të pavarura politikën redaktuese e kanë përshtatur me bioritmin, disponimin e urdhrat e saj, assesi dhe me asnjë veprim nuk kanë dashur të bien në kundërshtim me te!

Do të mbahet mend që me metoda staliniste e ka krijuar një shoqëri civile të qullët, llaskuce, pa gjak, pa shpirt, dhe pa jetë! Tamam, aso për të cilën ka pasur nevojë! Ka qenë koordinatore e formimit të Rrjetit të OJQ-ve për monitorimin e zgjedhjeve të fundit me emrin fiktiv si “Demokracia në Veprim” përndryshe botërisht i njohur si Koalicioni i Tinës. E tillë ka qenë edhe struktura politike, në mos edhe më e keqe! Kush nuk janë të tillë, mos të ndjehen si të fyer dhe ju kërkoj falje për keqkuptime eventuale!

E ka legalizuar “murin kinez” të Patrikanës së Pejës në emër të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashigimisë kulturore. Vullnetarisht i ka “ndihmuar” institucionet e Kosovës duke ua përpiluar rendin e ditës për të gjitha mbledhjet e rëndësishme. E ka projektuar, ndërtuar por kur është dashur edhe rrënuar piramidën udhëheqëse të Institucioneve të Kosovës!

Kosova do të mbetej pa flamur po të mos qëndisej nga Marigona e Dragodanit! Do të mbahet mend teksti i mrekullueshëm , frymëzues , patriotik, multietnik që ajo e ka shkruar për Himnin e Kosovës! Tekst i kuptueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore etj.

E ka bërë Kushtetutën e Republikës së Kosovës , Kushtetutë për Librin e Ginisit! Të tillë nuk ka askund në botë dhe as që do të ketë ndonjëherë! Rast i pashembullt dhe unikat, një paketë të jetë mbi Kushtetutën! Paramendojeni nëse ua kapë truri! Shumë ligje u tërhoqën me kërkesën (lexo urdhrin e saj!!) Mjaftonte një paraqitje në media elektronike qoftë edhe vetëm për 30 sekonda që të kuptohej se çfarë rendi të ditës do të kishte Kuvendi, Presidenca dhe Qeveria!

Secili ligj do të kalonte e cili do të vendosej “ad acta”, do të mbulohej nga pluhuri ! Njihet si diferencuese e përkryer ; të gjithë të dëgjueshmit i ka ngrohur dielli, të gjithë të padëgjueshmit janë goditur me rrufe nga qielli! Ky fakt është ajo që e bashkon mitologjinë greke dhe telenovelën kosovare, gjatë sundimit të Zeueses!

Është e pabesueshme se ku gjente aq forcë , energji, vullnet, gatishmëri që në çdo kohë dhe pakohë në çdo vend qoftë ai edhe Kuvend të kryej punët e të tjerëve , t’i këshillojë,me një “butësi” t’i qortojë , t’i emancipojë , t’i kurajojë të zgjedhurit e saj!

Kundërshtarët i sistemonte sipas metodës së Xhingisë Kanit, eliminim nga skena politike, me procedurë të shpejtuar! Dhe , asnjëri prej tyre nuk e tregonte shkakun e vërtetë të eliminimit sepse llogarisnin në rikthimin e mëshirës së saj! Kjo , asnjëherë nuk ka ndodhur deri me sot!

Kualiteti kryesor i saj është se shumë shpejt e ka kuptuar mentalitetin kosovar, është dëshmuar si psikologe e përkryer ! E ka ditur saktë se kush çka dëshiron, cili është synimi i vartësve të saj dhe si duhet vepruar me ta! Është dëshmuar se është më e fortë se çdo femër shqiptare ngase shumica e burrave kanë qëndruar gaditun para saj! Çfarë ilirësh e çfarë Teute! Ka mbjellë frikë te shumica e politikanëve kosovarë dhe nëse dikur për të frikuar fëmijët përdorej shprehja :“Hanibal ante portas” tash përhapej fjala :“Tina në Kuvend , Qeveri dhe Presidencë “ . Vetëm kaq. Asgjë më tepër!

E dua Amerikën e Presidentit Vilson. E dua Amerikën e Martin Luter Kingut. E vlerësoj ndihmën dhe përkrahjen e Amerikës për Kosovën. E dua demokracinë dhe humanizmin. Në shpirt jam humanist dhe nuk pranoj tjetër alternativë! Por do të isha i pasinqertë , gënjeshtar, (si disa politikanë kosovarë) nëse e them se e dua Amerikën më shumë se Kosovën!. Kjo nuk mund të ndodhë! Nuk jam mohues i sakrificës së popullit që i takojsepse , në radhë të parë dhe përcaktuese për lirinë që e kemi është pikërisht sakrifica dhe përpjekjet shekullore për lirinë e këtij populli.

Nuk e dua demokracinë dhe atë pjesë të Amerikës që e ka vrarë Martin Luter Kingun, që i ka trajtuar qytetarët në bazë të ngjyrës së lëkurës, që e ka zbatuar “demokracinë” e tipit Abi Grejb dhe Guantanamo! Definitivisht jo!

Nëse nuk jam pajtuar me Tina Kaidanov në asnjë mënyrë nuk do të thotë se nuk e dua Amerikën. Është pikërisht e kundërta, shkaku që e dua Amerikën nuk jam pajtuar me Tinën, Zeusen e Dragodanit! Sepse mendoj se ajo në Kosovë e ka zbatuar demokracinë ala Abu Grejb dhe Guantanamo! Sepse e ka ngulfatur fjalën e lirë, në emër të mbrojtjes së vlerave demokratike! Sepse ka qenë dhe mbetet antidemokrate e dëshmuar!

Një politikan që hakmarrjen e vendos në majën e renditjes të aktivitetit të tij, në asnjë mënyrë nuk mund të llogaritet si demokrat! A do të qajë dikush për Tinën në Kosovë? Nuk e besoj! Ata që janë klonuar nga doktrina e saj politike dhe “demokratike” do t’i mbajnë lidhjet me të në biznes, psh. si aksionarë të ndonjë biznesi milionësh!

Nëse dikush do të duhej të qajë dhe sigurisht se do të qajë për Kosovën, padyshim do të jetë Tina Kaidanov! Unë plotësisht pajtohem me të (për herë të parë) kur thotë se në asnjë vend nuk e kanë pritur më mirë, ngrohtësisht, miqësisht, dhe me dashuri se në Kosovë! As që do të ketë vend tjetër në botë në karrierën e saj të ardhme si Kosova me politikanë aq të “bindur”, aq të nënshtruar , aq fleksibil, aq bashkëpunues, dhe aq të “sinqertë”! Edhe kjo vlen për atë kategori të politikanëve që e ndjejnë veten si të tillë andaj nuk bëj përgjithësime!

Tina do të qajë për këta, jo për mua! As për Albin Kurtin! As për familjen e Mon Balajt ! As për gruan dhe Olsin e vogël të Arben Xheladinit, të cilët u ekzekutuan pasi nga Tina në një intervistë u cilësuan si armiq të ardhmërisë së Kosovës !

Tina do të ikë nga Kosova por pas saj do ta lë një strukturë të cilën e ka krijuar vet dhe e cila në emër të “dashurisë” ndaj Amerikës kanë përfituar poste dhe pasuri përrallore! Ata nuk e kanë dashur asnjëherë sinqerisht Amerikën sepse nuk e duan as Kosovën! Me largimin e Tinës mbase duhet të ndryshojnë disa gjëra dhe disa njerëz! Shpresoj se nuk do të jenë vetëm ndryshime kozmetike!

Shpresoj shumë se me Tinën më nuk do të takohem, as në këtë botë e as në atë tjetrën! Ndryshojmë shumë, në botëkuptime dhe përmbajtje ! Andaj edhe në atë botën tjetër nuk do të jemi në të njëjtën rrugë! Në udhëkryqin me rrugët njëkahëshe për Parajsë dhe Ferr, drejtuesi do të caktoj se cili në cilën rrugë do të shkojë. Disi nuk jam bindur se jam kandidat serioz për Ferr , madje as kandidat potencial! Kam pasur obligim moral ndaj lexuesve që komunikimi me Tinën ta përmbyll në këtë mënyrë që ajo të mos largohet pa i dëshiruar rrugë të mbarë!

Pra, rrugë të mbarë Tina Kaidanov dhe rroftë demokracia!

(Autori është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet janë personale)