Lamine Yamal, talenti i jashtëzakonshëm i Barcelonës, tashmë është vendosur fuqishëm si një ndër figurat më të shquara të futbollit, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

Me sponsorë që radhiten për ta përfshirë në fushatat e tyre reklamuese dhe me yje të njohur që e duan pranë, 17-vjeçari po shijon një verë luksoze – përfshirë edhe një dhuratë të çmuar që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.


Gjatë verës, Yamal ka udhëtuar në destinacione të njohura si ishujt Balearik dhe Brazili, ku kaloi një javë me idhullin e tij, Neymar Junior. Më pas publikoi foto nga një vizitë në Shangai të Kinës, ku mori pjesë në një ngjarje promocionale të markës Adidas. Destinacioni i fundit para se të kthehet në Barcelonë pritet të jetë New Yorku.

Sipas BeIN Sports, përmes “Mundo Deportivo”, Yamal është surprizuar me një gjerdan të personalizuar të zbukuruar me diamantë dhe gurë të tjerë të çmuar, i cili mban inicialet e tij. Kjo dhuratë luksoze, që kap vlerën prej 400 mijë dollarësh (342 mijë euro), i është dhuruar nga këngëtari i njohur dominikan El Alfa, i cili e shoqëroi dhuratën me përshkrimin: “Pjesa më e mirë për futbollistin më të mirë në botë”.

Dizajni i gjerdanit është punuar nga Victor Rodriguez, themelues i Tajia Diamonds në New York – një prej bizhuterive më të njohura në botë.

Dhe për Yamal, e ardhmja financiare është po aq e ndritur sa edhe karriera e tij. Sapo të mbushë 18 vjeç këtë të diel, ai pritet të nënshkruajë një kontratë të re me FC Barcelona, e cila do ta lidhë me klubin katalanas deri në vitin 2031. Marrëveshja e re do ta bëjë atë një nga lojtarët më të paguar në skuadër, me një pagë që do të rritet progresivisht gjatë viteve.

Me largimin e Ansu Fati, Yamal pritet gjithashtu të trashëgojë fanellën legjendare me numrin 10, duke u shndërruar jo vetëm në fytyrën e re të Barcelonës, por edhe në një simbol të së ardhmes së klubit. /Telegrafi/