LAJMI I FUNDIT:

Lajm fantastik për mbledhësit e kuponëve fiskalë

Lajm fantastik për mbledhësit e kuponëve fiskalë

Qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë qendrave të shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për të dorëzuar plikot me kuponë fiskalë për rimbursim, të cilët i kanë grumbulluar gjatë tre muajve, korrik, gusht dhe shtator.
Mbi 37 mijë qytetarë kanë aplikuar vetëm për tre ditë, në të gjithë territorin e Kosovës, për rimbursim të kuponëve fiskalë, shkruan “Gazeta Express”.

Zyrtarë të ATK-së kanë thënë për “Express”-in se afati i dorëzimit të kuponëve ka filluar më 1 tetor dhe do të vazhdojë deri më 4 nëntor.


Ndërkohë Administrata Tatimore e Kosovës bën me dije se kjo formë e rimbursimit do të vazhdojë deri në implementimin e projektit të ri.

“Ende nuk ka ndonjë vendim për ndryshimin e formës së rimbursimit të kuponëve fiskalë. Jemi duke punuar në projektin e ri, mirëpo ende nuk ka diçka konkrete. Për të gjitha do të njoftohen qytetarët”, ka thënë Valentina Bytyçi – Sefa.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimbursimi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 250 € deri në 500 €, do të rimbursohen në vlerën 10 €;

Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501 € deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;

Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €./GazetaExpress/Telegrafi/