Ky vend në Turqi është shpallur resorti më i përballueshëm për familjet - dreka për katër persona kushton më pak se 80 euro

Marmarisi, një qytet i njohur bregdetar në bregun Mesdhetar të Turqisë, është shpallur destinacioni më i përballueshëm për pushime këtë vit në Raportin Vjetor të Pushimeve Familjare të Postës Britanike, duke e kaluar ngushtë Sunny Beach të Bullgarisë.
Siç raporton DailyMail, Marmarisi është i njohur për plazhet me rërë, qytetin e vjetër me shumë bukuri dhe jetën e gjallë të natës.
Raporti, i realizuar në bashkëpunim me operatorin turistik TUI, analizon kostot në 16 destinacione turistike evropiane, duke krahasuar çmimet për 10 produkte tipike turistike, përfshirë një darkë, krem kundër diellit dhe një gamë pijesh.

Për Marmarisin, i cili mori vendin e parë, shuma totale për këto artikuj ishte rreth 152.20 euro. Vizitorët në këtë vendpushim mund të marrin një darkë familjare me tre pjata (përfshirë verë) për vetëm rreth 79.86 euro. Po ashtu me çmime të lira janë: një kafe €2.37 euro dhe repelenti kundër insekteve 3.08 euro.
Në Sunny Beach të Bullgarisë, destinacioni i dytë më i përballueshëm sipas raportit, kostoja totale ishte 152.77 euro – falë çmimeve të leverdisshme për birrë me shishe 2.77 euro dhe kafe 2.22 euro.
Algarve në Portugali zuri vendin e tretë për të dytin vit radhazi, duke e bërë atë destinacionin më të lirë brenda Eurozonës.
Në vendin e katërt u rendit Pafosi në Qipro, i cili po e ngushton gjithnjë e më shumë diferencën në çmim.
Sërish këtë vit, Ibiza u vlerësua si destinacioni më i shtrenjtë nga të 16-të të anketuarit, me një kosto totale prej rreth 286.49 euro – gati dyfishi i kostos së Marmarisit. /Telegrafi/























































