LAJMI I FUNDIT:

Ky është dallimi mes Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit

Ky është dallimi mes Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit

Pas 4 vjetorit të vdekjes së Arbër Xhaferit, Telegrafi Maqedoni ka bërë një analizë me dy analistët Xhelal Neziri dhe Sefer Tahiri, dhe publicisten Adelina Marku e cila më herët ishte edhe e afërt me Arbër Xhaferin, rreth dallimeve të epokës Xhaferi e Thaçi në PDSH.

Për të trajtuar dy epokat e PDSH-së, atë të Xhaferit dhe atë të Menduh Thaçit dhe udhëheqjen e partisë në situata të ndryshme që nga krijimi i Partisë Demokratike Shqiptare, kemi pyetur Tahirin, Nezirin dhe Markun se cili është dallimi në mes kryetarëve të vetëm të PDSH-së.


Sefer Tahiri, profesor universitar dhe analist në pyetjen e Telegrafit thotë ”Sa i përket modelit të menaxhimit të PDSH-së si subjekt politik nuk ka ndonjë dallim thelbësor midis Xhaferit dhe Thaçit, pasi kreu aktual partiak edhe në kohën e Xhaferit ka pasur rol dominant në parti, madje lirisht mund të them se ka qenë bashkëkryetar i saj. Por binomi Xhaferi –Thaçi në një periudhë, 98-2000 kanë qenë funksional, duke kombinuar njohuritë e thella teorike të Xhaferit me pragmatizmin aksional të Thaçit. Konsideroj se nga analiza që kam bërë veprimit të PDSH-së Xhaferi edhe pse kryetar formal i saj nuk ka pasur sukses t’i imponojë idetë e tij politike, pasi teza e tij për veprim të matur politik për denacifikim institucional dhe ndryshimin e Kushtetutës, si gjenerator i krizës në Maqedoni, nuk gjeti zbatim si pasojë e faktit që një pjesë e PDSH-së atë e supstitoi me interesa grupore, klanore materiale.”

Analisti Xhelal Neziri për të njejtën pyetje thotë ”Thaçi është ana organizative e partisë, kurse Xhaferi ishte mendimtari, ai që kishte një vizion të qartë politik jo vetëm për partinë e tij por për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Ai mbeti intelektual iluminist edhe në politikë, shpesh duke sakrifikuar edhe rejtingun e partisë. Xhaferi nuk kishte asgjë të përbashkët me populizmin, por kishte për mision artikulimin politik të të gjitha përpjekjeve të pastrukturuara politike të shqiptarëve. Pra, Xhaferi ishte autori i vizionit politik kurse Thaçi ishte zbatues i organizimit partiak.” përfundon Neziri.

Për të qenë sa më reale kjo temë kemi biseduar edhe me publicisten dhe një ndër personat e afërt të Arbër Xhaferit në PDSH. Adelina Marku flet gjithashtu për dallimin e Xhaferit dhe Thaçit. ”Tek analizoj bashkëpunimin e tyre, sot them se dallimet ishin të natyrës komplementare, pra përderisa Arbëri spikatte me lidershipin e tipit smart (të mençur), në kuptimin që ai arrinte të kombinojë lidershipin e butë me atë të fortin për të strukturuar një produkt politik të një lidershipi të mençur. Thaçi spikatte me lidershipin e tipit hard (të fortë), që do të thotë se tek ai gjëmonin njëkohësisht aftësite makiaveliste, inteligjenca emocionale dhe struktura dëshirore dominante e tij që i shtynte gjërat t’i ketë nën kontroll. Pra për PDSH-në dhe për politikën shqiptare këtu padyshim do vlerësoja se Arbëri ishte vizionari ndërsa Thaçi ishte strategjisti. Të dy bashkë, komplementonin një lidership goxha mirë të determinuar pas qëllimeve politike. Sot Thaçi në PDSH është strategjisti i vetmuar e në nevojë të zgjatur (nga e cila lodh veten panevojë!) që të zgjojë guximshëm vizionin e projektuar nga mentori i tij. Thaçi sot vazhdon ta perceptoj si strateg, por që ka nevojën t’i besojë ëndrrës së një lideri gjithpërfshirës. Nevojë legjitime kjo, por gabon tek ëndërron e kërkon të projektohet vetiu tek njerëzit e dëshpëruar rëndë tanimë, sepse së pari duhet t’i ri-besojë asaj përsëri, vetë ai! Do i thoja lidershipit të PDSH-së se konteksti politik sot kërkon vendime të rënda para pasqyrës personale, tjerat pastaj rrjedhin rrjedhës kanalit të ndërtuar me kohë!” thotë për Telegrafi Maqedoni, Adelina Marku, publiciste.

Për fund, me Sefer Tahirin dhe Xhelal Nezirin kemi biseduar edhe për atë ”A do të ketë një Arbër Xhaferi tjetër politika shqiptare në Maqedoni dhe politika shqiptare në përgjithësi.

”Arbër Xhaferi është rast i rallë në politikë. Ai nuk ishte politikan, por thjeshtë iluminist që dëshironte të shëndriste rrugën e errësuar të shqiptarëve jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të Kosovës e Shqipërisë. Xhaferi nuk mbante llogari për rejtingun politik të tij e të partisë që drejtonte. Ai detektonte problemet dhe shfaqte vizionet e tij për të ardhmen, pa marrë parasysh nëse ato vizione do të ishin në kundërshtim me pritjet folklorike dhe patetike të një pjese të shoqërisë shqiptare. Tani kur partitë kanë “vrarë” politikanin mendimtar, kur shoqëria i ka hedhur në margjina të gjithë ata që janë të gatshëm të japin për të e jo të marrin, figura e Xhaferit shfaqet si model i politikanit që rëndë se mund të përsëritet.” thotë për Telegrafi Maqedoni, Xhelal Neziri-analist politik.

”Nëse mendon se a do të ketë intelektual në politikë si Arbër Xhaferi, kjo vështirë se do të ndodh, sepse ai ishte intelektual i një formati të madh, që po të mos ishte marrë me politikë do ishte një ndër intelektualët më me zë në Evropë. Arbër Xhaferi padyshim se ishte intelektuali më i madh në politikën shqiptare, por njëkohësisht edhe politikani më i mire në mesin e intelektualëve.” thotë Sefer Tahiri.

Për temën e njejtë, Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar edhe ish-bashkëpunëtorë tjerë të Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit për të njohur më realisht dallimin. Është kontaktuar edhe ish-kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratik Shqiptare, Krenar Lloga, për të treguar udhëheqjen e PDSH-së në epokën Xhaferi dhe epokën Thaçi. Nuk kemi pasur ndonjë përgjigje nga Lloga. Gjithashtu kemi kërkuar deklaratë edhe nga krahu i djathtë i Menduh Thaçit në PDSH, deputetit të PDSH-së Ernad Fejzullahut por edhe nga ai nuk kemi pasur ndonjë qëndrim./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Bisedime të vështira dhe të tensionuara

Pas takimit me Bislimin në Bruksel, Petkoviq: Bisedime të vështira dhe të tensionuara

Lajme
Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Avokatja: Me të thënë “je e bukur”, “je sharmante” – nuk është ngacmim seksual

Drejtësi
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren - Tetovë

Lajme
Kalo në kategori